Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Sazan Goliku

Dialog i paturpshëm

“Të lutem, o diell,
na jep një rreze drite, na vdiqe”! – iu luta
perandorit të dritës që qesh e qan për të gjithë.
“Trus bythën” – më shfryu ai i zemëruar.
– Me tepri ju kam dhënë
malet e detin, fushat e lumenjtë…
dhe ju këmbëzbathurit
hidhni pa pra mbi vete
mbi mua
mjegulla të ndotura përtacie,
re shterpe fanatizmi,
plehra radioaktive të botës,
tullumbace me ngjyra që ju vënë
në gjumë hipnotik”.

Dhe dielli u rrëzua përtej detit
ashtu i përskuqur, i lodhur
tej në perëndim…
Nuk e di a do të kthehet mbi ne,
nesër …
Dhjetë mënyra me vra një flutur

T’i vësh sipër gishtin e ta zgërlaqësh.
T’i ngulësh një gjilpërë në shpinë.
T’u hedhësh luleve herbicide.
Ta kapësh me rrjetë.
T’ia prishësh artin e krahëve dhe ta lëshosh.
Ta futësh një ditë në frigorifer.
T’i thuash je e shëmtuar.
T’i thuash je më e bukura në botë.
Të kalosh pranë saj sikur ajo nuk është.
T’ia flakësh vezët.

A mund të gjesh dhjetë mënyra me vra veten?

Triptik teologjik

Unë jam besimtar, ti je besimtar, ai është besimtar.
Po Zoti ku është?

Unë jam agnostik, ti je agnostik, ai është agnostik.
Po ne, a jemi?

Unë jam zindik, ti je zindik, ai është zindik.
Po kush do ta krijojë Zotin?

Please follow and like us: