Teoritë konspirative, vështirë të dallosh konspiracionin e trilluar nga ai real!
Çapajev Gjokutaj
1.
Në fillimet e pandemisë emra të njohur të dijes bashkëkohore nga Habermas tek Fukuyama, nga Kissinger tek Yuval Harari, Jacques Attali, Ivan Krastev etj. parashikuan se COVID-19 do të sillte edhe ndonjë të mirë, si p.sh. rritje besimi tek ekspertët. Dhe logjika ashtu e do: në periudha kur pasiguritë dhe frikërat pushtojnë jo një vend e dy, por gjithë rruzullin, sjellja e njeriut ka prirje të forta të strukturohet në paradigmën ‘kërcënim, pasiguri – ekspertizë, siguri’.
Duke ecur kësaj hullie ‘The Economist’ njoftonte rezultatet e një hulumtimi elektronik që faktonte se në periudhën mars – prill klikimet në mediat tradicionale prestigjoze ishin shtuar dukshëm. Një nga drejtuesët e hulumtimit, profesor në universitetin e Michigan-it, shtonte se prirja që në kohë pandemie të orientohesh nga burime informacioni cilësore ngjan me veprimet në bursë: kur nis kriza, njerëzit synojnë t’i konvertojnë paret në ar ose në investime sa më të sigurta.
Rritja e klikimeve në mediat prestigjoze është realitet, por përbën vetëm njerën faqe të monedhës, faqja tjetër e kthen situatën kokëposhtë: vihet re gjallërim i paparë lajmesh të rreme dhe teorish konspiracioni. Kaq e fortë ishte dhe mbetet prirja për të rremën dhe konspirativen, sa që OBSh u detyrua të fliste për infodemi, metaforë kjo që lajmin e rremë e krahason me virusin si për shpejtësinë e përhapjes, ashtu edhe për rrezikun dhe dëmin. Shqetësimi i krijuar bëri që rjete sociale si fejsbuku etj. të merrnin masa parandaluese kundër përhapjes së lajmeve të rrema, masa që në analizë të fundit përmbajnë elementë të censurës.
Me kalimin e kohës përhapja e teorive konspirative duket se u bë shumë më masive sesa prirja për të kërkuar informacion në media prestigjoze. Kjo të kujton punën e egjrës dhe të grurit. Gruri, misri e kultivarë të tjerë kërkojnë punë e mund. Ndryshe ndodh me egjrën, gramin e me barëra të tjera të këqija që mbijnë e përhapen vetiu, tëharrja e tyre është punë rraskapitëse.
E keqja mbin e rritet vetiu, thotë mentaliteti, por qarkullimi i shtuar i teorive konspirative për koronavirusin nuk është dukuri kaq e vetvetishme dhe spontane, ka faktorë të shumtë që e favorizojnë, faktorë që gjenden në prirje të brendshme të njeriut, aq edhe në infrastrukturën mediatike, në politikë etj.
2.
Ashtu si fetë edhe teoritë e konspiracionit mbështeten shumë më tepër mbi besimin sesa mbi hulumtimin tërësor të ngjarjes a dukurisë që shpjegojnë. Në themel kanë gjithnjë bindjen se shkak i parë janë komplotet e ndërmarra nga grupe njerëzish të fuqishëm, kurdoherë me qëllime të këqija, djallëzore.
Megjithëse të ngritura mbi paragjykime e iluzione, teoritë konspirative mbijetojnë dhe përhapen gjerësisht, ngaqë kryejnë funksione, i ofrojnë disa shërbime e komoditete atij që i beson dhe i përhap. Shërbimi i parë është që të racionalizojnë dukuri të panjohura e misterioze dhe të qetësojnë kështu, frikëra dhe ankthe që rastësia, e panjohura dhe kaosi ngjallin rëndom te njeriu.
Karl Popper, dijetari që e përdori për herë të parë termin ‘teori konspiracioni’, thoshte se këto teori janë po aq parake sa disa forma teizmi, madje edhe kanë gjalluar krahas tyre. Gjithçka që ndodhte në ultësirën para Trojës, vinte re filozofi, s’qe veçse pasqyrim i komploteve që thurnin perënditë e Olimpit dhe që shpjegonin a racionalizonin rrjedhën e ngjarjeve kryesore.
Kohë më vonë, kur shekullarizmi u bë dukuri e përhapur, vendin e Perëndive të Olimpit e zuri njeriu. Grupe njerëzish të fuqishëm si Pleqtë e Zionit, monopolistë, kapitalistë, iluminati etj. kryejnë veprimtari okulte dhe synojnë nënshtrim, shfrytëzim, varfëri e fatkeqësi të tjera. Grupet e të fuqishmëve që, me komplote e ligësi ndikojnë jetët tona, jo vetëm që na qetësojnë e na shfajsojnë se e gjejnë burimin e vuajtjeve tona jashtë nesh, por edhe na ndihmojnë të përfytyrojmë një botë racionale e koherente, të ngjizur në gurrën shkak – pasojë.
Funksioni racionalizues është i përhershëm, por në rastin e pandemisë frika dhe pasiguritë janë më të mëdha e më kërcënuese sesa në rastin e ufove, iluminatit, vrasjes së Kenedit dhe të tjera ngjarjesh e dukurish, që tradicionalisht kanë ushqyer teori konspiracioni. Ndodh kështu ngaqë nuk bëhet fjalë për rreziqe dhe pasiguri të përgjithshme e të largëta, por për një virus që të kërcënon edhe ty si individ, madje të kërcënon me vdekje dhe jo me dukuri abstrakte e të largëta si pushtime jashtëtoksorësh, pushtete okulte etj.
Duke e kërkuar burimin e të keqes, jo te forca misterioze të natyrës, tek tekat e virusit kapriçioz dhe të panjohur, por tek milionerë e gjeneralë, tek firmat e mëdha farmaceutike, tek Bill Gates, tek kinezët, tek projektues luftrash biologjike etj., teoritë konspirative për pandeminë përmbushin një tipar të zhanrit: venë në qendër të çdo zhvillimi njeriun.
Dhe kjo në thelb është këndellëse. Vërtet që kemi të bëjmë me të këqinj, por gjithsesi janë njerëz dhe përderisa e padukshmja menaxhohet nga të ngjajshmit tanë, mbetet nën kontrollin njerëzor. Duke ecur kësaj hullie rreziku racionalizohet, paniku sikur meket, se gjithçka mbetet në dorën e njeriut dhe yti mishin ta ha po kockën ta ruan.
Teoritë konspirative fajësojnë si komplotistë grupe njerëzish, kryesish nga elitat, ndaj hyjnë në rezonancë edhe me frymën antiestablishment, që në ditët tona po arrin nivele rrallëherë të shënuara dhe po merr shtrirje globale. Historia e narrativave universale dëshmon se këto lindin e rilindin sa herë rezonojnë me tipare e kërkesa të aktualitetit.
3.
Veç racionalizimit të së panjohurës, teoritë konspirative krijojnë edhe një lloj komoditeti psikologjik, ndihmojnë të vetëndihen mirë gjithë ata që i besojnë e i ritregojnë. Kjo ndodh kryesisht për dy arsye: ngaqë përmbajnë sekrete, por edhe ngaqë prej vetiu kanë diçka tërheqëse, argëtuese.
Komplotet, që perbëjnë thelbin e teorive të konspiracionit, kudo e kurdoherë shoqërohen nga sekreti, mbahen të fshehta, ndryshe pushojnë së qenuri komplot aktiv. Ata që i pikasin dhe ua shpjegojnë të tjerëve i mbushin mendjen vetes se s’janë të rëndomtë: ja kanë një status të veçantë, status që u siguron informacion dhe u mundëson kalimin përtej perdes së sekretit, ja shquajnë për mëndjemprehtësi në shpjegimin e dukurive. Të dish sekrete do të thotë të ndihesh i veçantë, jo i rëndomtë dhe të demonstrosh kështu se të punon mendja, dallohesh si mendjemprehtë, paçka se rezulton mëndjelli.
Duke vënë theksin tek grupe njerëzish të këqinj, kryesisht nga elitat, rrëfimtari i teorive konspirative ndihet mirë edhe për një arsye tjetër, fajëson ata që janë lart dhe shfajëson veten që, përkundër dëshirave dhe ëndrrave të dikurshme, nuk arriti të pasurohej a të shquhej. Pati të drejtë ai gazetari i New York Times që shkroi se teoritë e konspiracionit janë streha e fundit e të pafuqishmit.
Ata që besojnë dhe ritregojnë teori konspirative ndihen mirë edhe për një arsye tjetër, më parimore. Si rrëfimtarë i krijojnë iluzionin vetes se po demaskojnë të keqen dhe vihen aktivisht në anën e publikut, të mirës, në anën e atyre që kërcënohen.
Teoritë konspirative na bëjnë të ndihemi mirë edhe ngaqë kanë një perbëres të fortë argëtues, gjë që i afron me disa zhanre narrative në letërsi, kinematografi, televizion etj. Të dyja palët kanë të perbashkëta tipare thelbësore, ndaj nuk është e rastit që aq shumë romane, filma, serialë etj. marrin e rimarrin për subjekt teori konspirative, të reja e të vjetra.
Motivi i të këqinjve që komplotojnë e veprojnë tinëzisht, që shtyjnë në ngasje e nënshtrim, është shtyllë kurrizore në strukturimin e teorive konspirative, por njëkohësisht është edhe motiv zanafillor në korpusin e narrativave botërore, të paktën të atyre që janë mbrujtur nën ndikimin e feve abrahamike. Zë fill kjo praktikë me gjarprin, Evën dhe mëkatin fillestar, për të mos u shtyrë më tej tek ëngjëjt kryengritës dhe dëbimi i tyre nga qiejt.
Zhanret e narracionit në foklor, letërsi, kinematografi, televizion etj. synojnë ethshëm të ngjallin kërshërinë e dëgjuesit, lexuesit a spektatorit. Edhe veprimet okulte, përbetimet e komplotet, fryma e fshehtësisë dhe e sekretit që janë të shtëpisë në teoritë konspirative gjenerojnë kërshëri e vëmendje.
Ndjesia e argëtimit dhe rrjedhshmërisë vjen e bëhet më vepruese edhe nga fakti që teoritë konspirative ndërtohen mbi struktura të thjeshta e solide, pa shumë hyrje e dalje, me lidhje të dukshme, madje edhe të thjeshtezuara e iluzore të tipit ‘shkak – pasojë’, ndryshe nga ç’ndodh në jetë. Nuk është e rastit që Noam Çomski i sheh si antipod i analizës shkencore.
4.
Janë të shumtë faktorët e natyrës psikologjike e sociale, që i bëjnë teoritë konspirative të pëlqyeshme për masa të gjera njerëzish, kryesisht nga katet e poshtme të shoqërisë. Megjithatë nuk mund t’i japësh përgjigje të prerë pyetjes: këto teori stisen diku lart, prej grupesh elitare bazuar në objektiva e strategji të sofistikuara, apo buisin nga poshtë, për të plotësuar nevoja të individit, psikologjike e identitare.
Në një shumicë rastesh, teoritë konspirative zenë fill në libra, dokumentarë, emisione televizive etj. që ngjallin kërshëri masive dhe kthehen në temë bisedash të përditshme, në një lloj folklori që ngjan se u takon të gjithëve. Thenë ndryshe shkëndijat shkrepin nga lart, por flakët buisin nga posht.
Në këtë lojë iluzionesh një gjë mbetet e sigurt: meqë kanë pëlqim të madh dhe qarkullim thuajse masiv, teoritë konspirative kthehen në produkt tejet të lakmuar nga politika, biznesi, rjetet sociale, mediat online dhe të tjera megamakina që, për të funksionuar nuk kërkojnë naftë, por votues, klientë dhe pëlqime/like, sa më shumë, aq më mirë.
Teoritë konspirative për pandeminë aktuale, veçanërisht ato për origjinën e virusit, për vaksinat, për interferimet me rjetin 5G etj., pavarësisht se kush dhe përse i ka ngjizur fillimisht, po përdoren gjerë për qëllime politike, gjeopolitike, tregu etj. Këto qëllime nisin nga konkurrenca Kinë – ShBA, vijnë tek reklamim ilaçesh në interes të kësaj apo asaj firme farmaceutike dhe sosin te shitja e produkteve të popkulturës si libra, filma, seriale, videolojrave me komplote e komplotistë.
Instrumentalizimi i teorive të konspiracionit në dobi të pushtetit dhe të politikës të kujton Karl Popperin që vërente se Hitleri besonte në teorinë e komplotit të Pleqve të Urtë të Sionit, por kur mori pushtetin, u përpoq të mos mbetej prapa dhe konstruktoi kundërkomplotin hebre, që shërbeu si karburant i Holokaustit. Më pas, Umberto Eco do ta shihte këtë dukuri si rrjedhojë paradoksale: pas çdo komploti të trilluar, fshihet ndoshta gjithnjë komploti i dikujt që ka interes të na e paraqesë si të vërtetë.
Dhe këtu shfaqet skërmitja e djallit: në rrjedhën e këtyre shndërrimeve bëhet e vështirë të dallosh konspiracionin e trilluar nga ai real. Ky i fundit nuk ngjan të jetë i rrallë në ditët tona, kur përmbytja nga lajmet e rreme rrezikon të marrë përmasa biblike dhe kur mbi 70% e politikës në rang botëror vazhdon të zhvillohet në prapaskenë