Albspirit

Media/News/Publishing

Si zgjidhet presidenti i SHBA?

Kur amerikanët do u drejtohen qendrave të votimit, teknikisht nuk do të votojnë për Donald Trump apo Joe Biden, por për pjesëtarët e atij që quhet Kolegji Zgjedhor. Fjala “Kolegj” i referohet një grupi njerëzish ose zgjedhësish, të cilët ndajnë të njëjtën detyrë: zgjedhjen e presidentit të SHBA-së.

Sistemi daton më shumë se 200 vite me parë.  Themeluesit e Shteteve të Bashkuara donin të ngrinin një sistem demokratik, por druheshin se një votim popullor i drejtpërdrejtë mund të çonte në zgjedhjen e një presidenti të papërshtatshëm.  “Zgjedhësit” u menduan si një kompromis.

Secilit shtet ju caktua një numër zgjedhësish, bazuar kryesisht në popullsinë e tij. Sot, ka 538 zgjedhës dhe një kandidat i suksesshëm për presidencën duhet të sigurojë një shumicë prej të paktën 270 në mënyrë që të fitojë.

Në shumicën e shteteve, kandidati që fiton votën popullore, merr mbështetjen e të gjithë Zgjedhësve të atij shteti.  Prandaj është e mundur që një kandidat të humbasë votën popullore rreth vendit dhe prapë të fitojë shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor dhe të bëhet president. 2 prej 5 zgjedhjeve të fundit janë fituar nga kandidatë që siguruan më pak mbështetje popullore edhe pse kjo nuk kishte ndodhur prej me shumë se 100 vjetësh para zgjedhjeve të vitit 2000.

Kjo nënkupton se fushatat përqendrohen kryesisht në strategji  që ndihmojnë në sigurimin e 270 votave të Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të fituar. Në shënjestër janë të ashtuquajturat “fushëbeteja” apo shtetet e lëkundura, e jo aq shumë shtetet që tradicionalisht votojnë për të njëjtën parti. Në fakt, në zgjedhjet e fundit 2/3 e tubimeve u mbajtën në vetëm 6 shtete.

Kështu, 538 pjesëtarët e Kolegjit Zgjedhor luajnë një rol kyç në zgjedhjen e presidentit amerikan. Përgjatë viteve ka pasur përpjekje për ta ndryshuar sistemin zgjedhor. Por  të gjithë i dinë rregullat e lojës përpara ditës së zgjedhjeve./abcnews.al

Please follow and like us: