Tjetër humbje në arsim, Covid-19 i merr jetën mësuesit Ylli Xhaferri!
Koronavirusi i ka marrë jetën një tjetër mësuesi në vendin tonë.
Mësohet se një ndër viktimat e sotme të COVID-19 është shkrimtari dhe mësuesi Ylli Xhaferi. Ai ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga gjimnazi “Haxhi Qehaj”, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ylli Xhaferri ishte për ne kolegu, intelektuali, drejtuesi, poeti, prozatori, qytetari dhe miku që me altruizmin e tij ishte i kudogjendur! Ai ishte njeriu që karakterizohej nga pasioni për letërsinë, artin, arkitekturën dhe historikun e qytetit tonë! Një njeri me humor dhe pozitivitet, i gatshëm të ndihmonte çdo mësues të ri që të ndihej plot vetëbesim dhe pjesë e rëndësishme e institucionit. Largimi i tij i parakohshëm ishte një humbje për miqtë dhe të njohurit! Të qoftë dheu i lehtë poet! Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të tij!” shkruan shkolla.
Ky nuk është rasti i parë i arsimtarëve të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Më herët janë raportuar edhe mësues të tjerë në shkolla të ndryshme të vendit që nuk e kanë fituar betejën me Covid-19.