Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Blandiana: E ruajt të pacenuar, kjo kryqëzatë e mrekullueshme e fëmijëve të Rumanisë!

Kjo që po jetojmë sot dhe ajo që do të jetojmë në vjetët e në dhjetëvjetëshat e ardhshëm do të jetë vepra e atyre fëmijëve të pjellë prej nënash të dëshpëruara ngaqë qenë të detyruara t’i nxirrnin në botë, të rritur në heshtje, në frikë, në të ftohtë e në uri, të ushqyer prej prindërish të terrorizuar që u trembeshin ditë e natë denoncimeve, të kapitur pas orëve të kaluara nëpër radhët e pafundta, të edukuar prej mësuesish të poshtëruar e të detyruar të mos i thoshin ato që mendonin, fëmijë të cilët i mësonin të mos e ngrinin zërin, ta ulnin radion, ta mbulonin me pëllëmbë dorezën e telefonit, t’i shmangeshin shoku-shokut, të mos i hapeshin askujt, të mos i besonin asnjeriu. Ngjarjet që po jetojmë sot janë vepra e atyre fëmijëve të dënuar me jetë e me vetmi, dhe që, me një përçmim të pamatë për jetën që u qe dhënë pa dashje, e flakën atë mbi banakun e pamëshirshëm të historisë duke paguar me të çmimin e solidaritetit, të dashurisë, të besimit e të shpresës dhe na bënë të gjithëve të rilindim në këto Krishtlindje të përgjakta e sublime. E ruajttë të pacenuar, kjo kryqëzatë e mrekullueshme e fëmijëve të Rumanisë, lirinë e blerë kaq shtrenjtë dhe e shpëntë përpara nëpër vite, po kaq të pastër e përvëluese, deri në pjekjen e plotë të demokracisë së paprapsueshme.

Përktheu Aurel Plasari

——————————–

Revoltat kundër diktatorit komunist të Rumanisë, Nikolae Çaushesku e shtynë këtë të fundit dhe gruan e tij, Elenën të largoheshin me shpejtësi nga Bukureshti më 22 dhjetor të vitit 1989. Por pavarësisht tentativës së tyre për shpëtim, çifti u kap nga policia lokale në Tërgovishte. Një gjyq i shkurtër u zhvillua në 24 dhjetor ndërsa në fund të tij Elena dhe Nikolae Çaushesku u ekzekutuan. Ish- paraushtaraku Jonel Boeru kujton ditën kur vrau diktatorin rumun, Nikolae Çaushesku dhe gruan e tij Elena Çaushesku. Në një intervistë për “Mirror”, Boeru tha se ishin 29 plumbat e dalë nga AK-47 e tij, që vranë diktatorin dhe gruan, Elenën. Kapiteni rrëfeu se tirani 71- vjeçar ishte veshur me stil dhe vinte erë e rëndë solucioni pasrroje. “Fjalët e fundit të Çausheskut ishin: Jetë të gjatë Republikës Socialiste të Rumanisë- të pavarur dhe të lirë,” tha Boeru. Ai shtoi se Elena Çaushesku mbante erë të keqe. Fjalët e saj ishin krejt të ndryshme. “Ajo i ulëriti një ushtari: Ti shkërdhatë”! Ishte koha kur Perdja e Hekurt kishte nisur të binte në Evropën Lindore me disa revolucione paqësore. Çauseshku urdhëroi trupat që të qëllonin mbi protestuesit. Më shumë se 1100 njerëz u vranë në tre javë, përpara se tirani të rrëzohej pas 22 vitesh drejtim.

 

Please follow and like us: