Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: FOLI BABAI I KLODIANIT NDAJ JU TË TJERËVE, JU TAKON TË MBYLLNI GOJËN…!

Letra e babait të Klodian Rashës

Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhtë as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tonë ja mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësinë po vetëm padrejtësi të tjera.

Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikes te mos manipulohen nga politika. Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mburrë popullin shqiptar. Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi. Por e drejta duhet te shkoje në vend në gjykate dhe ne e presim nga shteti ta garantoje drejtësinë, jo nga dhuna politike. Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe te mos i hedhin benzine zjarrit për interesin e tyre. Duam ti falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madh dhe ua shpërblefshim veç në gëzime! Të shkuara policit të plagosur dhe veç te mira pastë bashke me prindërit dhe familjen e tij.

 

———————-

E lexova përsëri deklaratën e shkurtër të babait të Klodian Rashës.

Ajo ishte e thjeshtë, burrërore, fisnike, deklaratë me zemër në dorë.

Askush prej nesh, askush prej politikës, askush prej atyre qindra të rinjve, me minorenët bashkë që po djegin Tiranën nuk e ka dhimbjen e tij e të familjes së Klodianit.

Për disa ditë me rradhë ai duroi derisa shpërtheu sepse po shikonte me dhimbje, se me emnin e djalit të tij, gjithandej, po shkatërroheshin objekte publike, të ndërtuara me paratë e shqiptarëve, po plagoseshin policë, po goditeshin të rinj e të reja e po arrestoheshin edhe minorenë, të cilët as që e dinin se përse ishin në protestë.

E të gjitha këto, po ndodhnin pak muaj para zgjedhjeve, tek të cilat nuk dihet a do të futen disa nga liderët e opozitës së sotme.

Laku është mbledhur shumë e për këta politikanë të anatemuar, shpëtimi shihet tek krizat e rënda politike, tek dhuna e shkatërrimi i pasurisë, tek prishja e imazhit të Shqipërisë…!

Në një vend të destabilizuar politikisht nuk mund të ketë të ardhme, nuk mund të jepet drejtësi dhe institucionet e reja do të asfiksohen qysh në lindje.

Kjo situatë e rëndë i shkon për shtat të gjithë atyre politikanëve shqiptarë që u futën në politikë me duar në xhepa dhe pa punuar kurrë në jetën e tyre, u bënë miliarderë.

Këtë gjë e kuptoi shpejt, babai i Klodianit të ndjerë, u distancua nga politika dhe e ndaloi publikisht, përdorimin e emrit të birit të vet.

Në një farë mënyre ra kauza, për të cilën po vazhdon protesta antiqeveritare.

A ka vend për të protestuar në Shqipëri, sigurisht që po.

Shumë gjëra mund të bëheshin më mirë, por opozita dhe të gjithë ne, nuk duhet të harrojmë kushtet shumë të rënda që u krijuan në Shqipëri gjatë këtyre dy viteve të fundit: TËRMETI DHE PANDEMIA COVID-19.

Protestat sigurisht që janë të ligjshme (nëse mirret leje në këtë kohë me COVID) dhe janë mjete të fuqishme paqësore e demokratike në duart e qytetarëve, por ato nuk duhet të jenë të dhunshme, ato nuk duhen përdorur për të shkatërruar pronën publike…!

Një protestë e heshtur qytetare me lule e qirinj në dorë, tek institucionet e qeverisë shqiptare do të bënte shumë më tepër efekt, tek populli e tek ndërkombëtarët.

Për fat të keq, në vend të saj u zgjodh dhuna e shkatërrimi i pakuptimtë, i pasurisë së përbashkët.

Duhet thënë troç, se nuk është e moralshme, që vdekja e KLODIT TË PAFAJSHËM, të përdoret për t’i shtruar rrugën opozitës, drejt pushtetit.

Kjo gjë ka ndodhur njëherë, me vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari dhe s’mund të ndodhë më.

Pas 30 viteve në pseudodemokraci, njerëzit e dinë mirë se ku fle lepuri.

Ata do të dinë të zgjedhin me kujdes se kujt duhet t’ia lënë në dorë Shqipërinë dhe fatin e fëmijëve të vet.

Kam shumë besim se këtë rradhë shqiptarët e kanë siguruar ndihmën e Shteteve Demokratike të Botës e kthesa e shumëpritur është tek pragu i derës…!

DASHAMIR URUÇI-USHC-TIRANË.

.

Please follow and like us: