Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir Gjika: XXVIII NËNTOR

Shqiptarët shikuan Europën t’i njihte një nga një në shtete më vehte popujt e siujdhesës Ballkane, e sicilin prej syresh të rëndojë mbi Shqipëriën, nisën të mendohen thellë dhe përnjimênd për shka i tirej Atdheut të Gjergj Kastriotit. U bindën atbotë se tepër fort qênkshin rrêjtur një palë shqiptarësh që rrëke rrëke e patën derdhur gjakun e kulluar të vetin për lirin e Greqiës; e u bindën edhe se Tyrqia as deshte me vërtet e as kish se qysh me e pritë mynxyrën që me vrap po turrej kaha lagjet e Dheut t’onë. Duheshin masa të rrepta për me e ndalë rrebeshin. Europa qe mbledhur në Kuvênd në Berlin e, me një çinizmë të padëgjuar, pat dekretue të çkëputeshin nga kurm’i Mëmëdheës e t’i u epshin Shtetevet të rinj të Ballkanit ngasra të tëra fjeshtë shqiptare. Shqiptarët u çuan e ngritën krye forra kundër paudhësiës europjane, tuj lidhë Besë. Qênë burra me fletë, i u paçim faën, të Parët tanë t’asokohe. Nga lëvizja e tyre lindi Lidhja e Prizrenit, të tre vjetët punim të gjallë kombëtar të së cilës kanë me pushtue faqen më të bukur të historiës së Përlindjes Shqiptare. Por athue se fuqia e e drejta shqiptare do t’a çvulosnin dot çka së bashku kishin vulosur në Kuvênd të Berlinit përfaqësonjësit e Europës, t’asaj Europe q’ishte Kali me krahë i të trië Perandorivet oligarqike  që patën bërë më të madhin kob kundër qytetërimit, copëtimin ndërmjet të Polloniës? Jo! Europa i a shtrëngoi kështu rripat, i a ckërmiti dhëmbët Stambollit pse s’i shtrëngonte Shqiptarët t’i falshin Malit të Zi e kundër qëndresës të papërkulëshme e kreshnike të këtyre të fundit s’u turpërua të dërgojë anijet e saj n’ujërat e Ulqinit e të Tivarit!

Le t’i a lemë tani pakëzë fjalën Poetit q’e këndon me melankonië të trishtimtë por me kryelartësië shqiptari atë ndodhië të zezë:

Po n’a thonë se Malit t’Zi

Pjeterburgu i’a dha fjalën

Me hi mbrenda në Shqyptarí

Turbull Drini kû rreh valën;

E veç m’kâmbë ushtrín ka çue

Ke Cetina Knjaz Nikolla

Malet t’ona me i pushtue

Kû i bân nâna djelmt sokola.

Shqiptarët i dhanë asisoj lëvizjes së tyre karakter ndërkombëtar e brênda e jashtë Shqipëriës i a filluan punës, ashtu sikundër s’kishin bërë pa ngjarë lufta ruse – tyrke. E pemët e veprimit tyre u dukën kur – tek  kazani po ziente në Ballkan, që më vonë do të pëlciste me luftën ballkane – tyrke e Shtetet ballkanas, të lidhur ndërmjet sa për të coptuar Shqipëriën, e cila i a pati krreur me pushkë  Qeveriës së Stambollit njoftimin e të 14 pikavet të njohura – Austro-Hungaria me Italiën i u duall zot të drejtavet të Kombit shqiptar në Kuvêndin e Londrës (1912-13) dhe prej Kuvêndit krryen ndërtimin e një Shteti shqiptar.

Më 28 Nëntor 1912 shqiptarët, të mbledhur në Vlorë nën kryesië t’Ismail Qemal Beut, ngrinin Flamurin kombëtar e ay shênj i shenjtë që për katërqint e ca vjet e kish shkretuar Vêndin me çdukjen e tija, dijl prap në shesht e, madhështor si qëmoti, fillonte me u tunt n’erë nëpër qytetet, katundet, fushat, malet e kodrat e Arbëriës jetike, tuj përhapë e tuj shtië gazin e shpresën nëpër gjindjet shqiptare. Qe mbushur një mrekullië e historiës. Europa më së fundi bënte, pas aqë kohe, vepër qytetnore.

Por atë çikëzë diell që shkrepi të ngrohë dhe të shkëlzejë lagjet e Shqipëriës, e zuri përnjëherësh reja. Të zeza ditë ka shkuar Vênd’i ynë që kur , pa e gëzuar dot mirë djellin e liriës, nisi të mos i vejë buza më gas. Sido na vate filli, prap flamuri valoi, po valon e do të valojë në Shqipërië.

Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit’e Përlindjes s’onë dhe ndër festat t’ona kombëtare âsht pra m’e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare.

Ne e pritëm, edhe sivjet, këtë ditë të shënuar, me atë brohorië dhe me atë dalldië që fuqia e shpirtit t’onë âsht e zonja të ndjenjë, të mbajtur gjithënjë, nga shpresa e nga besa, që janë për ne hyll’i karvanit se nuk do t’i mungojnë Atdheut ditë të bardha.

Rroftë Shqipëria!

KUVȆNDI Romë, e Enjte, 28 nëntor 1918.    

Sotir Gjika: 28 Vjesht’e Tretë 1912

 

Please follow and like us: