Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëri, dita e pestë e protestave për vdekjen e të riut

Në Shqipëri vazhdojnë në ditën e pestë radhazi protestat me tensione për vdekjen e të rit pas ndjekjes nga policia, pavarësisht thirrjeve të policisë ndaj protestuesve për t’u shpërndarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Situata është tensionuar pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit që marshuan në drejtim të Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, ku edhe janë ndaluar disa protestues nga forcat e policisë, ndërkohë janë shkaktuar probleme edhe në qarkullimin e automjeteve.

Në ditën e pestë, protestuesit fillimisht janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku janë përplasur me forcat e policisë pas thirrjeve që të shpërndahen për shkak të ndalimit të grumbullimeve masive në kuadër të masave kundër pandemisë COVID-19.

Me thirrjet “Drejtësi për Klodianin” dhe “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, qindra protestues kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku janë shënuar edhe incidente me dëmtimin e tabelave të reklamave dhe objekteve të tjera publike.

Një pjesë e protestuesve, kryesisht të rinj, janë ulur përtokë në bulevard, për t’u shpërndarë më pas në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe duke bërë thirrje edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me pankartat në duar me mbishkrimet “Policë gjithandej, drejtësi kurrkund” dhe “Edhe dhuna policore është një pandemi”, protestuesit kanë vazhduar marshimin e tyre në bulevard për t’u drejtuar edhe pranë selisë së Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt selisë vendore të Policisë së Tiranës, ku janë shënuar tensione dhe përplajse mes protestuesve dhe policisë.

Pasi protestuesit janë rikthyer në sheshin “Skënderbej”, policia përsëri ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka ndaluar disa protestues.

Pas dorëheqjes që dha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, protestuesit kërkojnë dorëheqjen edhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, si dhe reformimin e policisë.

Ashtu si në ditët e kaluara, protesta janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit, si në Lushnje dhe Sarandë.

Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Sipas autoriteteve të Shqipërisë, pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet dhe gjatë ndjekjes ai është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.

Ngjarja ku mbeti i vdekur i riu në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Për punonjësin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet se gjatë shërbimit ka qëlluar me armën e shërbimit të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg”.

Please follow and like us: