Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Arrestimi i vonuar i policëve trafikantë të Himarës

Gjithmonë e kam ditur që një ditë do të shkruaj për arrestimet masive në policinë e Himarës, duke filluar nga drejtuesit, si të implikuar në kultivim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. E vetmja gjë që nuk kisha parashikuar, ishte që kjo do të ndodhte kaq vonë.

Të paktën 4 vite më parë kisha denoncuar në një shkrim sesi në Porto Palermo ishte hapur një rrugë nga ku trafikantë droge, të ndihmuar nga policia e Himarës, transportonin mallin natën për ta dërguar në vendet fqinje. Më pas u zbulua se aty fikeshin radarët natën që trafiku të vijonte pa probleme. Mirëpo asokohe shefat e mëdhenj i mbanin fort vartësit e tyre dhe nuk ndodhi asgjë.

Më pas denoncimet e mia si qytetar i Himarës dhe si Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronës, Shtëpive dhe Historisë Himarë, kanë vijuar. Kam denoncuar me video rrahjen dhe gjakosjen e banorëve të Himarës brenda godinës së Bashkisë, rrahjen dhe dhunimin cnjerëzor të prindërve tanë teksa protestonin para godinës së Bashkisë për grabitjen e pronave nga mafia.

Kam denoncuar dhe paditur kërcënimin që më bënë ndërtues të hoteleve pa leje, sepse unë kisha mbrojtur banorët e zonës të cilëve po iu vidhej prona. Kam denoncuar sjelljen rrugacërore të Policisë Himarë teksa më prishën një aktivitet kulinarie në pronën time në Potam.

Kam denoncuar indiferencën e Policisë teksa bëheshin ndërtime pa leje duke më bllokuar hyrjen për në shtëpi etj etj.

Urrejtja e Policisë ndaj meje kishte vetëm një shpjegim, unë merresha me tregti të produkteve ushqimore dhe shkollim të të rinjve, nuk merresha me tregti droge!

Policia e kriminalizuar e Himarës, mendonte se do të ishte e paprekshme, sepse kishte marrë garanci nga lart. Por mendja e tyre e turbulluar nga tymi i hashashit, nuk e kishte parashikuar se vjen një ditë dhe shefat e mëdhenj të dorëzojnë drejt prangave. Kjo ndodhi dy ditë më parë si pasojë e një hetimi që Prokuroria kishte filluar para një muaji, ndonëse krimi kishte vite që ndodhte para syve tanë.

Shpresoj që dënimi I tyre të vijojë me sekuestrim të pasurisë të vënë nga aktivitete kriminale sepse ata sot janë pronarë vilash dhe biznesesh dhe për aq para sa kanë fituar, nuk e kanë problem të bëjnë edhe ndonjë vit burg.

Pjesa e policise së kriminalizuar në Himarë dhe kudo tjetër në Shqipëri, është një turp i madh, njerëz që paguhen me taksat tona për të na shërbyer, por që në fakt i kanë shërbyer vetëm parcelave të hashashit.

Nëse Policia e Shtetit pastrohet nga kriminelët, ata që do vijnë më pas, nuk do guxojnë të abuzojnë me detyrën. Shpresoj shumë në drejtësinë e vonuar!

 

https://www.facebook.com/nikollaq.neranxi/posts/10217621284937745

Please follow and like us: