Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Skënderas: Fundviti…

Ese

Pikërisht ajo periudhë e 365 ditëve, që ishte qershia mbi tortë e që i bënte vitet e fëmijërisë të mbushur me ngrohtësinë e festave edhe shkëlqimin e dritave. Dhjetori, ai që për mua e për shumë të tjerë me të cilët kam ndarë fëmijërinë, ishte periudha më e buzëqeshur e vitit.

Pavarësisht moshës, çdo vit kur troket Dhjetori, diku strukur aty mes viteve, rikthehet përsëri fëmija tek unë me po të njëjtën buzëqeshje që i përshkron fytyrën e me po të njëjtët sy të lumtur.

Më kujtohet mirë e njëjta panoramë që përsëritej çdo vit e pas çdo here dukej se e bënte Dhjetorin edhe më të lumtur. Derisa erdhi një fundvit i caktuar kur magjia e festave thuajse humbi me numrin e viteve që shtoheshin edhe i bëri dritat që mbushnin rrugët edhe më të zbehta. Ndaluan kartolinat shumëngjyrëshe me klasiken “paç fat” te pulla. Ndaluan shiritat shumëngjyrësh dhe dritat vezulluese. U zhdukën zhurmat e fishekzjarreve në rrugët e lagjes edhe shtëpia ndaloi së dhuruari atë aromën e gjalpit të biskotave dhe bakllavasë. E për inat, dëbora që mbulonte për muaj të tërë kalldrëmet e Korçës, vendosi të mos binte. Mbeti vetem diçka në gjithë humbëtirën ku u zhduk ngrohtësia e festave. Unë, fëmija që ende qëndronte e kapur pas kujtimeve të fundvitit.

Më kujtohet mjaft mirë si flladi i ftohtë i erës që zbriste nga veriu, mbështillte mbrëmjet, ndërsa zjarri i oxhakut bubullinte. Ja ky ishte sinjali i parë, që e bënte time gjyshe të bindej se gjatë natës do të binte borë. Ndërsa unë, unë fëmija i lumtur, hidhej përpjetë nga gëzimi duke ëndërruar për plakun e borës që do të bënte të nesërmen e me këto ëndërrime më merrte gjumi në kanapene pranë zjarrit. Të nesërmen më zgjonte zëri i ëmbël i sime mëje që më jepte lajmin e gëzuar. ManteIi i bardhë kishte mbuluar rrugët, tokën, pemët e kopshtit edhe parvazin e dritare sime për ku vrapoja ashtu këmbëzbathur ta shihja. Buzëqeshja më mbulonte fytyrën, paçka se këmbët më ngrinin së ftohti. Kudo kishte borë edhe fëmijë të gëzuar që vraponin, të ndjekur nga zëri i shqetësuar i nënave se mos rrëzoheshin gjëkundi. Ndërsa trumcakët endeshin në ballkon në kërkim të thërrimeve.

Atëhere unë vrapoja të gjeja shallin edhe dorezat edhe të humbisja në kodrat pranë shtëpisë gjithë ditën. Derisa pasditja të më kthente në shtëpi, jo nga lodhja e as nga mërzia, po vetëm sepse stomaku fillonte orkestrimet për të më thënë që kisha uri. Me faqet e skuqura edhe hundën që dukej gati-gati e ngrirë, e bërë qull nga koka te kembet, hyja triumfuese në shtëpi pas një ndeshje me topa bore me shokët e lagjes, ku mundësitë për t’u qëlluar në fytyrë apo kokë, ishin jashtëzakonisht të larta. Por, hej, ishte qejf! Pastaj më prisnin dy gjëra, tërheqja e veshit nga ime më, me frikën se do të ftohesha edhe pjata e ngrohtë me supë.

Të nesërmen, kur mëngjesi vinte edhe bashkë me të dita e mësimit, rruga për në shkollë kthehej në një pistë gjigande patinazhi e ne garonim me njeri-tjetrin kush mund të rrëshkiste më shumë. Pastaj klasa kthehej në një vend ku ne shkëmbenim kartolinat, për të cilat kishim kursyer gjithë mbrëmjen t’i shkruanim. Kudo gjeje një poezi edhe një “paç fat”. Mbase nuk ishin dhurata të vërteta, por padyshim ishin urime që buronin nga zemra. E kështu mbyllej dita e fundit e shkollës. Secili nga ne kishte ruajtur veshjet më të mira për atë ditë, kartolinat me muzikë të Krishtlindjeve për mësuesit, edhe përqafime për shokët e klasës. E për ta mbyllur, na priste kurdoherë një koncert si urim për fundvit. Pastaj unë largohesha në shtëpi, pa detyra edhe shkollë për 2 javë, vetëm unë, dëbora, përrallat e preferuara edhe familja ime. Pasditet im atë mi mbushte me lumturi. Më ndërtonte kurdoherë pleq dëbore që e kalonin dyfish gjatësinë time. Pastaj unë ashtu vjedhurazi, u vendosja një kapele dimri nga të miat, një karrotë të rrëmbyer nga duart e mamit kur gatuante edhe thëngjij që ime gjyshe i kishte gjetur për mua. Pastaj im vëlla shtriqej t’i vendoste shallin e vet. E kështu rojtari i kështjellës sime të dimrit (sikurse unë e quaja shtëpinë tonë), ishte gati për ta mbrojtur gjithë dimrin.

E ashtu, kur ktheheshim me duar të ngrira e luftonim me qirinjtë e akullit që vareshin nga çatia, shtëpia ishte mbështjellë nga aromë e ëmbël e bakllavasë që do i bënte dhjetorët e fëmijërisë sime aq të paharrueshëm. Lagjia mbështillej nga të qeshurat e moshatarëve të mi që rrëshkisnin në akull, nga zhurmat e fishekzjarreve edhe zogjtë që na ndiqnin mes borës, nga dritat e varura në muret e shtëpive, bredhat e mbuluar nga akulli, tymi i oxhakut edhe biskotat me gjalpë.

Të gjitha më mungojnë së tepërmi, po më tepër më mungon ngrohtësia që festat po e humbin me kalimin e kohës, sado që Laura fëmijë ende vazhdon ta mbajë shikim te dritarja në pritje të borës…

Please follow and like us: