Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Ja pse ka të drejtë Edi Rama kur tallet me biznesmenët!

Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarja nëse do falen gjobat dhe kamatvonesat e vendosura ndaj biznesit gjatë kohës së karantinës, u përgjigj se nuk u bë deti kos!!! Madje këtë përgjigje ai ja jepte atyre 3-4 biznesmenëve që i japin zë në media, halleve të biznesit.

Meqë tek ata 3-4, njeri prej tyre jam unë, atë përgjigje e dha pra për ne “problematikët” që ngrejmë zërin për problemet tona dhe jo për 297 sipërmarrësit e tjerë VIP të cilët nuk kanë asnjë ankesë ndaj qeverisë Rama. Ata së bashku me mbi 22000 sipërmarrës të biznesit të madh, nuk u ngritën në lartësinë e vizionit që patën për të bërë biznes, që të rrinë përballë kësaj qeverie me dinjitet dhe të mos e lejojnë që t’i nëpërkëmbë një kryeministër i përkohshëm, sipërmarrësit e përhershëm.

Unë e kuptoj se disa prej tyre nuk e bëjnë dot, sepse marrin para publike dhe nuk ju bëhet vonë për gjobat dhe kamatvonesat e qeverisë në kohë pandemie. Ka të tjerë të cilët punojnë me paratë e korrupsionit të politikanëve dhe funksionarëve publikë hajdutë. Ka të tjerë akoma të cilët kanë frikë të reagojnë, sepse janë kapur diku, dikur, në gabim dhe janë të shantazhueshëm.

Por ama, pjesa tjetër, e cila është shumica, përse duhet të rrijë indiferente ndaj problemeve që na krijon qeveria, më shumë se sa pandemia?

Vetë Rama e dha përgjigjen, flasin vetëm 3-4 vetë, prandaj unë nuk ju marr seriozisht. Vetë Rama na tregoi mënyrën se si kërkohen të drejtat tona, ato kërkohen kur bëhemi shumë dhe jemi të organizuar.

A e kuptojnë këta sipërmarrës, se të bashkuar janë më të fortë se çdo qeveri, edhe autokrate qoftë ajo?

Pra në këto kushte, lerini shkresat drejtuar ministres së financave, por të bashkohemi e t’i flasim Edi Ramës me gjuhën e tij, t’i themi se nuk u bë deti kos që të tallesh me njerëzit që mbajnë ekonominë e vendit dhe punësojnë njerëz. Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, atëhere të organizohemi në protesta ku të kërkojmë largimin e kësaj qeverie dhe kur organizohet biznesi, bashkë me ata qindra mijëra të punësuar, disa prej të cilëve jemi të detyruar t’i largojmë nga puna për ditë për fajin e Edi Ramës, çdo qeveri bie.

Një rrugë tjetër është edhe ajo ligjore! T’i vësh gjoba biznesit në kohë pandemie, është e jashtëligjshme dhe antikushtetuese! Ne mund ta padisim qeverinë Rama deri në Strasburg për këtë padrejtësi që po i bën biznesit. Nëse lexoni mediat e huaja, gjen raste të ngjashme në botë. Pra kemi mundësira plot!

Përndryshe rrini të strukur në zyrat tuaja, përdhunohuni sistematikisht nga Rama dhe numëroni për ditë kolegët tuaj që falimentojnë, deri sa t’i vijë rradha secilit prej jush.

Ndiqni linkun:

https://www.facebook.com/1047251676/videos/10217630513328449/

 

 

Please follow and like us: