Albspirit

Media/News/Publishing

Evolucioni i fuqive të mëdha

Nga George Friedman

Nëse nënvlerësohen ndryshimet gjeopolitike që ndodhin sot në botë, evolucioni i fuqisë ushtarake, është një nga ndryshimet më të rëndësishme. Gjatë gjithë shekullit XX-të, fuqia ushtarake ishte një atribut i kombeve të mëdha. Makineritë dominonin në fushën e betejës, dhe prodhimi i këtyre makinerive, materialet që i furnizonin ato, por edhe mjetet që përdornin, kërkonin pasjen e fabrikave komplekse dhe sasi të mëdha lëndësh të para.

Nga ana tjetër, kjo kërkonte një numër të madh punëtorësh, strehimin dhe ushqimin e këtyre të fundit. Një ekonomi e kësaj shkalle duhej të prodhonte një numër të madh anijesh, avionësh, tankesh, dhe çdo lloj produkti tjetër që nevojitet në kohë lufte, edhe pse ato kërkonin një ekonomi funksionale jashtë ekonomisë së kohës së luftës, duke siguruar nevojat themelore të jetës, dhe në mënyrë ideale edhe ruajtjen e moralit kombëtar.

Fushat e betejës janë “vrimat e zeza” të konsumit. Çdo komb mund të ndërtojë një avion ose tank. Apo të dërgojë një njeri drejt vdekjes në front. Por historikisht luftërat janë fituar nga kombet që patën mundësi të ndërtonin një numër të madh avionësh dhe tankesh, dhe t`i zëvendësonin ato që ishin shkatërruar nga armiku.

Për të mos përmendur rimbushjen e fluksit të qëndrueshëm të ushtarëve të vdekur. Kombet e vogla nuk mund të përfshiheshin në luftë me intensitet të lartë, pasi mungonin burimet për ta bërë këtë. Prandaj përkufizimi i një fuqie të madhe, ishte ai i një vendi me një popullsi të madhe, me një sistem bujqësor që e ushqente atë, dhe me burime minerare që mund ta armatosnin.

Duke pasur parasysh numrin e vdekjeve dhe dëmeve që mund të shkaktonte armiku, çelësi i fuqisë ushtarake ishte madhësia e popullsisë dhe burimet e saj. Po ashtu ai duhet të ishte gjeografikisht i madh, me burime të shpërndara në mënyrë të tillë që një fitore e armikut në një rajon të mos nënkuptonte një fitore në të gjitha rajonet.

Ndërkohë, kombet e suksesshme në kohë lufte, kishin nevojë për një ekspertizë teknike. Avionët, anijet luftarake dhe tanket duhej të planifikoheshin dhe ndërtoheshin. Ndërsa modelet ekzistuese kishin nevojë për përmirësime të vazhdueshme në përgjigje të evolucioneve teknike që kishte arritur armiku.

Kjo do të thoshte se fuqitë e mëdha kishin një numër të madh teknikësh. Pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kishin potencialin të zhvillonin luftëra si fuqi të mëdha. (Më vonë iu bashkua Kina.) Para luftës, fuqitë më të vogla, si Gjermania, Britania e Madhe, Franca ose Japonia, mund të konsideroheshin gjithashtu fuqi të mëdha.

Por në fund, ato ose humbën ose morën pjesë në luftë në kuadrin e një një aleance. Vitet që pasuan sollën një evolucion të madh të teknologjisë luftarake. Dikur ishte e nevojshme të çohej një tank 40 tonësh mbi 3000 km larg për të shpërndarë 20 ose 25 kg eksploziv drejt pozicioneve armike.

Sulmi i parë bombardues britanik, ishte aq i pasaktë sa gjermanët nuk mund të kuptonin se cili ishte në fakt objektivi i tyre. Anijet nuk mund të shihnin më larg sesa horizonti, ku mund të fshihej një flotë armike. Avionët specialë ishin ata që mund të jepnin të dhëna më të sakta. Paradoksalisht, sa më primitiv të ishte sistemi, aq më shumë burime kërkoheshin për ta mbajtur atë në punë.

Sa më i vetëdijshëm për mjedisin e tij dhe sa më i saktë të jetë udhëzimi, aq më të vogla janë gabimet. Për shembull, një satelit mund të sigurojë vendndodhjen e një armiku, dhe sistemet e automatizuara të udhëzimit të brendshëm mbi municionet mund ta godasin saktësisht. Sot ka satelitë të rinj që i përkasin një gjenerate të re.

Për shkak të saktësisë, një forcë ushtarake ka nevojë për më pak municione. Përqendrimi i fuqisë punëtore kalon nga fusha e betejës aktive, në menaxhimin e të dhënave të inteligjencës dhe teknologjive. Lufta nuk kërkon më shumë trupa, dhe as kërkon konsum masiv të lëndës së parë.

Dhe kjo gjë sjell pasoja gjeopolitike të rëndësishme. Vendet e vogla, dhe madje shumë të vogla mund të bëjnë luftë, sidomos kundër modeleve të vjetra ushtarake që nuk kanë saktësinë dhe shtrirjen e grupimit të ri të vendeve. Këto vende të vogla kalojnë nga hapësira, tek varësia nga koha. Dikur sa më shumë hapësirë kishte një vend, aq më shumë hapësirë kishte për t’u shpërndarë. Në modelin e ri të luftës, sa më shumë kohë të kenë për të reaguar ndaj rreziqeve, aq më efektive janë ato. Nuk është një evolucion i vetëm, por më shumë një mori evolucionesh, nga inteligjenca e bazuar tek hapësira, tek armët automatike shumë më të sakta dhe me rreze të gjatë, deri tek sistemet e automatizuara kundër raketave.

Këtë evolucion mund ta shohim më qartë në Izrael. E themeluar fillimisht me armët franceze dhe më pas ato amerikane, ushtria izraelite ka sot aftësi të shtuara, që si për ironi mund t’ua shesë ato të tjerëve. Ato janë të dizajnuara rreth parimit se vënia e trupave në rrezik është një ngjarje e mundshme, por e rrallë, ndërsa përdor avionët pa pilot si elementin dominues të strategjisë së saj.

Përveç Izraelit një strategji e tillë por përdoret edhe nga vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori. Për pasojë, secila prej tyre ka fuqi politike ndërkombëtare shumë më tepër se çfarë mund të pritej prej tyre gjatë epokës së mëparshme. Teknologjitë e reja u japin mundësi fuqive të vogla që të angazhojnë fuqi shumë më të mëdha.

Thelbi i forcës janë teknologët që mirëmbajnë dhe përmirësojnë sistemet, një pjesë e fuqisë punëtore e nevojshme sipas përkufizimit të vjetër të fuqive të mëdha. Sigurisht, ushtritë me njerëz mbeten ende të domosdoshme. Por kalimi tek një mënyrë e re e të menduarit, po funksionon shumë mirë. Izraeli ka një ndikim të jashtëzakonshëm rajonal, por teknologjia e tij nuk mund të mbrohet plotësisht kundër një force masive nga fuqia e madhe e epokës së fundit.

Ruajtja e një kulture gjatë procesit të krijimit të kulturave të reja, shkakton kriza midis kulturave, dhe brenda buxheteve kombëtare. Teknologjia e re është gati të nisë të funksionojë, por në vetvete nuk është ende e provuar. Megjithatë, evolucioni është në zhvillim e sipër, dhe kjo do tëthotë se duhet të ndryshojë përkufizimi i fuqisë së madhe.

Rusia priste që ta mposhtte Ukrainën me armët e vjetra. Kjo nuk ka ndodhur, të paktën jo ende. Rusia duhet të zhvillojë ushtrinë e saj. Kështu do të bëjnë edhe fuqitë e tjera të mëdha, nëse dëshirojnë të kenë forca efektive. Nuk ka asnjë arsye të qenësishme sesi të mos evoluojnë, por madhësia e tyre nuk është më vendimtare. Kombet më të vogla mund të bëhen fuqi të mëdha vendimtare, madje edhe të rrezikshme.

Shënim: George Friedman, është një parashikues dhe strateg gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht për çështjet ndërkombëtare. Themelues dhe drejtues i “Geopolitical Futures”. / Geopolitical Futures” – Bota.al

Please follow and like us: