“Visar Kuçi Trio” promovon albumin e tyre të ri të titulluar “Departures”
Më datën 22 dhjetor, 2020, në ora 17:00, “Visar Kuçi Trio” promovon albumin e tyre të ri të titulluar “Departures”. Me këtë rast do të mbahet një koncert promovues në “Kino Armata”, në Prishtinë. Ky event do të realizohet duke respektuar të gjitha masat e parandalimit të përhapjes së virusit Sars-COV-2, duke u bazuar në manualin e Ministrisë së Shëndetësisë. Albumi dhe koncerti janë të mbështetura nga Komuna e Prishtinës dhe Kino Armata.
“Visar Kuçi Trio” u formua ne vitin 2013 nga:
Visar Kuçi në kitarë,
Enver Muhamedi në kontrabas dhe
Enes Bajramliqi në tupana.
Ne vitin 2013, ata debutuan në “Prishtina Jazz Fest”. Pas asaj, trioja ishte aktive duke marrë pjesë në shumë organizime të ndryshme të jazz skenës së Kosovës si dhe asaj ndërkombëtare.
Në vitin 2017, ata publikuan albumin e tyre të parë të titulluar “Modern Waves”.
Në nëntor të vitit 2019, ata patën dy koncerte në Stamboll të Turqisë. Gjatë qëndrimit në Stamboll, incizuan studio albumin e tyre të dytë, të titulluar “Departures”.
Albumi ishte paraparë të publikohej në qershor të këtij viti, mirëpo për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, finalizimi i tij u bë në fund të nëntorit, pra një vit pas audio incizimit.
Albumi u incizua në “Hayyam Studio”, në Stamboll, në nëntor të vitit 2019.
Albumi “Departures” përmban tetë krijime të reja të kompozuara nga Visar Kuçi, përveç këngës “Departures”, (emrin e së cilës e mban ky album) që është kompozuar nga Enver Muhamedi dhe Visar Kuçi.
Albumi i takon zhanrit “Modern Jazz” dhe është një përfaqësim i shumë stileve apo nën-zhanreve të muzikës jazz. Kryesisht ka karakter minimal me tema të shtrira që krijojnë hapësirë meditative për dëgjuesin.
Dizajni i mbështjellësit u punua nga Nita Salihu – Hoxha dhe është përfaqësim i drejtpërdrejtë i konceptit muzikor që ka ky album.
Audio miksimi dhe masterizimi u bë në Prishtinë, nga Tomor Kuçi.
“Departures”, në gjuhën shqipe, në terminologjinë e fluturimeve, përkthehet si “Nisjet”, mirëpo ka edhe kuptime të tjera si: largim ose shmangie. “Departures” (Nisjet) gjatë këtij viti ishin pothuajse plotësisht të ndaluara për të gjithë, gjë që e bën krijimin muzikor të hapësirave të reja nga trio edhe më domethënës.
Albumi do të printohet në një numër të kufizuar në formë të CD-së, mirëpo forma kryesore e distribuimit do të jetë në platformën digjitale për muzikë, “Spotify”.
Albumi i Visar Kuçi Trio-s, “Departures”, është dedikim për Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve dhe njëherit, adhuruesëve më të mëdhenj të trios, i cili para një viti na la fizikisht, për të mbetur përgjithmonë në kujtimet dhe muzikën e trios.
Këtu mund të gjeni linkun e promo videos për koncertin e trios: https://youtu.be/xALRlHn_1vk