“Qilimi i Apolonisë”, një mrekulli e papërsëritshme
“Qilimi i Apolonisë” është një mrekulli që nuk duhet mbajtur e fshehur, deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ajo u shpreh se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij. “Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar mban një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore. Bëhet fjalë për “Qilimin e Apolonisë”, këtij mozaiku të rrallë, i cili duhet të jetë i vizitueshëm për publikun”, theksoi Margariti. “Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për evidentimin e patologjive dhe hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij”, u shpreh Margariti.