Albspirit

Media/News/Publishing

Shmangu zonjën Vjosa Osmani nga një detyrim familjar apo nuk e di Protokolli i Kuvendit se ekziston varri i Sulejman Vuçitërnës?

Eden Babani, Bruksel

Gjatë ditëve të vizitës në Tiranë, zonja Vjosa Osmani u ka kërkuar autoriteteve shtetërore t’i mundësonin një vizitë te varri i xhaxhait të nënës së saj, Sulejman Vuçitërna, “Martir i Demokracisë”. Zyra e Protokollit e Kuvendit të Shqipërisë iu përgjigj se ai nuk kishte varr, se ishte varrosur në kënetën e Maliqit dhe se eshtrat nuk i janë gjetur.

S’ma do mendja që Protokolli t’ia ketë futur kuturu. Kuvendi i sotëm është rudiment i kuvendeve të kahershme, i atyre të para-viteve ’90 të shekullit të shkuar dhe, për pasojë, në të njëjtën linjë ideologjike. S’ka sesi të ndodhë ndryshe kur Kryetar i tij, numri dy në rangun e administratës sonë shtetërore, është Gramoz Ruçi, ministri i fundit i diktaturës komuniste.

Që eshtrat e kolonel Sulejman Vuçitërnës nuk janë gjetur, kjo është më se e vërtetë. Atdhetarin kosovar e groposën në baltovinat e Maliqit policët xhahilë të komanduar nga krimineli Tasi Marko, drejtor i burgut plot me skllevër që punonin për tharjen e kënetës. Ama është po aq e vërtetë se, në varrezat, e Durrësit, ekziston një varr, – virtual, do të thosha, – si mijëra varre të tjera virtuale anekënd Shqipërisë, në të cilat janë rivarrosur mbeturina të pushkatuarish ose të vdekurish burgjeve të diktaturës komuniste. Ato kanë një emër dhe një pllakë ku mund të vihet edhe një tufë kulesh.

* * *

Gjatë viteve 1993 – 1996, – së pari si kryeredaktor i gazetës “Liria” e më pas, kur u nda Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikën, i gazetave “Për Mëmëdhenë” dhe “LiriaA”, – kam qenë dëshmitar i mjaft rivarrimeve. Përsëriteshin thuajse çdo javë, sa në Veri, aq edhe në Jug. Sa në Lindje, në Perëndim. Sa në Malësi, aq në Jalli. Arkivole të vogla, me një grusht dheu brenda, e shumta me dy a tri kocka që ende nuk i kishin brejtur krimbat. Kam qenë dëshmitar edhe i një arkivoli vetëm me një kafkë, mjekër dhe një palë syze. Madje, edhe i një tjetri me një kafkë që kishte rrëshqitur poshtë varrit të përbashkët, por që s’dihet e kujt ishte, sepse dilte e tepërt. Mjekrën dhe syzet i njohën të afërmit e një shehu të ekzekutuar në Përroin e Barçit, në periferi të Korçës, kurse kafka u varros pa emër. Më mirë ashtu, sesa ta hanin krimbat. Dikush do të vinte një lule edhe në varrin e të paemrit.

Sa herë u kthehem rivarrimeve të atëhershme, aq herë më kujtohen njerëz të pikëlluar me arkivole të vogla në duar. Ishin pasardhësit e familjarëve të pushkatuar, “armiq të popullit”. Po si i mbanin, pa! Si me pas qenë foshnja të brishta që mund t’u merrte jetën pakujdesia më e vogël.

Asohere, etapat e rivarrimit ndiqnin njëra-tjetrën me rritëm të rëndomtë. Në fillim fjala e organizatorëve dhe lotët e të mbijetuarve. Më pas rivarrimi me kurora e me lule. Në fund relaksimi i shpirtrave.

Ky ishte edhe thelbi i rivarrimeve, relaksimi. Pa salltanete, por me të gjitha nderimet e mundshme.

Relaksimin, e kam provuar vetë në verën e vitit 1993, kur u varros për herë të tretë dhe të fundit në varrezat e Korçës gjyshi im, Mehmet Babani, vrarë edhe ai më 1948 në Përroin e Barçit. Një grusht eshtrash dhe kacia e vënë si shenjë nga një çobankë që kulloste dhinë andejpari dhe që e kishte njohur tim gjysh, ishin rilindja e tij. Kaq, vetëm kaq. Ama ne, pasardhësit e tij dhe ata që do të vijnë pas nesh, kanë ku vendosin qoftë edhe një trëndafil.

* * *

Në kërkim të vendndodhjes së mundshme të aktit kriminal ndaj Sulejman Vuçitërnës, kam marrë pjesë drejtpërdrejt, përkrah të birit, të ndjerit Bardhyl, shok i rinisë sime të parë, njëherësh edhe i shërbimit ushtarak në repartin e punës 5310, Vorë.

Vjeshtën e vitit 1994, Bardhyli, unë dhe miku im i ndjerë, gazetari Kostaq Xoxa, u vumë në kërkim të vendndodhjes së mundshme të krimit. Nuk kishim shpresë se mund të gjenim xheç. Synonim vetëm t’i afroheshim sa më pranë vendndodhjes. Për këtë qëllim, iu drejtova policisë së Korçës. Ajo ngarkoi të njëjtin oficer, me të cilin isha njohur qysh se patëm zbuluar varrin e gjyshit tim, si edhe gropën ku u gjendën kafka, mjekra dhe syzet e Shehut.

Oficeri i policisë me prejardhje nga Cangonji, të cilit, për fat të keq, s’po ia kujtoj emrin, – madje s’ia gjeta dot sado që kërkova në arkivin e dokumenteve të mia, – kishte pyetur paraprakisht Skënder Stefanllarin dhe Sezai Garon, dy dëshmitarë të ngjarjes, dy nga të mbijetuarit e asaj skëterre. Sipas të dhënave që kishte siguruar ai, shëtitëm me orë të tëra poshtë e lart fermës së Vloçishtit, produkt i tharjes së Kënetës së Maliqit, në kërkim të argjinaturës ku, siç kujtonin Garo dhe Stefanllari, i ndjeri preu këmbën me bel në punë e sipër dhe u shtri përtokë. Aty xhahilët e Tasi Markos e shtynë në baltën e kënetës dhe e zhytën brenda për të mos dalë kurrë më.

I ramë në të vendit nga ca mbeturina të argjinaturës. Hodhëm secili nga një grusht dheu në një kuti dhe u ndamë me cangonjarin, i cili na tha se kishte vendosur të shkëmbente uniformën e policit, me atë të klerikut. Do të bëhej Sheh Halveti në Teqenë e Cangonjit, sipas traditës familjare. I burgosur politik pa qenë politikan, por besimtar, s’ mund të dyzohej mes varreve të humbura, – një realitet, – dhe misticizmit që gjallon përtej kësaj bote.

* * *

Ceremonia e rivarrimit të “Martirit të Demokracisë”, u bë në mjediset e Pallatit Aleksandër Moisiu në Durrës, më 19 nëntor 1994, ku, përveç të tjerëve, foli edhe Hirësia e Tij Hafëz Sabri Koçi.

Ja pra që ekziston një varr sa virtual, aq edhe jo virtual. Është varri i përbashkët i Sulejman dhe Faika Vuçitërnës. Ai ndodhet në varrezat e Durrësit.

A thua të mos ketë ditur kaq gjë Protokolli i Kuvendit për një “Martir të Demokracisë”? Nëse vërtet s’e ka ditur, – çka nuk e përjashtoj, – nuk mund të gjendej një nga pasardhësit. Shumë syresh janë ende gjallë dhe s’ ka sesi ta kenë harruar të mallkuarën “luftë e klasave”. Bujar Sulejman Vuçitërna u internua familjarisht në Patk-Milot të Kavajës, sepse e bija adoleshente, Vojsava, paskësh shfaqur mendime armiqësore për të helmuar ndërgjegjen e shokëve dhe të shoqeve të saj. Gazeta Bashkimi e 12 qershorit 1968, shkruan: “Pionierët u treguan vigjilentë… duke kërkuar shkaqet dhe duke e parë këtë si aspekt të luftës së klasave”.

Në mos te varrezat e Durrësit, Vojsava ose ndonjë nga familjarët e tjerë do ta kishin  drejtuar zonjën Vjosa Osmani së paku te varrezat e Sharrës, në Tiranë, ku dergjet përjetësisht Bardhyl Vuçitërna.

Please follow and like us: