Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: LDK e Rugovës, e para parti që përqafoi vlerat perëndimore

Para 31 vjetëve, në rrethana shumë të rënda shoqërore e politike, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë në Europën Juglindore që përqafoi demokracinë dhe vlerat perëndimore dhe shpejt u bë shandan drite për kahet e zhvillimeve kulturore e politike në Kosovë dhe me gjerë.
Ibrahim Rugova, themeluesi dhe prijësi i LDK-së dhe i Kosovës, gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike e institucionale udhëhiqej nga parime dhe vlera sublime. Ai e dinte mirë se nuk ka politikë pa kulturë, ndaj e vendosi kulturën si postulat themelor në epiqendër të ideve dhe veprimeve të tij politike. Dhe bashkë me një çetë shkrimtarësh e intelektualësh mendjedritur, demaskoi bllokadën dhe regjimin barbar serb, dhe bëri që bota demokratike ta përqafonte në gjirin e vet popullin e vuajtur shqiptar; duke e marrë në mbrojtje, duke e çliruar dhe pavarësuar nga shtypja dhe regjimi serb.
Kosova sot është në turbullira të rrezikshme politike dhe si në ato vitet e ankthshme të 90- tave, kur ra muri i Berlinit dhe muri ndërshqiptar, kudo ndjehet nevoja e rikthimit të frymës së Rugovës, jo për hir të LDK- së, por për hir të ekzistencës së shtetit të Kosovës, sepse liria dhe pavarësia jonë janë të lidhura organikisht me këtë frymë.
Kosova, për shkak të rrethanave në të cilat ka ekzistuar gjatë gjithë shekullit të kaluar, nuk ka trashëguar ndonjë traditë në punët e politikës e të shtetit. Trashëgimia osmane e përshkuar më vonë nga trashëgimisë komuniste, kanë vyshkur idenë për shtetin. Kjo trashëgimi i keqe u sfidua nga shkolla madhështore e dashurisë për vendin që mbolli Ibrahim Rugovës, që kudo shkonte shpaloste vizionin e tij, duke afirmuar vlerat më fisnike nacionale dhe duke qenë i vërtetë deri në fund.
Rugova kurrë nuk gulçonte, nuk urrente, nuk përbuzte askë e nuk merrej me ata që gjuanin gurë mbi të, por i respektonte të gjithë, edhe kundërshtarët e ashpër, sepse ai kishte ide të mëdha dhe vizion të qartë.
Kundër LDK- së janë gjuajtur e gjuhën pandërprerë gurë, sepse ajo ka përfaqësuar dhe afirmuar vlerat më fisnike shqiptare, nuk është rrekur të merret me tema universale e proletare, por me thelbin e ekzistencës shqiptare, prandaj është bërë halë në sy për universalistët e kulturës së proletariatit, për ata që më shumë e duan të huajën se të veten.
Prandaj, trashëgimia politike e LDK- së – sot dhe nesër – mbetet kapitali më i madh politik që ka Kosova dhe një bazament i shëndoshë për të ndërtuar Kosovën e sotme dhe të nesërme.
Përkundër dobësive që e kanë karakterizuar viteve të fundit LDK-në, për shkak të sulmeve brutale që i janë bërë e i bëhen, humbjes së liderit, fryma e saj është fryma e Kosovës dhe ajo do të rritet, sepse përfaqëson më së miri të vërtetën e Kosovës.
Please follow and like us: