Një hall i madh diplomatik, përse e shtyu Lavrov tri herë vizitën e tij në Serbi, çfarë lidhje ka kjo me Kosovën dhe zgjedhjet në SHBA
Shaban Murati
Tre herë e shtyu vizitën e tij në Serbi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, duke pritur sa të mbaronin zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe të konfirmohej se kush do të ishte presidenti i ri amerikan. Zgjedhja e Xho Bajdenit në Shtëpinë e Bardhë e detyroi ministrin e jashtëm rus që të fluturonte në Beograd në datën 15 dhjetor për të shtrënguar më fort zinxhirët e Serbisë pas lokomotivës ruse.
Lavrovin në Beograd e solli Xho Bajdeni dhe alarmi i ri rus për Kosovën dhe jo ndonjë çeshtje tjetër, sepse jo larg por në 18 qershor ai ishte për vizitë në Beograd. Kushdo e kupton se një hall i madh diplomatik e solli përsëri, sepse ministri i jashtëm i një fuqie botërore si Rusia nuk ka aq shumë kohë të lirë sa të bëjë brenda gjashtë muajve dy vizita në një shtet të vogël si Serbia.
Alarmi i ri rus lidhet me strategjinë dhe ambicjet e Moskës në gadishullin e Ballkanit në rrethanat e reja pas zgjedhjeve në Amerikë, dhe karta e vetme ruse e rritjes së influencës nëpërmjet tensionit është Kosova ose me saktë çeshtja e njohjes së Kosovës nga Serbia. Ndaj diplomacia ruse shpërtheu në një yrysh diplomatik drejt Serbisë dhe po vepron me shpejtësi që të mos zgjidhet çeshtja e njohjes së Kosovës, por marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës të mbeten konflikt i ngrirë.
Zgjedhja e presidentit të ri amerikan Bajden e ka shqetësuar Moskën me perspektivën e rritjes së mundësive të angazhimit më të madh të administratës së re amerikane për të detyruar Serbinë të njohë Kosovën. Edhe Moska, edhe Beogradi e dinë se Xho Bajden nuk është biznesmen dhe nuk i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme si një biznes. Ai është një shtetar, diplomat dhe strategjist me përvojë shumë të madhe institucionale, që realizon interesat amerikane në optikën e aleancave të konfirmuara si NATO dhe që njeh thellë gjeopolitikat globale dhe rajonale tradicionale amerikane.
Gazeta ruse “eadaily” shkruante në 17 dhjetor: “Në Beograd nuk ushqejnë iluzione: Bajden nuk do të vazhdojë “romantikën” e Trumpit, dhe ministri i jashtëm rus Lavrov gjatë vizitës së tij në Beograd konfirmoi se pas shpinës së Serbisë do të jetë gjithmonë Rusia me mbështetjen e saj të fuqishme për prioritetet e politikës së jashtme të shtetit vëlla”.
Dy janë elementet e reja, që dalin nga alarmi i ri diplomatik dhe strategjik i Rusisë lidhur me njohjen e Kosovës, që Lavrovi ia hodhi si kushte Vuçiçit në tavolinë. E para është ndryshimi i formulës së qendrimit të Rusisë ndaj dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Deri tani edhe presidenti Putin, edhe ministri i jashtëm Lavrov, kishin deklaruar qendrimin se “Rusia do të pranojë çdo zgjidhje që do ta pranojë Beogradi”. Kjo formulë i linte formalisht një farë pavarësie veprimi Serbisë në planin diplomatik për përcaktimin e qendrimit në dialogun Serbi-Kosovë.
Tani me ardhjen e presidentit të ri amerikan Bajden dhe me perspektivën e një angazhimi të ri cilësor amerikan për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, Moska nuk ndjehet më e sigurt me Serbinë dhe e ndryshoi rrënjësisht qendrimin për këtë çeshtje. Sipas gazetës ruse “Vzgljad” tani “Rusia do të pranojë vetëm një marrëveshje, që është e pranueshme për Rusinë”. Është një ndryshim rrënjësor qëndrimi në raport me Serbinë, i cili për herë të parë shpreh publikisht dhe zyrtarisht se interesi i Moskës për konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka të bëjë me Serbinë dhe as me mbrojtjen e interesave serbe.
Qëndrimi i ri rus ka të bëjë me mbrojtjen e interesave ruse, të cilat janë në kundërshtim të plotë me zgjidhjen e këtij konflikti nëpërmjet njohjes reciprokisht me njera tjetrën të Serbisë dhe Kosovës. Me këtë qëndrim të ri Moska afishon pretendimin e saj që çdo zgjidhje e konfliktit Serbi-Kosovë duhet të marrë në konsideratë interesat ruse dhe lejen e Rusisë. Moska i heq brutalisht Beogradit çdo të drejtë që të vendosë vetë në këtë çeshtje. Është një kusht prepotent diplomatik, sepse Rusia nuk ka asnjë të drejtë dhe asnjë punë të ndërhyjë dhe aq më pak të vendosë në një dialog dhe në një marrëveshje dypalëshe, që u takon në mënyrë sovrane dy shteteve të pavarura si Serbia dhe Kosova.
Por Rusia e di fare mirë se ajo e ka lidhur aq fort Serbinë pas interesave të saj, sa që Beogradi nuk ka rrugë tjetër veçse t’i bindet Moskës. Ministri i jashtëm rus erdhi në Beograd vetëm për të paralajmëruar presidentin e Serbisë që të mos i bindet kërkesave të reja të administratës amerikane për të njohur Kosovën. Presioni rus mbi Beogradin është që të mos e shkrijë konfliktin me Kosovën, konflikt që Moska e do të ngrirë.
Gazeta ruse “Regnum” e theksonte qartë në datën 17 dhjetor në një artikull me titull “Lavrovi e paralajmëron Vuçiçin që të mos bëjë shaka me Kosovën”. Sipas burimeve diplomatike nga Beogradi, presioni dhe kërcënimi i ministrit të jashtëm rus mbi Vuçiçin nuk ka qenë vetëm në plan shtetëror, por edhe në planin personal. Kaq i fortë ishte ky presion sa që presidenti serb në mënyrë halucinante menjëherë pas vizitës së Lavrovit, doli në 19 dhjetor me deklaratën e prishjes së urave se “sa të jetë ai president nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.
Vuçiç i dha siguri personale Lavrovit dhe diplomacisë së shtetit rus se ai do t’i bindet porosisë së re ruse dhe interesave ruse dhe nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Presidenti serb me sa duket harron se diplomacia ruse si rregull dhe si traditë nuk u beson shumë vasalëve të saj. Moska i solli presidentit serb kushte të reja për rolin e Serbisë në mbrojtje të interesave ruse jo vetëm në planin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në rajon.
Gazeta e njohur ruse “Komersant” e datës 16 dhjetor, duke analizuar vizitën e Lavrovit në Beograd, shkruante se “një nga çështjet kryesore të marrëdhënieve ruso-serbe është se sa i gatshëm është Vuçiçi që me vepra dhe jo me fjalë të jetë partneri strategjik i Rusisë në rajon, sepse Moska llogarit të ruajë influencën në rajon, duke përdorur marrëdhëniet e posaçme me Beogradin dhe me “serpska republikën”. Kështu dalim tek elementi i dytë i kushteve të Lavrovit për Serbinë dhe për presidentin e saj gjatë vizitës në Beograd.
Partneriteti strategjik i Serbisë me Rusinë në shkallë rajonale presupozon një rol më agresiv dhe më tensionues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor me qëllim që klima e tensioneve të reja ballkanike t’i bëjë të mundur Moskës të ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve të rajonit. Presidenti serb u tregua vasal i denjë për këtë detyrë, kur në prani të ministrit të jashtëm rus kritikoi ashpër dy anëtarët boshnjak dhe kroat të presidencës së Bosnje-Hercegovinës, të cilët një ditë më parë refuzuan të takonin në Sarajevë ministrin e jashtëm rus, sepse ai injoroi hapur institucionet shtetërore dhe sovranitetin e shtetit të Bosnje-Hercegovinës.
Se ç’punë ka presidenti serb të kritikojë udhëheqësit e një shteti tjetër të pavarur nëse e presin apo jo ministrin e jashtëm rus, kur ai shkel të drejtat kushtetuese dhe sovranitetin e atij shteti, këtë mund ta shpjegojë vetëm një mentalitet vasaliteti tipik serb ndaj Rusisë. Në këtë rol mjeran për t’i bërë qejfin Lavrovit dhe Rusisë, presidenti serb kritikoi edhe qeverinë re të Malit të Zi, pse ajo konfirmoi mbështetjen e vijës politike të BE, për të vazhduar sanksionet ndaj Rusisë.
Diplomacia ruse jo vetëm nuk është për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së njohjes midis Serbisë dhe Kosovës, por ajo është për moszgjidhjen permanente të asaj çeshtje. Nesë Serbia njeh dhe normalizon marrëdhëniet me Kosovën, kjo do të thotë se ajo nuk do të jetë më e varur nga vota ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB. Një normalizim me njohje reciproke do t’i hapte rrugën Serbisë për anëtarësim në BE dhe më vonë në NATO, gjë të cilën Rusia nuk e do kurrsesi dhe po përpiqet ta parandalojë.
Nuk është rastësi që diplomacia ruse nuk ka e pranuar asnjëherë termin dhe objektivin e diplomacisë perëndimore të dy viteve të fundit “për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Këtë objektiv të BE, të shpallur zyrtarisht nga ndërmjetësja e dialogut Serbi-Kosovë, diplomacia ruse ka refuzuar ta pranojë dhe e ka hequr gjithmonë cilësorin “përfundimtar”. Interesant është se Moska i ka imponuar edhe Serbisë të mos e pranojë këtë term, që përcakton një zgjidhje përfundimtare të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Akoma më interesant është fakti që Rusia ka arritur t’ia imponojë edhe diplomacisë së BE që ta harrojë objektivin e saj të shpallur të “normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë edhe Kosovës”. Që nga emërimi i Lajçakut si i dërguar i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, ai nuk e përmend asnjëherë përkufizimin e BE “normalizim përfundimtar të marrëdhënieve”, duke krijuar një fund të hapur për çështjen, ashtu siç e dëshiron Rusia.
Nuk mund të mos bëjë përshtypje që BE nuk reagoi fare ndaj deklaratës skandaloze të presidenti serb Vuçiç se sa të jetë ai president nuk do ta njohë kurrë Kosovën. BE duhej të reagonte, sepse është kusht zyrtar i vetë BE që Serbia nuk hyn dot në BE pa njohur Kosovën.
Së dyti, BE duhet të reagonte, sepse ky qëndrim i presidentit serb zhvleftëson bisedimet që dy shtetet, Serbi dhe Kosovë, po zhvillojnë prej dhjetë vitesh në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.
Zigzaket e diplomacisë së BE për çështjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve dhe për kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin e Serbisë në BE, rastësisht apo jo po përshtaten gjithnjë e më tepër me elementet e kushteve, që Lavrovi i shtroi Beogadit që çdo zgjidhje duhet të përputhet me lejen dhe interesat ruse. Këto lëkundje të BE bien në kundërshtim me të gjithë dinamikën dhe logjikën diplomatike të çështjes së marrëdhënive midis Serbisë dhe Kosovës.
Por bien në kundërshtim edhe me vetë pozitën dhe interesat strategjike të BE në Ballkan. Sepse si mund të besohet se BE efektivisht dhe realisht po rrit përpjekjet për neutralizimin e influencës ruse në Ballkan, dhe në të njëjtën kohë bën sikur nuk e sheh që Serbia është instrumenti kryesor i strategjisë ruse të influencës në Ballkan.
Element tjetër i ri i vizitës së Lavrovit në Beograd është formatimi i paimagjinueshëm fetaro-ortodoks i kuadrit të vizitës zyrtare diplomatike, ku Lavrovi mori një ditë të tërë rolin e një kleriku ortodoks nëpër objektet serbe të këtij kulti. Kjo nuk është e rastit, por duhet parë si pjesë e strategjisë ruse të nxitjes në linjë fetare të disponimit antiperëndimor në Serbi. E shprehu qartë këtë strategji profesoresha ruse Elena Guskova, drejtore e “Qendrës së Studimeve të Krizës Ballkanike”, pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, e cila në 16 dhjetor në gazetën “Pravda” deklaronte: “Forcimi i ortodoksisë në Ballkan është për ne çeshtje shumë e rëndësishme, sepse Roma dëshiron shumë t’i shtyjë ortodoksët tej në Lindje dhe t’u zaptojë territoret”.
Është hera e parë që një autoritet zyrtar shkencor rus për Ballkanin dhe konsulente e Ministrisë së Jashtme Ruse dalin hapur me qëndrimin kundër Vatikanit në një përpjekje për të ngritur dallgë të fondamentalizmit ortodoks serb dhe të ndjenjave antiperëndimore dhe antikatolike në Serbi.
Në këtë klimë konfuze diplomatike dhe të presioneve dhe kushteve të reja ruse ndaj Serbisë për moszgjidhjen e çështjes së normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës e vetmja rrugëdalje reale pritet nga politika ballkanike e administratës së re amerikane të presidentit Xho Bajden.
Këtë perspektivë dhe qendrim realist e shprehu në datën 8 dhjetor kryetari i komitetit të politikës së jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili në mbledhjen e posaçme të këtij komiteti për Ballkanin, deklaroi: “Serbia nuk do të hyjë në BE derisa të njohë pavarësinë e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
Është angazhimi për një kurs të drejtë të zgjidhjes së konflikteve në Ballkan dhe i krijimit të një klime besimi dhe bashkëpunimi real midis shteteve dhe popujve, që njohin dhe respektojnë njeri-tjerin. Kjo klimë e re, që shpresohet nga administrata e re e presidentit të ri amerikan pritet ta çojë përpara procesin e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke midis tyre./ gazeta dita