Albspirit

Media/News/Publishing

Kuvendi i Malit të Zi nuk voton për shkarkimin e Abazoviç

Kuvendi i Malit të Zi ka rrëzuar nismën e kryeministrit të vendit për të shkarkuar Dritan Abozoviç. Për rendin e ditës votuan 77 deputetë, pro ishin 20, kundër 11 dhe 46 prej tyre abstenuan. Rrjedhimisht, zgjedhja e ministrit të Financave, Milojko Spajiç, në postin e Abazoviçit nuk është në rend dite. Propozimi për të larguar Abazoviçin nga posti i zëvendëskryeministrit u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiç si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiçit. Para nisjes së seancës, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç u tha gazetarëve se është e parëndësishme se si do të vendosin deputetët për largimin e tij dhe theksoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte që Mali i Zi të ketë një qeveri të re evropiane, duke e zhbllokuar rrugën e saj evropiane. “Të gjithë deputetët le të votojnë ashtu siç mendojnë. Unë pres që të votohet rënia e Qeverisë (Zdravko Krivokapiqit)”, deklaroi ai. Abazoviçi, sipas REL, tha se pret që qeveria e ardhshme të ketë mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, detyra të qarta, kohëzgjatje të kufizuar, për të zhbllokuar rrugën evropiane dhe për të organizuar zgjedhje të ndershme kur të plotësohen kushtet për këtë. Tani mbetet për t’u parë nëse hapi tjetër do të jetë krijimi i qeverisë pakicës ose jo. Vetë presidenti Gjukanoviç, partia e të cilit është në opozitë ka dhënë dritën jeshile për një lëvizje të tillë.

Please follow and like us: