Albspirit

Media/News/Publishing

Leka Bungo: Reformë apo ‘Reformë’ në RTVSH?

Biçiklisti fryu kamerdaren dhe e futi në legenin me ujë për të parë se ku ishte shpuar. Pas pak e nxori dhe e rrotulloi ndër duar. Përveç vrimës së re, kamerdarja kish dhjetëra pulla, njërën më të madhe se tjetra. Rrudhi buzët dhe iu kthye të zotit: Xhaje… kjo s’baa mo, pulla. Po s’i ndërrove kamerdaren, kjo biçikletë vetëm SHTREMËT KA PËR T’HEC!

* * *

Mund të shkruaja gjatë për gjendjen, në të cilën ndodhet Radio Televizioni Publik Shqiptar, por nuk dua të përsëris ato që janë shkruar rëndom kohët e fundit. Gjiganti i dikurshëm mediatik, RTSH-ja, prej vitesh ka ngecur ne rërë dhe nuk mund të lëvizë. Sot, ai i shëmbëllen më shumë një lope që pasi i kanë mjelë qumështin, i kanë ngrënë edhe ci… Ndryshe nga ndonjë gazetar, i cili pasi merr honorarët (madje, edhe ato qe nuk i takojnë) ulet në kompjuter dhe shkruan me superlativa për “Revolucionin” që ka bërë RTSH-ja, do të përpiqem t’u bëj të shihni ca të vërteta që fshihen pas ekranit të vogël. Të vërteta që e kanë “ftohur” teleshikuesin shqiptar, atë që i mban frymën gjallë, me ekranin që dikur e donin aq shumë. Aktualisht, Radio Televizioni Shqiptar së bashku me qendrat audiovizive të rretheve ka afër një mijë e njëqind punonjës. Në kundërshtim të hapur me ligjin, një pjesë e tyre punojnë ilegalisht në televizione private!!! Mekanizmi për të kontrolluar shfrytëzimin e kohës së punës mungon dhe kjo lë shteg për abuzime. Kësisoj, paga e lartë dhe frika se mund ta humbasin i ka shndërruar në “shërbëtorë” të privatit, saqë shpesh “harrojnë” se punojnë edhe në RTSH. Zakonisht kujtohen ditën e rrogave, kur kanë probleme shëndetësore ose kur u duhet të përgatisin dokumentet për pension. Dikush mund të pyesë sa janë këta. Sikur t’u shtohen edhe të tjerët më poshtë, nuk janë pak.

* * *

Në ndryshim nga punonjësit e administratës, të cilët edhe mund të “fshihen” nëpër zyra, gazetarët, moderatorët, skenaristët, operatorët, montazhierët, grafistët, regjisorët, skenografët, folësit e shumë krijues të tjerë nuk mund t’i “fshihen” për asnjë çast syrit të teleshikuesit. Përkundrazi. Gjatë njëzet e katër orëve janë përballë tyre, në ekranin e vogël. Mirëpo, atij që mban në dorë telekomandën dhe shtyp butonin për të ndërruar stacionin ngaqë nuk i pëlqen programi, nuk i shkon ndërmend se gazetari, folësi, moderatori, regjisori, ose autorët e programit që s’i “pëlqeu”, nuk e ka FITUAR vendin e punës, por ia kanë “DHËNË”. Me fjalë të tjera nuk janë punësuar nëpërmjet KONKURSEVE, të cilat do të gjykonin realisht për vlerat e tyre, pra, janë emëruar në kundërshtim me ligjin. Dhe këta nuk janë pak.

* * *

Në qoftë se do t’u shtohen edhe … Një nga dukuritë e trashëguara nga regjimi komunist është nepotizmi, i cili gjallon sot e kësaj dite. Dhe për sa kohë një fenomen i tillë “pushton” institucionet krijuese, ai bëhet edhe më i frikshëm. Nën sqetullat e gjigantit mediatik janë strehuar dhjetëra, nipër, mbesa, kunetër, baxhanakë, krushq e të tjerë kësisoj. Dhe për hir të së vërtetës, këta e kanë më të lehtë për të shkarkuar nga posti atë që merr “guximin” të propozojë largimi e tyre nga RTSH-ja. Kjo është një arsye më shumë që ndikon në cilësinë e produktit mediatik edhe artistik.

* * *

2 . Ndryshimet e bëra ndër vite në strukturën organizative dhe pProgramore kanë sjellë pasoja që kanë ndikuar negativisht në nivelin profesional të asaj çka transmetohet në ekranin e vogël. Megjithatë “gazetari entuziast” që cituam më lart, mendon ndryshe. Ai shkruan se NDRYSHIMET kanë sjellë një “erë të re” në RTSH dhe kane shërbyer në realizimin me sukses të “revolucionit mediatik”, i cili ka nisur shumë vite më parë. Në të vërtetë sipas gjykimit tonë ka ndodhur e kundërta.

* * *

Ndërkohë kur prodhimi është në nivelet minimale, RTSH-ja së bashku me qendrat audiovizive të rretheve transmetojnë në 16 kanale, nga 2 kanale që ishin më parë. Kjo është arsyeja që ekrani i Televizionit Publik është i varur tërësisht nga Arkiva dhe që mund ta quash pa frikë “Ark-Tv”. Kjo është arsyeja që e detyron atë të transmetojë gjatë një mbrëmjeje të njëjtin film apo program artistik në pesë apo gjashtë kanale. Me fjalë të tjera nuk ka asnjë ndryshim nga një kuzhinë, e cila duhet të përgatisë ushqim për gjashtëmbëdhjetë tavolina ndërkohe që është “furnizuar” vetëm për katër të tilla. Ky është edhe momenti kur duket sikur ekrani dhe teleshikuesi TALLIN njëri -tjetrin. Së fundmi, më lejoni të sjell në vëmendje se Greqia ka gjithsej tri kanale të Televizionit Publik, dy nga të cilat janë Lokal; Gjermania ka tre, Kroacia dy, ndërsa Shqipëria GJASHTEMBEDHJETE!!!

* * *

Sot, Radio Televizioni Publik Shqiptar nuk ka drejtori programacioni. Kjo është një arsye tjetër që programet e kanaleve të ndryshme bëhen lëmsh. Sot, Radio Televizioni Publik Shqiptar nuk ka asnjë departament për programet e fëmijëve! Të vegjlit janë të “dënuar” të shohin vetëm filma të huaj multiplikative. Në fund të fundit, ata nuk arrijnë të kuptojnë se programet artistike të krijuara enkas për ta u sjellin vetëm atyre kënaqësi, ndërsa filmat e huaj, të cilët blihen me TENDERA, u sjellin më shumë kënaqësi të rriturve. Sot, në Radio Televizionin Publik Shqiptar nuk ka as dektor për prodhimin e filmave televizivë dhe as departament për prodhimin e spektakleve artistike! Janë eliminuar! Edhe drejtori artistik, i cili për dyzet vjet me radhe ka udhëhequr programet dhe spektaklet e ndryshme artistike, është fshirë prej vitesh nga organika e RTSH-së. Përmenda NDRYSHIMET e mësipërme që të mos duket e pabesueshme se Televizioni Publik Shqiptar, ndryshe nga televizionet e qyteteve më të humbura të vendit “feston”pesëvjetorin që nuk ka prodhuar ASNJE SPEKTAKEL TE PERHERSHEM ARTISTIK ASNJE!!

3 . Emigrimi i emrave …

* * * Në qoftë se vite më parë ishte vështirë të “dilje” në ekranin e vogël të RTSH-së, jo vetëm për arsye biografike, sot është një nga gjërat më të “lehta”. Madje, nganjëherë të luten edhe kur janë të vetëdijshëm që “s’bën për atë punë”. Emërimet nepotike, pagat e ulëta dhe shpërblimet qesharake krahasuar me TV private, kanë nxitur “emigracionin” e njerëzve të zotë. RTSH-ja, “materniteti” ku linden talentet si Ferdinand Deda, Agron Çobani, Alfons Gurashi, Blendi Fevziu, Rudina Xhunga, Albert Minga, Stefan Gajo, Vera Grabocka, Pali Kuke, Adi Krasta, Eni Vasili e dhjetëra, dhjetëra të tjerë, sot i ngjanë “hotelit” me një mijë e njëqind shtretër, ku shumica e klientëve flenë duke pritur të qetë pensionin.

* * *

4 . Në një nga veprat e tij, Kadareja, ndër të tjera, shkruan: “…Lufta ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve është nga më të egrat dhe në një luftë të tillë, ata që fitojnë, zakonisht janë të paaftët”. Kjo sentencë e gjeniut të letrave shqipe që lindi në regjimin e kaluar, vijon të “Flasë” edhe sot. Kësisoj, lind pyetja : Çfarë duhet të bëjë RTSH-ja kur numri i tyre nuk është i paktë?! Në qofte se ekipi i ri që ka ardhur në krye të Radio Televizionit Publik Shqiptar do të mbajë shprese te pullat që mund t’i vërë kamerdares … “BIÇIKLETA KA PëR Të HeC VETëM SHTREMëT”. Atëherë, cila është ZGJIDHJA…? Sipas gjykimit tonë, një nga zgjidhjet mund të ishte edhe propozimi që përben subjektin e LETRëS …

* * *
LETER
Presidentit të Republikës,
Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë,
Kryeministrit,
Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë
Të nderuar,

Në qoftë se do t’u hidhnit një sy argumenteve në shkrimin e mësipërm, do ta kuptonit motivin për të cilin u drejtohem me anën e kësaj letre. Për më shumë se një gjysmëshekulli, kam qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Nisur nga kjo, por më tepër nga dëshira për ta shndërruar në një nga ekranet më të dashura për teleshikuesin, do t’i propozoja Kuvendit të Shqipërisë të miratojë një ligj, i cili do të bënte të mundur MBYLLJEN e tij për TRE muaj. (Unë do ta konsideroja HAPJE, sepse ne gjendjen ku ndodhet, gjithmonë sipas meje, ngjan më shumë i “Mbyllur”.) Një ide e tille nuk është vetëm e jona. Pak vite më parë ajo është implementuar në Radio Televizionin Publik grek dhe atë spanjoll. Përgjatë tre muajve, punonjësit e kaluar në asistencë sociale do të duhet të rrinë në pritje të KONKURSEVE për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.

Kjo kohë do të shërbente për krijimin e KOMISIONEVE dhe përgatitjen e KONKURSEVE në fushën e gazetarisë, teknikes, krijimtarisë artistike dhe administratës. Maxhoranca e komisioneve që do të gjykojë ATA që duhet të rikthehen dhe ATA që mbeten jashtë, sipas gjykimit tonë, duhet të jetë e përbërë nga specialistë të HUAJ. Dhe në mbyllje, në qoftë se do t’i vihen serish PULLA kamerdares, biçikleta… “ …ka për t’hec vetëm shtremët”.

Please follow and like us: