Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: ÇMIMI

Tregim
Pesë anëtarët e jurisë ishin ulur në tavolinën e rezervuar, në katin e dytë të shumëkatëshes më të lartë të kryemëhallës. Senatorët kulturorë, siç i cilësoi me shpoti kamarierja që ngre kindën e fundit, duhen trajtuar me të gjithë stilemën dhe delikatesën e bukurisë femërore. Sidomos kryetari, ai që ka cilësinë plastike të bustit, rreptësinë e mjekrës dhe shikimin e lodhur e të përhumbur në boshllëk. Katër anëtarët e tjerë të jurisë, dy meshkuj e dy femra sikur kishin pësuar një asgjësim të tipareve të fytyrës duke i thërrmuar pak nga pak nishanet dhe ngjyrat tokësore të shqisave. Format e humbura të tyre, një paraqitje krejt vulgare e portreteve, luanin atë mbasdite në sinkron me shiun që binte me rrëshekë mbi pllakat katrore, uniforme të bulevardit. Ngjanin të njëjtë. Nga brendësia e restorantit luksoz, si të ishte një vegim, dikush i padukshëm solli një valixhe elegante. Kryetari e ngriti valixhen mbi tryezën e gjatë me ca hijëzime të zeza e gri, nxorri prej andej 10 kopjet e librave, iu hodhi një shikim zhbirues, të ashpër e të mbrapshtë titujve dhe me një theks të jashtëzakonshëm, që kishte fuqinë të shndërronte çastin e butësisë së adhurimit në çast tmerri, thirri: Këto janë!
I pllakosur nga memecëria e errët e së kaluarës, anë e zezë e karrierës së tij, mbushur me dështime të panumërta që i kishin vulosur ashpër fatin, nisi t’i ndajë librat sipas titujve. Secilit anëtar i dorëzoi dy autorë. Ky akt e ktheu parajsën e kapardisjes në ferr, në demon që hodhi mallkim të njëjtë mbi jetën e katërtve. Tronditja e parë u shua shpejt pasi asnjëri prej tyre nuk e kishte jetuar temën e vet deri në britmën e fundit të dhimbjes.
Këta të dy, (i ngriti lart librat si të ishin pëllumba të vrarë me çifte), janë për mua – zgërdhiu dhëmbët e zverdhur, që dhe ato, si fytyra e tij, ngjanin të ishin të kapluara nga dëshpërimet e vjetra.
Kamarierja leshravedhë, me kindën e fundit ngritur, e shtroi ndërkohë tryezën me gjithë të mirat. Bollëk dhe asortimente. Solli verë të bardhë, të duhurën, për karkalecat e prodhimet e detit.
Të ushqehemi se jemi të lodhur e të uritur, – ngriti gotën kryetari dhe e trokiti me secilin nga anëtarët.
Pa i dëgjuar tingujt e telasheve që nisën të ngjiten në qiell, antarët përveshën mëngët dhe shijuan me duar karkalecat, peshkun, mishin e pjekur. Nuk u kujtuan të llogarisnin fjalët e tepruara që u thanë midis kënaqësisë dhe epsheve kulinare, si tarifa për t’u paguar ose që do t’i paguajmë edhe më shtrenjtë gjithë jetën me keqardhjen që shlyerjen e tyre e paskemi shtyrë, pasi në ndarjen e çmimeve, mendjelehtësia të shpie shpesh te gabimet fillestare. Nuk e dinin ende që me librin nuk ka kurrfarë marifeti. Libri është Libër.
Krimbi i brerjes, pakuptuar, se si mbërriti pastaj deri aty në tavolinën e rezervuar. Nga ky shkak, në mes të ngrënies, ashtu si zakonisht ndodh me të pamësuarit, njëri syresh që ndoshta ndjeu gërryerjen e hakmarrjes në stomak ose paramendoi ndëshkimin për pendimin e pakryer, guxoi dhe pyeti: Kush i përzgjodhi këta dhjetë tituj? A nuk kishte të tjerë?
Hop, e zuri vera cucën, – cyti zgërdhimën kryetari, si të pohonte një zbulesë të përnjëmendtë.
Pa mbaruar e qeshura e ndryshueshme, e rrëshqitshme si rërë, u avit fuqia e thagmës tjetër që pasi u ndal një grimë me habi në soditje, hutoi të pesë anëtarët e jurisë.
Ç’do të thonë juritë e mëhallave për çmimet tona? – pyeti pafajësisht cuca anëtare që i shkrepëtiu një dritëz në sipërfaqen e rrafshtë të ballit. Ekstaza është fenomen i brendshëm dritësor dhe cuca nuk mundi ta fshehë dot.
Ju e dini, çdo mëhallë ka jurinë e vet. Ata mblidhen çdo mbasdite në kafene pasi kanë lexuar krijimet e njëri – tjetrit në facebook dhe ndajnë çmime, Penda e Artë, Poeti Kombëtar, Laureat i vitit etj, etj.
Të gjorat juri të mëhallave!
E qeshura kësaj here, (jo breshëri) i plasariti qelqet e katit të dytë të restorantit.
Kryetari u ngrit, rrotulloi dorën si të theksonte më tepër shijen e verës në gotë dhe tha fjalinë më të padeshifrueshme: Instinkti është një art pa qëllim!
Pas kësaj, i ngrysur, si të shestonte veçmas diçka ogurzezë, shpërtheu në klizma duke iu hakërryer cucës, anëtare jurie: Po ne jemi Juria e Kryemëhallës! Çmimet që japim ne, janë pa kthim. Profesionale. I transmeton media qëndrore, kanë fuqi ekonomike, të çojnë në panaire ndërkombëtare, lidhin kontrata.
Kush i ka në mend juritë e mëhallave dhe kafeneve?
E piu një gllënkë për të njomur fytin e tharë dhe me emfazën që po i merrte frymën, nuk e ndali skizmën: Heshtja, heshtja sjell gjithnjë lajme të mira! Dhe mos çani kryet me asnjë nga ato brerjet e ndërgjegjes që prishin një Akt! Vija e shtrembër është triumfi i natyrës mbi rregullin. A nuk jemi dhe ne antikomformistë? Le të thonë ç’të duan për ne? A mos vallë u sollëm pa takt?
Ktheu sërish një gllënjkë verë si për mbedhur fuqitë dhe e përmbylli: Nesër kemi festë. Dorëzohen çmimet. Lexoni ç’të mundni gjatë darkës dhe nesër ejani me veshje klasike në ceremoni. Unë do të përpiqem të lexoj nja 30 faqe nga ky (e ngriti lart njërin libër si pëllumbin e vrarë me çifte).
Ju e dini që s’ka nevojë të pish gjithë fuçinë me verë për të kuptuar shijen …
E rrotulloi sërish gotën e verës, kësaj here jo thjesht për shijen, por për të shpallur librin – pëllumb të vrarë, fitues të çmimit të madh të kryemëhallës…
Please follow and like us: