Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: BUKËSHKALA

Novelë
1.

Sisi, spikerja e Televizionit shqiptar “Iliria Life” në diasporë, priti me durim çastin kur në zyrë nuk kishte asnjë punonjës tjetër dhe e sikletosur kuturisi t’i kumtojë bosit të vet se kishte diçka të rëndësishme për t’i thënë. Ai ia bëri me shenjë të mbyllte derën dhe të fliste pa teklif, por ajo i tha se biseda ishte shumë personale dhe duhet ta diskutonin jashtë zyrave, vetëm ata të dy. Në fillim ai nuk i vlerësoi fjalët e saj, por dalngadalë ato (fjalët) po e gërryenin në ndërgjegje si një letër zmeril dhe mezi priste kohën kur do të mbyllej orari zyrtar. Çfarë gjë ishte kaq e rëndësishme sa Sisi nuk guxonte ta shqiptonte brenda mureve të studios?! E kishte kërcënuar kush këtë bukuroshe, kishte ndonjë propozim martese, apo mos kishte rënë në erë lidhja e tyre e fshehtë?! Po pse jashtë zyrave? Iu kujtua bashkëshortja, gruaja e tij, asaj i druhej dhe i shmangej si shejtani temjanit. Vetëm ajo nuk duhet të dinte asgjë, madje as duhet të guxonte të dyshonte. Me domosdo duhej lënë në terr; të mbetej jashtë kësaj meseleje. I humbi durimi të priste gjer në mbylljen e edicionit të mesditës, ku Sisi ishte e detyruar të dilte në transmetim. Nuk i bëhej të kapte shkresë me dorë. Ishte bërë i gjithi tym.

Nuk iu durua, u lëshua jashtë godinës si një kalë i hazdisur që këput litarin e kapërcen gardhin. Rrugën e bëri më këmbë gjer tek Starbaksi. Goja i ishte tharë krejt, ndjente një zbrazëtirë në stomak dhe nuk i hahej asgjë, megjithse kohë dreke. Piu ca gllënjka limonade për të lagur fytin dhe me ngut porositi një kafe të fortë. U kujtua se në xhep kishte një kopje çelësi të hyrjes së apartamentit të Sisit. Llogariti orën kur ajo do të ishte në banesë dhe i nisi mesazhin e koduar: “Tek strofulla do të më gjesh”. Ajo i ktheu menjëherë një “OK” në celular. As kjo përgjigje e shpejtë nuk e kënaqi. Çfarë të ishte vallë? Nuk ka se si Xhilda, e shoqja e tij, të kishte ndonjë sinjal, apo spiunim. Ndryshe ajo duhet të kishte shfaqur shenja xhelozie.

Nuk thonë kot që i zoti e merr vesh i fundit. Televizioni në gjuhën shqip “Iliria Life” kishte tre vjet që ecte mjaft mirë. Të gjitha punët i shkonin mbroth. I kishte kapluar tërë pengesat e viteve të para. Ishin shtuar gati dyfish abonentët, të ardhurat nga reklamat dhe donacionet prej bashkatdhetarëve. Pronari, të cilin e përmendëm pak më lart, është me origjinë nga Durrësi. Në letra e ka emrin Nedin Rrëqebulli, por të gjithë në diasporë e njohin si Din Televizori. Ai është ndër më aktivët në komunitetin shqiptar të atij rajoni, i guximshëm dhe kërkues, punëtor i palodhur dhe i shkathët, megjithse nuk ka mbaruar asnjë shkollë për arte, ka qenë vetëm shef i sigurimit të Portit të Durrësit. Këtu e ka sjellë llotaria amerikane, para shtatë vjetësh. Kohët e fundit kishte blerë me kredi edhe një sallë koncertesh në falimentim e sipër të cilën do ta përdorë për evente të komunitetit, duke filluar nga mbledhjet e gjer tek dasmat. Ka fatin që njoftimet dhe reklamën për këtë sallë t’i bëjë falas. Me rinovimin e pronës së re, thuajse ai merret çdo ditë. Kohët e fundit, programacionit të kanalit televiziv “Iliria Life” ia kishte varur krejt. Programin më shumë e mbikqyrte dhe e përgatiste e shoqja. Epo ai nuk mund të çahej më dysh gjersa t’i binte bretku në punë. Godinës i hodhi dysheme të re, parket lisi, ndërroi dritaret, pajisjet hidraulike, ndriçimin, perdet dhe dyert. Salla dukej krejt e re, i dha më shumë dritë. Ishte i sigurt se për pak kohë, paratë e investuara aty, do t’i ktheheshin shumëfish. Kur ja, papritur, vajza lozonjare, ajo spikerja bukuroshe me emrin Sisi, i qaset si hizër dhe i kërkon takim sekret. Si shumë ia kishte hapur syrin e krehur bishtin!

Sa hyri në aprtamentin e saj, ndjeu aromën e njohur e të pëlqyer prej tij. Edhe pse ajo e kishte lënë krevatin të parregulluar, ai hoqi xhakaventon e këpucët dhe u shtri si në limer të vet. Sa e sa herë e kishte rrotulluar aty Sisi lozonjaren, krejt cullake. Po tani, me sa dukej, kishte ardhur koha të paguante diçka nga kënaqësitë që kishte provuar orë e pa kohë. Duhet të mbidhte trutë e kokës sa pa u bërë gazi i botës. Ndoshta sot ishte dita të ndahej përfundimisht me të. Nuk mund të priste të diskreditohej në sy të komunitetit dhe familjes, sidomos tani që i kishte vënë të gjitha punët në vijë dhe e bija e tij së shpejti do të diplomohej për juriste. Kjo punë ishte si në bixhoz, mendoi, duhet të dish të tërhiqesh në kohën e duhur që të shmangësh rrënimin dhe skandalet. U vendos; në këtë takim të fundit do t’ia kthente çelësin e hyrjes dhe nuk do të dukej këtu kurrë më…

….

Ai nuk e ndjeu fare sesi kishte hyrë Sisi brenda apartamentit, nuk ishte as në qiell, as në tokë, e kishin kapluar mendime të zymta, shumica kontradiktore. Ndjenja e fajësisë është e tmerrshme. U ngrit brinjazi. Ajo u soll sikur nuk kishte ndodhur asgjë, e puthi në faqe. Ndryshe nga herët e tjera vuri re se ai ishte akull i ftohtë, si kurrë ndonjëherë.

– Fol, nuk më durohet, – i tha ai duke e parë me ca sy të akullt, si të rrëqebullit.

– Asgjë e rëndësishme, kot të shqetësova, bos, – ia priti ajo duke buzëqeshur me një lloj djallëzie.

– Shpjegohu, më fute datën, mendova se mos kemi rënë gjë erë, e kemi bërë baltë, dreqi ta marrë.

– Më duket se kam mbetur shtatzanë, këtë desha të të them. Kam pesëdhjetë e katër ditë pa më ardhur ato, – e njoftoi duke i theksuar e rrokëzuar fjalët një nga një.

– Ke bërë test?

– Jo…

– Nuk e besoj, ne jemi mbrojtur, nuk ka mundësi. Shtyrjet, gjëra që ndodhin tek femrat, mos ke kaluar ndonjë grip, ose infeksion? Është herët për të dalë në këtë përfundim, dhe si e thua me kaq lehtësi, kam mbetur shtatzanë. Ty t’u dukërka gjë e vogël kjo?! Dreqi ta marrë, më ke trëmbur për vdekje, më ke futur tartakutin. Nëse kjo është e vërtetë, quhet situatë dramatike. Në të njëjtën kohë mendoj se është një problem shumë i thjeshtë, duhet të bëjmë një vizitë tek gjinekologu, aty e marrim vesh se ke gjë brenda thesit apo jo. Gjithsesi bëj teste…

– Unë as teste kam e as di ku t’i marr. Këdo që të pyes, me të drejtë do mendojë se unë bëkam seks. Nuk është mirë për emrin dhe dinjitetin tim.

– Rri e qetë, atë punë e rregulloj unë, por mendoj të presim edhe ca ditë.

– Si ta vendosësh ti, zemra ime… Ki parasysh, gjinekologu apo gjinekologia duhet të jenë sa më larg komunitetit tonë, – i tha ajo me një vështrim ku lexohej lutja dhe nënshtrimi njëkohësisht. Pastaj, si në qiell të kthjellët lëshoi rrufenë: “po sikur ta mbaj”?”Bosi kërceu përpjetë sikur ta kishte kafshuar gjarpëri.

– Je në terezi, ke ndërmend të më shkatërrosh?! Thirri kaplloqesh, jam burrë i martuar, si shumë shpejt je amerikanizuar! Për mua ky është rrënim total, nga të gjitha anët, sido që ta shikosh, – tha i irrituar në kulm. Fliste si në delir. Sisi nuk e kishte parë asnjëherë si në ato momente. Ku shkoi ëmbëlsia e tij, dashuria dhe përkushtimi?! Zotin Din nuk e zinte vendi, iu duk se tavani i dhomës, nga çasti në çast do t’i binte mbi kokë. U ngrit me ngut, çehreprishur. Bëri të dalë jashtë dhe nuk e puthi si gjithmonë në buzë të ëmblën Sisi. Si rastësisht la kopjen e çelësit mbi tavolinën e kuzhinës. Duke rrëshqitur drejt derës, i tha me një zë tjetër, sikur nuk ishte i tij; foli me një frymë, sikur recitonte:

– Urgjentisht bëj teste, jo një e dy, por disa herë dhe më mbaj në dijeni. Kushtojnë lirë dhe janë pa recetë, i gjen në çdo farmaci. Lexo në internet se si bëhen. Ah, desh harrova të të them, kontrollova bilancin; me të ardhurat jemi mirë dhe kam ndërmend të ta rrit rrogën. E meriton, je korrekte dhe e përkushtuar në punë, – njoftoi ai me fodullëk e plot autoritet duke ekspozuar fytyrën e tij paqësore, prej babaxhani, si gjithmonë.

Kur Sisi dëgjoi se ai kishte vendosur t’i rriste rrogën, u gëzua, harroi shtatzaninë dhe u mat t’i jepte një të puthur në buzë, por ai arriti ta ndalë duke i vënë butë- butë pëllëmbën e tij tek goja. Dera e jashtme e apartamentit, duke u mbyllur, lëshoi një gërvëlimë si mjaullimë maceje dhe Sisi mori frymë e lehtësuar. Nuk kishte se si të mos i binte në sy frika dhe dyshimi që pushtoi bosin e saj kur mori vesh se ajo ishte shtatzanë. Diçka jo të mirë parandjeu. Edhe ajo puna e rritjes së rrogës ishte taktikë për të qetësuar situatën e papritur; lajmin se ajo mund të kishte mbetur shtatzanë. “Kot mburren këta ushtarakët për trimëri, këta qenkan frikacakët më të mëdhenj që unë njoh”, mendoi ajo dhe priti me durum dersa ai ta telefononte i pari.

2.

Spikerja e re e Televizionit “Iliria Life”, ardhur nga Shqipëria me kontratë punë trevjeçare, shumë shpejt u bë e njohur në bashkësinë shqiptare, pa kaluar as gjashtë muaj. Ajo kishte sy të bukur, gati ngjyrë jeshilë, vetulla të zeza, të harkuara, qerpikë të gjatë, fytyrë ovale dhe trupin e një atleteje. Vishej thjesht, me rroba sportive dhe çdo mëngjes i pëlqente të bënte vrap në një park të vogël, aty afër bllokut të apartamenteve ku banonte. Kishte shoqëri të kufizuar dhe shumicën e kohës e kalonte në studion e televizionit, ku shumë shpejt ia mori dorën punës; merrej me montazhin, miksimin, përgatitjen e lajmeve dhe transmetimin. Kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme dhe synonte që krahas punës, të ndiqte edhe një nga universitetet e këtushme. I duheshin më shumë të ardhura. Ky ishte qëllimi kryesor i mbërritjes së saj në Amerikë. Kur zbriti këtu për herë të parë, para një viti, i bëri përshtypje toka e rrafshtë, pa gurë, pyjet që shkriheshin me horizontin dhe lumenjtë gati të lundrueshëm. Gjithçka gjigante, pa anë e fund. Gardh nuk i zuri syri askund, as male. Ajri ishte i pastër dhe natyra marramendëse. E habiti thjeshtësia dhe lirshmëria e njerëzve të këtij kontinenti.

Raca nga të gjitha llojet e botës. Askush nuk të shikonte me përçmim dhe askush nuk i bëri pyetjet standarte: kur mbërrite dhe kur do të ikësh? Nga pamja e jashtme vihet re se janë njerëz të kënaqur e të selitur prej jetës që bëjnë, mendoi.

Dukeshin të gjithë si të barabartë dhe nuk e kishin hobi veshjen e pispillosjet, ose makinat e shtrenjta. Këtë nuk e bënin për kursim, por, ashtu, sportivë, ndjeheshin më mirë e më rehat. Nga televizioni në Shqipëri i ishte krijuar ideja se ky ishte vendi i qiellgërryeseve, por nuk qenkishte ashtu. Ishte krejt e kundërta. Gjëja më e shtrenjtë ishte koha. Shpejt ajo kuptoi se koha ishte punë dhe puna baraz pasuri.

Sisi ishte e lumtur dhe plot hare që fati e solli në këtë vend të begatë ku portat për një jetë më të mirë ishin të hapura për të gjithë.

Po ku dhe si ishte njohur ajo me pronarin e Televizionit “Iliria Life”? Ata midis tyre kanë një diferencë moshe jo të vogël. Dini është është më shumë se dyfishi i moshës së saj. Janë të dy me origjinë prej të njëjtit qytet, Durrësit. Familja e Sisit jeton në periferi, në tokat e shkripëzuara të kënetës. Kanë zbritur prej Dibrës në fillim të demokracisë. Babai është agronom dhe e ëma mësuese matematike në një shkollë 8-vjeçare, aty rrotull.

Dini e bënte shpesh linjën Amerikë-Rinas, më shumë për punë sesa për t’u shmallur me njerëzit e tij të afërt. Flitej se kur emigroi për herë të parë në SHBA, me vete kishte shumë para të përftuara nga vendi i punës në port. I habiti të gjithë bashkatdhetarët kur mësuan se ai po hapte një kanal televiziv shqiptar në një nga shtetet më të pasura të Amerikës. Asgjë nuk e lidhte me këtë profesion, por ligjet amerikane ishin të tilla që të japin mundësi t’u hapësh rrugë e t’u vësh flatra ëndrrave. Në fillim mësoi si të filmojë me kamera profesionale. Hyri në një kurs, pas punës në ndërtim. Prej një emigranti nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut bleu një radio private me gjysëm ore në ditë transmetim në gjuhën shqip. Kjo ia lehtësoi punën për të marrë licensën e emetimit të valëve televizive. U lidh me stacionet televizivë në Tiranë prej të cilëve “u furnizua” me emisione kulturore dhe historike. Domosdo duke punuar si hamuriku nën dhe, me marrëveshje korruptuese. Askush nga drejtuesit televizivë nuk ishte i ngeshëm për të gjurmuar se ku e si ritransmetoheshin ato emisione që niseshin drejt Amerikës.

Në një prej atyre shërbimeve, në shëtitoren buzë detit, takoi nëndrejtoreshën e gjimnazit në qendër të Durrësit, ish fqinje në pallatin e vjetër, nga ana e Currilave. Ajo u lumturua që e pa dhe me shumë qejf e ftoi në koncertin që do të jepte shkolla e saj e mesme në sallën e kinemasë “Ulqinaku”. Duke e falënderuar me mirësjellje, ai tha se ishte i lirë dhe do të merrte pjesë me kënaqësi. U ul në rreshtin e parë të sallës, në krah të nëndrejtoreshës. Koncerti filloi. Rinia gjimnaziste shpërtheu në skenë. Salla sa nuk pëlciste nga duartrokitjet e zjarrta. Dini nuk e pati fare mendjen tek pjesët që u ekzekutuan. I tërhoqi vëmendjen moderatorja e shkathët, me gjoks të bëshëm; e lirshme, me zë kumbues dhe paraqitje të këndshme. Pyeti nëndrejtoreshën për emrin dhe origjinën. Ajo i tha se quhej Sesila Kallfa. Familja e saj ishte e ardhur në Durrës, jetonte në periferi, në Kënetën e shkripëzuar…

– Kam nevojë për një anonçuese programacioni në televizionin tim, jam duke hulumtuar. Kjo spikerja juaj ka tipare të theksuara shqiptare dhe zë kumbues, si thua? – e pyeti ai duke e provokuar mikeshën e tij të vjetër.

– Do ta marrësh në Amerikë?! Po tallesh? Pse nuk merr mua?! Ah, Din, Din, kockë e vjetër, sy pushke paske pasur, nuk është e keqe. Ajo është nxënëse e mirë, maturante, në anglisht e para e klasës. Me sa di unë ka dëshirë të vazhdojë universitetin në Tiranë, megjithëse kushtet ekonomike nuk i ka aq të mira, – shpjegoi ajo.

– Nuk do jetë keq ta takojmë pas koncertit, Rabie, (kështu quhej nëndrejtoresha), të flasim njëherë me të drejtpërdrejtë, t’i blejmë mendjen, – i tha Dini, gjoja i pasigurt. Ajo miratoi me kokë duke e tundur lart e poshtë.

Pa mbaruar mirë koncerti, nëndrejtoresha i humbi nga sytë. Ishte drejtuar për në prapaskenë, por pas pak, ja tek u duk së bashku me spikeren simpatike. E prezantoi para Dinit. Ajo zgjati krahun me drojtje dhe arriti të kapë dorën e tij vetëm me majën e gishtrinjve. Një valë drithërime iu ngjit lart, në kraharor.

Nëndrejtoresha i kishte thënë se do ta njihte me një drejtor televizioni në gjuhën shqip i cili vinte nga diaspora. Ai ishte i veshur me kostum gri, shpatullgjerë, sy lerushë, me fytyrë të bardhë, të lyer si me yndyrë. Nga hutimi, ajo harroi të prezantohej, por Dini, për t’i krijuar mjedis miqësor i tha se e dinte që quhej Sesila dhe shkurt i flisnin Sisi. Kur dëgjoi t’i përmendej emri nga i huaji, vajzës nxehtësia iu ngjit edhe më lart, në faqe dhe ballë, por ajo u ngushëllua me faktin që dritat i kishte pas krahëve dhe skuqja nuk do të vihej re. I huaji ishte praktik, i shpenguar dhe hiqej sikur e njihte prej kohësh. I ftoi për të pirë diçka në një lokal buzë detit.

– Unë nuk vij dot, më pret vëllai, na ikën furgoni, – tha vajza me keqardhje.

– Lajmëroje edhe vëllain, do t’u nisim me taksi në shtëpi, amerikanët kur të marrim kohën, dijnë se si ta shpaguajnë, apo jo zonja nëndrejtoreshë? – tha i huaji duke zbuluar ca dhëmbë të bardhë për të cilët nuk merrej vesh, ishin të tij apo të porositur në klinikë dentare.

– Vajza ka të drejtë, duhet të njoftojmë në shtëpi të saj, – tha zonja nëndrejtoreshë dhe shpejt e shpejt nxori telefonin celular nga çanta.

E kishte të ruajtur numrin e telefonit të nënës së Sisit. U hoq mënjanë, diçka bisedoi duke vënë kupën e dorës së majtë tek goja; fjalët që thoshte nuk duhet të dëgjoheshin rrotull. Pastaj ajo u kthye nga ata dhe sqaroi se nëna e Sisit u dha leje për një pije freskuese, në një nga lokalet aty afër. Vajza mori frymë e lehtësuar.

Në tavolinë duhet të ishte edhe vëllai i vogël. E thirrën edhe atë. U ulën të katërt. Djali i mori nga dora celularin së motrës dhe nisi një videolojë, fare i paintresuar se çfarë flitej në tavolinë. Dini porositi kakao dhe akullore për të rinjtë dhe birra të ftohta, shoqëruar me bajame për vete dhe zonjën nëndrejtoreshë. Sisi deshi të thoshte se nuk shkon kakaua e nxehtë me akullore, por ndoshta këta të diasporës dinë më shumë, mendoi. Bëri mirë që nuk foli. Dini mori lugën e vogël nga pjata e saj dhe hodhi mbi akullore kakao të nxehtë. Kreshta e akullores shkriu. Një në dorë, tha me mendje Sisi dhe buzëqeshi së brendshmi; sa të rrosh, do mësosh.

Ndërkohë i vëllai e kishte kullufitur akulloren, pa u vënë re nga askush.

– Të pëlqen Amerika? – pyeti Dini drejtpërdrejt, sikur të ishin njohur prej kohësh me vajzën.

– E kujt nuk i pëlqen Amerika?! – u përgjegj ajo hazërxhevap, serbes, sikur vinte prej një jete me një barrë përvojë. Përgjigja i pëlqeu Dinit dhe lëpiu me kënaqësi buzët e tij të trasha nga ku kishin mbetur ca cifla bajamesh.

– Unë kam ardhur këtë radhë me “mission” të posaçëm; më duhet të hulumtoj një spikere nga Shqipëria për televizionin që drejtoj, “Iliria Life” në diasporë. Futu në internet të mësosh më shumë për këtë kanal. Kam bërë disa intervista, por sot dëgjova ty, Sisi dhe u mahnita nga aftësitë e tua. Mendova se jam me fat. Me miratimin e nëndrejtoreshës, nëse të lejojnë prindërit, të bëjmë një prove si del në kamera. Po fitove, hallall e paç një kontratë pune 3-vjeçare të noterizuar e të legalizuar të cilën do ta paraqitësh në ambasadën amerikane për të marrë vizë. Krahas punës, në Amerikë mund të vazhdosh edhe universitetin, të realizosh ëndrrën tënde.

Nëndrejtoresha shqeu sytë me ato që dëgjoi dhe nuk u besonte veshëve. Diçka deshi të thoshte, por që nga nëntavolina, Dini i shkeli majën e këmbës dhe ajo në çastin e fundit u tërhoq. Sisit i pëlyen shumë ato që dëgjoi. Ky “amerikani” dukej njeri babaxhan dhe çdo gjë donte ta bënte me letra, madje me kontratë pune të firmosur tek noteri. Iu kujtua patriotja dibrane në “Top Channel”, idhulli i saj, Arbana Osmani. Që fëmijë kishte ëndërruar të bëhej si ajo. Ja ku po i jepej një shans, një goxha blanjë fati. “O Zot, mos jam në ëndërr, mos kuturis e lakmoj ca si shumë”?! pyeti nën zë dhe në fshehtësi cimbisi kofshën e vet. I dhembi ca. Nuk ishte në ëndërr. Ishte realitet dhe u shtriq më mirë në karrigen me sfungjer. Duke folur, tha të tjera gjëra nga ato që mendonte.

– Këto propozime duhet t’i bisedoni me prindërit e mi, ata vendosin e jo unë, – u përgjegj ajo dhe uli sytë mbi syprinën e tavolinës si një vajzë fshati me namuz.

– Patjetër, – thirrën në një zë nëndrejtoresha dhe “amerikani”.

Ishte e kotë ta zgjasnin më tej bisedën. Dini e mbajti fjalën. Taksia i priste tek dera e lokalit, e kishte lajmëruar shoferin me mesazh. Vëlla e motër u ulën në sedilet e mbrapme dhe u ndjenë të shpenguar e të lehtësuar nga sikleti që kishin hequr pak më parë. Gomat fërshëllyen mbi asfalt dhe taksia u nis me vërtik për në tokat e shkripëzuara. Sisi e lëshoi gjoksin përpara në liri, pa e bërë zap, sikundër bënte kur ishte përballë të huajve.

Dy miqtë e vjetër, Rabia dhe Dini, e ndjenë se kishin për t’i thënë shumë gjëra njëri-tjetrit. Kishin kohë pa u takuar. Rabia u ndodh e pa përgatitur për ngjarjet që rrodhën. Kishte hyrë instiktivisht në lojë, duke i besuar miqësisë. E kishte të nevojshme të dinte më shumë rreth këtij projekti. I mungonte informacioni i duhur. Ajo ndjehej paksa fajtore që kishte përdorur autoritetin e funksionit shtetëror në dobi të mikut. Ngjarjet ishin rrokullisur në atë mënyrë sa Dini nuk kishte pasur mundësi për sqarime të hollësishme.

– Të premton koha të bëjmë një shëtitje buzë detit si atëhere kur ishim të rinj, Rabie? – e pyeti ai duke i sjellë ndërmend kujtimet e vjetra.

– Pa tjetër, kam disa pyetje që duan përgjigje, më ke befasuar, Din. Sa për shëtitjen nuk është më ai buzëdeti i dikurshëm, tani është pushtuar nga pallatet, hotelet private dhe kafenetë, por unë di një verandë nga ku mund të shohim perëndimin e diellit, si dikur, – i tha ajo e prekur nga dashamirësia dhe fjalët e tij të qashtra.

Ishte Dini i dikurshëm, i dashur, miqësor dhe i ëmbël me femrat, nuk kishte ndryshuar fare. Ajo e njihte mirë, që nga shkolla fillore, por nuk ia priste mendja të merrej me televizionin, aty në mërgim.

– Motër e dashur, – këmbeu ton Dini duke iu drejtuar me përzemërsi si në kohën e rinisë, – i kam të gjitha në Amerikë, por më mungon ky det, jam në mes të kontinentit, në veri, ku klima është e ftohtë, si ajo e Kuksit. Nuk ka si Durrësi, nuk ka si Mesdheu, vendlindja jonë, e kujtoj shpesh me nostalgji.

– Mjaft me recitime, Din, ne këtu kemi halle, vrasim mendjen si do ta mbyllim muajin, ti më flet për Mesdheun. Në arsim rrogat janë të ulëta, më të voglat në Ballkan. Nuk na shkon mendja tek bukuritë e Durrësit. Shih si është rrudhur lëkura ime dhe shiko si feks faqja jote. Një moshë kemi, por unë dukem si nëna jote. Nejse, ecim në këmbë, nuk na duhet makinë, ja, këtu afër do të shkojmë, – i tha e pezmatuar. Udhëhoqi rrugën në drejtim të bregut të detit.

U rrotullua pas një pallati shumëkatësh, kaloi një urë të harkuar që lidhte dy godina dhe u gjend në një verandë lokali që ndahej nëpërmjet një trotuari me vijën bregdetare. Dini, i lumturuar, u ul kundruall horizontit, andej nga dielli kishte ndërmend të zhytej në hapësirën e purpurtë. Deti i heshtur ngjante sikur ishte në gjumë. Cipa e sipërme e blusë dridhej fare lehtë nga rrymat e padukshme të ajrit. Ai mbushi kraharorin me oksigjen, kujtoi sytë dhe gjoksin e Sisit dhe padashur tha nën zë: “Sikur të ishte edhe ajo këtu…”.

– Vërtetë Din, po bën konkurse dhe intervista për të gjetur spikere? – pyeti Rabia duke vënë në dyshim të gjitha çfarë kishte përrallisur deri atëherë miku i saj i vjetër. Për të mos dalë gënjeshtar, Dini i tha buzëqeshur:

– Kjo është e para dhe e fundit. Do më ndihmosh t’u mbushësh mendjen prindërve të saj, nuk do të ma japësh këtë ndihmë falas.

– Nuk besoj se e japin, unë e njoh këtë familje, me nënën e vajzës jemi kolege. Kanë katër fëmijë. Po janë të vendosur të sakrifikojnë për t’i dhënë shkollë të lartë në kryeqytet vajzës së madhe.

– Rabie, unë kam besim tek aftësitë e tua, vepro në emrin tim, nuk ka pse të sorollatem poshtë e lart. Më kurse. Që tani po të lë në dorë pesëqind dollarë. Nuk më duhet se si i prish, më duhet rezultati, – tha prerë zoti Din dhe nxori një zarf të cilin e kishte përgatitur kur shkoi në banjë. E vuri mbi tavolinë duke i bërë shenjë ta fuste në çantë. Vazhdoi të flasë:

– Edhe po nuk u realizua, atë shumë nuk dua të ma kthesh mbrapsht, quaje një donacion të vogël nga ana ime për miqësinë e vjetër që kemi pasur.

– Janë shumë, po më vë mjaft në siklet, or mik, – tha Rabia me gjysmë zëri duke u lëkundur të tërheqë ose jo zarfin. “Zotni burrë ky Dini, sa i mirë e bujar që është, ia shtoftë zoti dollarët”, uroi nën zë dhe më në fund e futi zarfin në çantë, pa e numuruar shumën. Pse duhet ta shihnin kamerjerët?!

Nuk thonë kot që paraja e hedh ujin përpjetë, këtë më mirë se kushdo e dinte “amerikani bujar” që hiqej sikur e kishte magjepsur perëndimi i diellit në det dhe nuk ia ndante sytë horizontit, gjoja si i pa interesuar të dinte reagimin e nëndrejtoreshës kur mori zarfin.

3.

Në tokat e shkripëzuara të ish Kënetës, kishte rënë nata. Yjet në qiell shkëlqenin ftohtë dhe hëna, as e plotë e as e ngrënë, nuk dukej në asnjë anë të kupës së qiellit të mbushur plot me yje. Tek-tuk, si xixëllonja, ndriçonin shtëpitë e të ardhurve nga Veriu, vendosur në radhë si kazerma ushtarake. Banorët e këtij pellgu nuk ishin as fshatarë e as qytetarë, diçka të ndërmjetmë. Në familjen Kallfa, bisedat për Amerikën vazhdonin me zjarr midis dy prindërve, Sisit dhe vëllait të saj të vogël. Fëmijët ishin të detyruar t’i përsëritnin disa herë radhazi përgjigjet për bisedat që kishin bërë e dëgjuar në lokal me “amerikanin” dhe nëndrejtoreshën. Prindërit pyesnin pse kishte ardhur në koncert zoti Nedin, për Sisin apo për ndonjë tjetër? Kishte kamera me vehte, makinë, shofer apo bodigardë? Madje i ati pyeti edhe me çfarë lloj valute e pagoi kamerjerin, me dollarë, euro apo lekë shqiptare. Dy fëmijët, për shumë pyetje nuk dinin si të përgjigjeshin. E ëma e vajzës, pasi u mendua pak, ju drejtua Sisit me një pyetje tjetër, pak më ndryshe:

– Mban gjë mend, shpirti i mamit, mos e ke parë në ndonjë vend tjetër këtë “amerikanin”, në rrugë, në shkollë, në ndonjë lokal, a diku gjetkë?

– Jo, mama, kurrë në jetën time. Neve na prezantoi me të nëndrejtoresha.

Ai më kishte ndjekur mua gjatë koncertit. Ishte ulur në rreshtin e pare dhe sa herë dilja unë, duartrokiste fort. Kjo më kujtohet mirë se e kasha përballë. Në krah të tij ishte ulur nëndrejtoresha dhe unë sytë i mbaja nga ajo, prandaj më ra në sy që ai duartrokiste fort.

– Ahaa, domethënë nëndrejtoresha e paska sjellë aty, kjo qenka mblesa, – tha babai duke parë nga gruaja me nënkuptim.

– Rabien unë e njoh mirë, është durrsake denbabaden, ka plot farefis nga të sajët që mund të rekomandojë për në Amerikë, pse do zgjidhte vajzën tonë?! Po ia fut kot, o burrë! Ai vetë e ka diktuar dhe pëlqyer interpretimin e Sisit tonë. Ti e di, kjo ka talent të veçantë për aktore. Mban mend kur ishte e vogël si u bënte mësim kukullave, tamam si edukatore.

– Dale, mama, ai nuk tha se do më marrë menjëherë në Amerikë. Propozoi për të bërë një kino-provë, por nëndrejtoresha i tha se duhet të pyeteshin prindërit, pra juve. Nuk jam vetëm unë që konkuroj, ka edhe të tjera. Kështu na thanë. Vendos ai që ka paratë se kë do marrë e jo neve që presim të bien petulla nga qielli, – u tha ajo prindërve e nervozuar me hamendjet dhe dyshimet e tyre, të cilat nuk i pëlqeu fare.

– E, moj bijë, jemi prindër e ku nuk na shkon mendja, ka ardhur kohë e vështirë, çfarë nuk na dëgjojnë veshët. Ne në familje jemi, duhet ta diskutojmë nga të gjitha anët këtë propozim. Nuk vramë njeri se e shoshitëm mbarë e mbrapsht, – i tha e ëma me dhimbje e qortim.

– E dini se çfarë më pëlqen mua në këtë mes, ajo kontrata e punës tre- vjeçare që ka thënë se po fitove, do ta nënshkruajmë me noter. Të futësh këmbët për tre vjet në Amerikë me zanat të garantuar, me kontratë, të mëson puna vetë më tej. Atje ligji është ligj e jo si këtu, paçavure. Aty ke mundësi të ndjekësh universitetin. Kështu na bëhet mirë ne, se edhe univesiteti në Tiranë do para, çlirohemi nga detyrimet për ty, bija ime. Ne të mirën tënde duam, – arsyetoi me qetësi e maturi babai, agronomi.

– Po prit, o burrë, ti i thua të gjitha këto se të shkon mendja se mos është trafikant vajzash?! Jo, nuk është e mundur, ai është drejtuar zyrtarisht në shkollë, ka marrë në tavolinë edhe djalin për qerasje. Është treguar zotni burrë. Nuk do të mund të më telefononte direkt mua nëndrejtoresha, ndryshe ajo humbet punën për vete po të merret me pisllëqe. Trafikimi i vajzave bëhet me rrugaçë, me gjoja dashnorët e vajzave, me mashtrime, jo kështu ditën për diell, me një njeri që ka emër, pozitë dhe para. Thërriti mendjes, ka hapur kanal televiziv në gjuhën shqip i biri i botës. Është rrënjosur mirë, ka shtatë vjet aty. Nuk është gjë e vogël kjo. Eh, sikur ta kemi atë fat e ta marrë vajzën në punë. – Peshku në det e tigani në zjarr, sikur humbi Amerika për spikere, – e mbylli bisedën i ati, agronomi.

….

Edhe Sisi ra për gjumë, por gjumi i ishte arratisur nga sytë dhe në asnjë mënyrë nuk bindej të kthehej mbi qerpikët e saj të gjatë. Rrotullohej në shtratin me lecka, vendosur mbi dërrasa, tamam si peshku në tigan, ashtu siç tha i ati para se të shkonin për gjumë. Herë pas here nga dhoma tjetër dëgjoheshin zërat e prindërve, me ton të lartë, por edhe si pëshpërima. Për një copë herë ngjante sikur ata kacafyteshin e grindeshin, pastaj qetësi e thellë. Eh, kjo Amerika, u kishte futur fitilat, u kishte ndezur xixat e ua kishte bërë mendjen çorap. Si në një film, kur kthejmë shiritin mbrapa, me xhiro të ngadalta, Sisi kujtoi buzëqeshjen dhe pamjen babaxhane të “amerikanit”, thjeshtësinë dhe bisedën e lirshme që bëri me të duke e konsideruar si të barabartë në tavolinë. Ai nuk u lëvdua as për shtëpi-vila dhe makina të shtrenjta, as për pushime në Maldive apo Kankun, as për rroba të shtrenjta e veshje të modës. Jo më kot thonë se amerikanët janë shumë praktikë dhe modestë.

Sisi, as vetë nuk e kuptoi sa qëndroi ashtu, zgjuar… I ngjau se po rrokullisej në një hon të thellë dhe “amerikani” i bërtiste të kapej pas dorës së tij, por ajo nuk e arrinte dot. Ishte duke e cikur për një pëllëmbë, për katër gishta, për një centimetër, por sa herë që mundohej të kapej pas tij, një shkulm ere i fuqishëm e flakte përtej dhe ajo përplasej në ca mure shkëmborë gjithë thepa. Habi, si ishte e mundur të ishte gjallë e nuk po vdiste pas tërë atyre përplasjeve nëpër shkëmbinj të sertë?! Koka i dhimbte dhe qepallat i rëndonin. Përpiqej të hapte sytë, por ata i mbylleshin më tepër. I ngjau se koka po i çahej më dysh dhe nga çasti në çast do t’i pushonte zemra. Pas një përpjekje titanike, më në fund i hapi sytë. Qenkishte në ëndërr. Rrëshqiti pëllëmbën mbi trup, asnjë dhimbje, asnjë plagë. Paskishte qenë në gjumë të thellë. Ishte bërë ujë në djersë. Dhe nuk mbylli më sy derisa drita e agimit depërtoi përmes dritares së vogël, mbyllur me plastmas transparent.

U ngrit, u pastrua më nge duke u përpjekur të mos zgjuajë dy vëllezërit dhe motrën më të vogël. Kohë kishte plot derisa të vinte furgoni i shkollës. Babi ishte ngritur më herët dhe kishte shkuar në punë, në landfill, aty afër. Askush nuk e kishte ndjerë. Të gjithë i kishte lënë në gjumë. Ashtu e kishte punën, fillonte që në pesë të mëngjesit. Ra zilja e telefonit të mamit. Me siguri duhet të ishte nëndrejtoresha, mendoi. Dhe nuk kishte gabuar. U kuptua nga përgjigjet e mamit si: Faleminderit…, ta paçim borxh, … do ta futni në permanent?!… do t’i paguash ti lekët?!… Po, jo… Do marr lejë për orën e fundit të mësimit dhe do të vij … Pastaj ajo u kthye nga Sisi dhe duke u dhënë dritë e shkëlqim syve, i tha:

– Nuk do bësh mësim sot, do të çojë Rabia në Flokëtoren “Bjuti sallon”, permanent a ç’dreqin është, tek një shoqja e saj. Ti nuk ke punë me pagesën, kështu më tha. Do të rregullojnë flokët, do bësh grim televiziv. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë këtë fjalën “grim televiziv”. Qenka punë shumë serioze. Aman, o Zot, ndihmoje të fitojë vajza ime, shih si e kam, yll, pa bërë grim fare. Nuk ka nevojë të marrësh veshje hua. Nisu me më të mirat që ke. Deshën të dërgojnë taksinë, por unë i prapsova. Ja nuk fitove, kush rri e dëgjon gojët e liga pastaj …

4.

Shoferi i furgonit, me t’u futur Sisi brenda automjetit, i tha të ulej në vendin e parë, për atë e kishte rezervuar kreun, e meritonte. “Si, e ditka edhe ky që kam propozim për Amerikë, sa shpejt që hapen lajmet këtu”?! mendoi ajo, por e kishte gabim. Shoferi kishte qenë në koncert dhe i kishte pëlqyer moderimi që i bëri ajo aktivitetit, ky ishte shkaku që po tregohej aq xhentil e bujar, ndryshe nga herët e tjera. Fëmijët shkollarë që kishin zënë vend qysh më parë nëpër sedile, aq deshën, e mbuluan me thirrjet: “Sisi, Sisi”! dhe ajo u ndje krenare. Ishte artiste. Ktheu kryet në drejtim të tyre dhe buzëqeshi ëmbël, ashtu siç di të buzëqeshë vetëm ajo. Ishte e lumtur, në fund të fundit ishte dikush. Po sikur të realizohej ëndërra amerikane? Ky po, do të ishte fat i rënë nga qielli, si me dorë. Ndërkohë furgoni frenoi tek portat e hekurta të shkollës. Nëndrejtoresha e priti në hyrje, i hodhi një sy nga koka tek këmbët, sikur do ta nxirrte në shitje. Veshja nuk i pëlqeu fare, por nuk bzajti, vazhdoi të ecte përpara.

– Kam biseduar unë me mësuesen kujdestare, – i tha ajo në ecje e sipër – rri pa merak, kot e ke marrë me vete çantën e librave, kemi të tjera punë sot. Tani do shkojmë në permanent, pastaj do të bësh një kino-provë me zotin Din. Ai na pret në hotelin “Mediterrano”. Nuk ke pse u jep shpjegime njerëzve, pse do të filmohesh e kush interesohet për ty. I prish shumë punë vetes. Njerëzit janë ziliqarë, varfëria të bën edhe më të lig nga çfarë je. Ti je me fat, moj bijë.

Ishte hera e parë që Sisi hynte në floktore aq luksoze, “Sallon bukurie” shkruhej me llampa neoni, përmbi hyrje. Gjithnjë flokët ia kishte prerë e ëma në shtëpi. Ajo kujdesej edhe për veshjen. Pronarja e priti vetë tek dera e lokalit. Fjala e parë që tha:

– Rabie, kot e solle, kjo qenka e bukur vetë, yll, siç e ka bërë Zoti, nuk ka shumë nevojë për dorën time.

– Do t’i bësh grim televiziv, ka për t’u filmuar nga një i huaj. Llogarinë e kemi së bashku.

– Jo, Rabie, asnjë lekë nuk të marr, kushedi, jemi prindër, fëmijët e mi janë të vegjël, por do të vijnë edhe ata në shkollën tënde. Aq më tepër që kjo vajzë ka për t’u shfaqur në televizion të huaj. Dil, mbaro ndonjë punë dhe kthehu pas një ore.

Grimorja nisi punën me zell. E filloi me flokët, i shkurtoi, u ndryshoi formën, i solli ngjyrë mjalti në gështenjë. I hoqi një rimel të lehtë, pastaj vazhdoi me vetullat duke ia rralluar pak e zgjatur në të dy anët, ndërhyri tek qerpikët dhe i masazhoi gjithë fytyrën. Sisi e ndiqte hap pas hapi në pasqyrë. Ajo punonte shpejt dhe dukej se kishte përvojë të gjatë në këtë profesion. Nëndrejtoresha i kishte treguar gjatë rrugës se ajo kishte mbaruar dy kurse për pemanent në Itali. U habit sa shpejt dhe sa shumë i ndryshoi pamja. Nuk po u besonte syve të vet…

– Me shëndet! Tani na duhet vetëm dhëndëri, – tha me të qeshur grimorja – ky është grimi televiziv, që ta dish ti, ky do pak më shumë pudër, vajzë e dashur. Të shkoftë mbarë e paç fat!

– Faleminderit zonjë!

– E ç’zonjë zeza, më shumë pa punë se me punë, mileti nuk ka lekë.

Nasqirisja e pamjes dhe e fytyrës është gjëja e fundit që u shkon ndërmend, por për ty u kujdeskanë të huajt. Miq të fortë paske!

Sisi u zu ngushtë, por në xhep kishte vetëm lekët e furgonit, asnjë para më shumë ose më pak. Nuk kishte çfarë të jepte në shenjë mirënjohje. Ja tek u duk nëndrejtoresha, kjo e nxori nga sikleti. Nëndrejtoresha mbante një bluzë te re në duar, mbështjellë në celofan. Ia zgjati Sisit dhe i tha ta vishte në moment. Sisi nuk e priste këtë dhuratë. U hutua dhe nuk bëri asnjë lëvizje, mbeti në mes të sallonit si një pemë e thatë, por Rabia pa e pyetur, i hoqi pulovrën portokalli dhe i veshi bluzën prej kambriku, vezulluese, gjithë ujra e cila do t’i shkonte aq bukur me flokët dhe grimin televiziv. Duke dalë nga salloni i bukurisë, me bisht të syrit vuri re si nëndrejtoresha la mbi tavolinën e grimit pesëmijë lekë të reja. Aq sa ata si familje harxhonin për pesë ditë. Në fund të fundit nuk i mbetëm borxh, mendoi.

Zoti Din, sa dëgjoi hapjen automatike të derës së jashtme të hotelit, ngriti kryet nga faqet e gazetës që ishte duke lexuar. Picërroi sytë. Nuk i besohej të ishte Sisi, aq shumë ishte transformuar. Por kur, mësuese e nxënëse u afruan më shumë, e dalloi nga ngjyra jeshile e syve se ajo ishte pikërisht Sisi. Ndjeu mornica në gjithë trupin. Duke lëvizur për t’i takuar, desh rrëzoi kameran që e kishte ngrehur mbi kambalec dhe e kishte bërë gati për punë. U kthye na Rabia dhe i dha një të shtërnguar, e mbështolli në gjoks me duart e tij të mëdha si panxha ariu. Mendoi se ditën e djeshme e kishte rrudhur qesen me të, pesëqind dollarë ishin pak. Do t’ia rriste shumën. Shpejt e shpejt, nga xhepi nxori një letër të printuar dhe ia zgjati Sisit për ta studjuar. Ajo tani duhet të fliste para kameras, të bënte një kino-provë. Ja ku e kishte tekstin, pastaj do të hanin drekë së bashku. Pyeti çfarë dëshëronin. Kur pa se të dyja hezitonin, e bëri porosinë vetë; tani për tani lëng portokalli të shtrydhur për të tre. Sisi u hoq mënjanë duke u marrë me letrën e printuar. Duhet të familjarizohej me përmbajtjen. Dini u ul në kolltuk përkrah Rabies, hapi laptopin, u fut në instagramin e dikujt dhe e ftoi mikeshën e tij të vjetër të kundronte fotografitë që i serviri përpara. Ajo duhet të jepte një mendim.

– Kam një rekomandim nga një miku im, ta marr në Amerikë për spikere këtë vajzën që shikon në foto. Kjo punon në një televizion privat në Tiranë, – i tha ai pa ia ndarë sytë ekranit të laptopit.

Rabia i pa fotografitë një nga një: foto në plazh, në Dubai, në Romë, Paris, në det duke notuar, duke u ngjitur tek kulla Eifel në Paris, përpara Operas së Vjenës, Stamboll, Kremlin, Moskë e kudo. Thuajse gjithë fotografitë ishin të zhveshura.

Dukej ashiqare qëllimi i kësaj vajze me ato foto të ekspozuara: të reklamonte trupin, hiret e saj, sidomos të pasmet.

– Dhe do ta marrësh atje?! – pyeti Rabia e habitur, pa ia ndarë sytë ekranit.

– Kjo është vajzë me përvojë televizive dhe mua më leverdis. Fola me të, por ajo më vuri një kusht të çuditshëm; më tha që ka një dashnor më të ri se ajo në moshë dhe do ta marrë edhe atë në Amerikë.

– Shiko, nga fotot, kjo duket se është një vajzë qejflie, këto lloj vajzash nuk janë për punë, do të të shfrytëzojë për trampolinë, sa për vizë amerikane. Bën një martesë fiktive sa për ta marrë dashnorin përtej oqeanit dhe pastaj: “Lale, ku të kam parë unë ty”?!. Jam kundër, me që më pyete. Sot të mashtrojnë pa ua bërë syri tërr, – bëri vrejtjen Rabia.

– Mbylle kompjuterin, i vemë vizë të kuqe kësaj vajze, po doli Sisi mirë në provë, do të marr atë, e kemi edhe durrësake, patriotja jonë, – tha i vendosur zoti Din.

– Ashtu mendoj dhe unë, – i tha Rabia – mos u sorollat më me këto “kino-prova” larteposhtë, se do biesh në ndonjë kokërr putane e do të hysh në bela aq sa do t’i biesh kokës me grusht, dëgjo motrën tënde …

Sisi tha se ishte gati, nuk kishte pikën e emocioneve, vetëm kërkoi që për herë të parë të filmohej duke mbajtur letrën përpara syve. I dhanë lejë të vepronte ashtu. Ajo lexoi rrjedhshëm, e sigurt, i dha theks llogjik tekstit, por kishte një defekt, e mbante qafën të përkulur. U bënë gati për provën e dytë.

– Nuk ka rëndësi se çfarë mban mend nga teksti, – i tha zoti Din duke i shkuar pëllëmbën e dorës rreth qafës – fol sikur je në sallë, ashtu siç bëre në koncert, përfytyro sikur ky holli i hotelit është plot me njerëz.

Fokusohu drejt kameras, mos harro, sa më e lirshme, sa më vetvetja, aq më mirë, gati, motor, fillo….

Sisi e pati pak më lehtë herën e dytë. Rabia nuk priti mendimin e Dinit, shkoi dhe e puthi në faqe: “Bravo vajzë, nderove prindërit, na nderove edhe ne, sikur ke mbarur shkollë për aktore, kaq e pranueshme, kaq e lirshme dhe e sigurt, bravo, bravo…apo jo miku im, Din”?

– Është e kotë të flas, nuk u heq asnjë presje fjalëve të tua, madje duhet të shtoj se tek kjo vajzë nuk ka fare ngjyra dialekti, ka theks letrar. Kjo gjë mua më intereson shumë. Shqiptarët atje janë nga të gjitha trevat e Atdheut tonë të dashur, – u përgjegj ai vendosmërisht.

Sisi ndjehej e lumtur, ishte afër realizimit të ëndrrës së saj, por çfarë do të thonin prindërit? Asaj nuk i hahej drekë nga gëzimi, donte të shkonte një orë e më pare pranë tyre për të dhënë lajmin e gëzuar se me meritë e kishte fituar kino-provën.

– Urime, vajzë, unë jam i kënaqur me performancën tënde. Nga ne u vendos, nëse bini dakord si familje, për dy-tre muaj je aty. Ty të duhen edhe dy muaj të diplomohesh. Përpara se sa të kthehem në Amerikë, mua më duhet të takoj e të njihem me prindërit e tu. Asnjë hap nuk do të bëjmë pa miratimin e tyre, apo jo motër Rabie?

– Prit një minut, – tha ajo dhe foli me dikë në telefon – alo, urime për vajzën, e fitoi….ke zbitur në Durrës?! Të presim tek “Mediterrano” – mbylli telefonin dhe u kthye nga Dini – po vjen e ëma. Është shumë e interesuar, do të flasë drejtpërdrejtë me ty, Din.

Vajzës i qeshën sytë e i ndriti fytyra. Kurrë nuk e kishte lënë në baltë e ëma, ja edhe këtë radhë, u duk në kohën e duhur. Po bëhej me krahë. E donte shumë të ëmën, nuk ia kishte prishur kurrë. Gjithnjë ato merreshin vesh me njëra-tjetrën me vështrime. “Sisin e kam si shoqe, është pjekur para kohe”, u thoshte vazhdimisht mësuesja e matematikës shoqeve të shkollës. Ja ku erdhi, duke ecur me hap të shpejtë, si gjithmonë. Sytë i mbante ngulur nga e bija. Duke e parë, ashtu të rregulluar në Flokëtore, u gazmend, i ngjau sikur ishte gatitur për nuse. Ndihej krenare për trupin dhe bukurinë e saj: “E zeza, si do të ndahem unë nga kjo, do ma marrin vajzën larg…”, mendoi, por nuk e dha veten, iu drejtua Sisit me ton të prerë:

– Hiqe atë bluzën kambrik, laj fytyrën në çesmë dhe vrap të kapësh furgonin, merrem unë vesh me “amerikanin”.

Ajo nuk e llogariti fare Rabien. Zoti Din mbylli kameran dhe e futi në çantë. “Kjo duhet të jetë me origjinë nga malësitë e Dibrës, si mashkull më ngjan”, mendoi. Sisi u zhduk pas dyerve automatike dhe Dini i ftoi të dy zonjat në restorant. Sa të vinte porosia, nëna e Sisit pyeti se çfarë shkolle dhe pune bënte gruaja e Dinit, sa fëmijë kishte, ku jetonin, a kishin borxhe, si kishte arritur ai të ndërtonte kanal televiziv dhe sa punonjës kishte. Disa prej pyetje mund t’u jepte përgjigje edhe Rabia, por ajo e pa me vend të mos ndërhynte fare. Dini foli për gruan që e kishte minoritare greke, inxhiniere elektronike dhe moshatare me të. Kishin vetëm një vajzë në vitin e tretë juridik. Ajo kishte kaluar infeksion në mitër pas lindjes së vajzës, nuk mund të lindëte fëmijë të dytë. Edhe me një vajzë, ata ishin të lumtur. Për punonjësit në televizion, zoti Din gënjeu, i dhjetëfishoi duke llogaritur edhe bashkëpunëtorët. Pastaj erdhi fjala tek Sisi. Ai i tha se do ta paguante njëlloj si punonjësit e tjerë duke përfshirë edhe shpenzimet e biletës, të vizës dhe çfarë duhej tjetër, t’i drejtoheshin Rabies, ajo do të përgjigjej në emër të tij. “Duhej të nxirrni pasaportë për udhëtime jashtë shtetit dhe së bashku me kontratën 3-vjeçare që do t’u dërgoj nga Amerika, do ta paraqitni në ambasadë për vizë pune”, bëri sqarime të hollësishme ai. Fjalën e fundit e kishte nëna e Sisit:

– Po të besoj dritën e syve, ajo nuk njeh asnjeri tjetër aty, por ama nuk i trembet punës. Fjalën e ka jo-në, jo dhe po-në, po. Nuk di të gënjejë. Apo jo Rabie? Me mësime është e para e klasës. Asnjë fjalë të keqe nuk kam dëgjuar për të, nga askush. Të jemi mirënjohës që e zgjodhe, por nëse ajo ndryshon, është përgjegjësia jote dhe jo për gjë, nëse i ndodh gjë, ke punë me ne dibranët. Mos e harro këtë, t’i themi më përpara të hidhurat, se të ëmblat vijnë vetë.

– Pa merak, do ta kem si vajzën time, nga një, le të bëhen dy, – premtoi zoti Din duke buzëqeshur ëmbël.

5.

Shtatori e zuri Sisin duke udhëtuar me aeroplan. Ishte hera e parë që dilte jashtë kufirit shqiptar, ishte hera e parë që udhëtonte me avion. Asnjë pengesë nuk i kishte dalë në përgatitjen e dokumenteve dhe vizës. Në Amerikë do të mbërrinte mbasdite. Gjatë komunikimit në aeroportet tranzit, pa sa shumë vlerë kishte gjuha anglisht, madje ajo ndihmoi me përkthimet edhe një çift shqiptar që shkonin për vizitë tek djali në Atlanta. Gjatë verës ishte marrë vetëm duke studjuar literaturë televizive dhe anglisht. Pasagjerët e tjerë bënin nga një sy gjumë, por ajo e kishte lënë gjumin në Kënetën e shkripëzuar. Kushedi kur do t’i shihte përsëri shokët e shkollës, prindërit, vëllezërit dhe motrën. Që të gjithë ia kishin zili, edhe maturantët që do të vazhdonin në degët më të mira të Univestitetit të Tiranës.

Aeroplani gjigant, me katërqind vende ulëse, zbriti butë në një nga qindra aerodromet amerikane dhe pasagjerët duartrokitën stuhishëm. U habit si gjithë ajo bina e madhe u ul në tokë aq lehtë, aq qetë, i madh sa Pallati i Kongreseve në Tiranë. Aq shumë njerëz, aq shumë sportele nuk kishte parë kurrë në jetë.

Aeroporti amerikan, ku ajo zbriti, ishte ku e ku më i madh se aeroportet që kaloi në Europë. Brenda tij, nga njeri seksion në tjetrin, pasagjerët qarkullonin me tren. Nëpunësi, apo polici që vulosi pasaportën ishte një një njeri me ngjyrë. I uroi mirëseardhjen dhe e pyeti nëse e priste dikush. Ajo dha shpjegimet e duhura dhe zezaku me mirësjellje, sikur ta kishte parë edhe herën tjetër, i uroi fat. E drejtuan për nga lëmi i transportjerit elektrik ku do të gjente bagazhet e veta. U habit kur pa se i ati paskishte futur brenda valixhes një bidon me raki, peshqesh për zotin Din, pa e ditur ajo. Ishte me fat që nuk e pyetën, ndoshta skaneri nuk e kishte diktuar alkoolin, i cili kishte kufizime për sasinë prej doganës.

Dini, për ta pritur në aeroport, kishte dalë familjarisht, mbërriti me një limuzinë me qira. Aty ajo njohu të shoqen e tij, Xhildën zyzezë, një grua thatime, me gjoksin që nuk i dallohej shumë dhe të bijën studente, e cila ishte veshur vetëm me xhinse dhe mbi shpatulla kishte hedhur një bluzë të hapur në gjoks. Quhej Dalina. Nga pamja ajo ishte tëpkë si i ati; sytë lerushë dhe lëkurën të bardhë e të lëmuar. Ishte studente në vit të katërt për juridik. Zakonisht për fundjavë kthehej në shtëpi, kohën tjetër flinte në një apartamentet afër korpusit të univesitetit, 90 milje larg shtëpisë.

E habitën rrugët gjigante, me katër-pesë korsi dhe lumi i makinave të vogla, veturave lloje-lloje, të cilat rrëshqisnin pandërprerë në rrugët e asfaluara pa një gropë. Ecën rreth tridhjetë minuta. Limuzina e marrë me qira, manovronte midis tyre si një vidër lumi. Po ja ku frenoi lehtë. Kishin mbërritur tek vila e zotit Din, e veçuar, në anë të pyllit. Goxha e madhe, pa rrethim rreth e rrotull. Pemë dekorative nga të gjitha anët. Gjatë rrugës, Xhilda, duke u lëvduar pak, kishte treguar se vila e tyre ishte me dy garazhe, katër dhoma gjumi, katër banja, pishinë dhe kopësht. Lerëm, o Zot të rroj! Vetëtimthi Sisit i shkoi në mendje pyetja: Në kaq pak kohë sa kanë këta në Amerikë, si e kanë vënë tërë këtë pasuri?! Dhe me vetëm një trashëgimtare, Dalinën kanakare. Nuk thonë kot se të jetosh në Amerikë është fat, mendoi.

Pas darkës, Xhilda i bëri gjithë ato pyetje për familjen, edhe pse kishte mësuar diçka nga Dini. Pyeti për ekonominë dhe politikën shtetërore, për të drejtat e grave, jetimët dhe korrupsionin. Dalina u interesua për shkollat, përgatitjen e studentëve, martesat dhe divorcet në Shqipëri. Disa prej pyetjeve Sisi nuk dinte si t’u përgjigjej. Ai që nuk e ngacmoi fare, ishte Dini. Ai hiqej si i pa intersuar, vetëm pyeti se si shkoi udhëtimi dhe a kishte pasur frikë nga lartësitë.

– Dalina do të tregojë dhomën e gjumit, do kemi raste të tjera të flasim gjerë e gjatë, je lodhur nga rruga në hava, – tha Xhilda si me keqardhje -dhoma kemi plot. Rri këtu tek ne pa ndrotje, sa të duash. Kursen edhe qiranë. Asgjë nuk do të zesh me dorë, që në mëngjes vjen një shërbyese zezake, i bën ajo të gjitha punët, që nga larjet, pastrimet e gjithë hekurosjet.

Paskan edhe shërbyese, mendoi Sisi, nuk janë dosido, goxha të kamur.

– Oh, faleminderit, nuk dua t’ju bezdis, – u përgjigj ajo – ju keni privacinë tuaj, çfarë duhem unë këtu?! Mjaft që më sollët nga aq larg dhe më keni punësuar. Na keni bërë me borxh si familje e na keni vënë goxha në siklet. Nuk ua harrojmë kurrë. Prindërit më kanë porositur t’ju falënderoj.

Ishte e vetmja herë që ndërhyri Dini:

– Ne të kemi si vajzën tonë të vogël, aq më tepër që je durrësake, nuk është keq të kursesh disa para duke fjetur këtu tek ne e t’ua dërgosh prindërve ato që mbeten. Në çdo fundjavë vjen Dalina dhe dilni së bashku për argëtim.

– Ju lutem, nuk e vendos unë, do ta bisedoj me mamin dhe do t’u them. Nesër e kam lënë të lidhem e të flas me të.

Ndërsa Dalina mezi priste t’i rrëfente dhomën e gjumit. E mori për krahu, i tregoi dollapin, banjën, dushin, detergjentët, çelësat e dritave, një palë pizhame të reja, vendosur mbi krevat dhe rroba të brendshme, të pahapura fare. Madje nuk kishte harruar të blinte edhe një çift furçash dhe pastë dhëmbësh të shtrenjtë, aromatike. Ishte kudo pastërti dhe binte erë parfum. Para se t’i uronte natën e mirë, ajo e njoftoi se të nesërmen do të dilnin nëpër dyqane të bënin shopping.

Sisi u kujtua se me vete e ëma i kishte vënë vetëm 100 dollarë amerikanë, mund t’i harxhonte në rast emergjence. Edhe ato, e shkreta nënë, kushedi ku i kishte marrë hua. Me çfarë i mbetej të bënte shopping?!

…..

Një rreze dielli, e cila depërtonte tinëzisht prej grilave të bardha plastike, e përkëdheli Sisin në sy e në ballë. Ishte si nëpër gjumë. I ngjau se erdhi vëllai i vogël dhe e guduliste me një pupël zogu në fytyrë, kështu bënte zakonisht për ta zgjuar nga gjumi. U ngrit, kishte fjetur shumë. Tani në Shqipëri, sipas ndryshimit të orës, i binte kohë dreke. Nuk ishte në Durrës, por shumë larg, një oqean kapërcyer. Krevati ishte gati i paprishur. Ishte futur drejt e nën një jorgan të hollë, zhytur e gjitha në dyshek të trashë. Dalina i kishte thënë se mund të bënte dush edhe para gjumit edhe në mëngjes. Lavdi Zotit që banja ishte ngjitur me dhomën dhe nuk ishte nevoja të zije radhë si në tokat e shkripëzuara të Kënetës.

Falënderoi në heshtje Zotin, prindërit, nëndrejtoreshë Rabien dhe bosin, Dinin. Ata bënë të mundur këtë ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën e saj 19-vjeçare. U la, u kreh, veshi kostumin sportiv që i kishte bërë dhuratë një natë më pare Dalina, të cilin ia kishte lënë të palosur përmbi karrige. Hapi derën të dilte në korridor, por papritur diçka e zezë iu faneps përballë. Kërceu përpjetë dhe thirri me lebeti. E trembi një njeri i panjohur. Paskishte qenë shërbyesja. Kishte harruar çfarë i treguan ata gjatë mbrëmjes për shërbyesen zezake. Nga “lëmshi i zi” zbardhën një palë dhëmbë borë të të bardhë e të rregullt. Prej gojës së saj doli urimi i përzemërt: “Uellkëm Ju Es Ei!” (Mirë se erdhe në SH B A).

Në shtëpi ishte vetëm Dalina, çifti ishte nisur për punë. E bija e tyre ishte ulur në sallonin e pritjes, këmbë përmbi këmbë, me një kafe të madhe amerikane përpara, zbathur, veshur me pizhame të holla, gjoks-hapur. E pyeti për gjumin, për shplodhjen dhe gjendjen shpirtërore. I vuri përpara senduiç, kafe dhe ujë me shishe të vogla prej qelqi. Sisi hëngri me qejf, pastaj, duke lëpirë buzët, u hoq mënjanë dhe u lidh në telefon me të ëmën. Dalina shkoi të vishej, ose ndoshta e la qëllimisht vetëm, të komunikonte pa drojë. Ajo i tregoi së ëmës se i kishte lexuar mesazhet që i kishte dërguar në celular, por donte t’i dëgjonte zërin. Sisi e pyeti nëse duhet të qëndronte në shtëpinë e tyre, siç ata i propozuan njëzëri, apo të merrte apartament me qira.

– Në asnjë mënyrë, – e porositi ajo – sa më parë në folenë tënde, nuk është një ditë e dy, por për gjithnjë. Sa më pak të hysh në borxh, aq më mire është. Mos ma bëj më këtë pyetje. U morëm vesh, besoj.

Mbylli telefonin, u vesh shpejt e shpejt dhe nxitoi të arrinte shoqen e re amerikane. Zbritën të dyja në garazh. Dalina e ftoi të ulej në vendin e parë të një makine “Lexus”, akull të re. “Ma ka blerë babi, dhuratë për ditëlindje”, i tha ajo gjithë mburrje. Ndihej një erë parfumi e fortë që të shponte hundët. Dolën në rrugë të madhe dhe pas pesëmbëdhjetë minutash hynë në qytet. Sisi ngrinte kokën përpjetë duke dalë paksa jashtë dritares së makinës. “Kujdes, mund të vritesh, do parkojmë në qendër, aty ka plot qiellgërryese, po a do gjejmë vend vallë”?! i tha ajo dhe hyri në një tunel të ndiçuar me drita të forta neoni. Tuneli dredhonte nën sheshin e qytetit, duke zbritur. Ajo u rrotullua, eci pesë kate më poshtë. Gjithçka automatike, vetëm me kartë elektronike hapeshin e mbylleshin portat.

– Nëse unë mbetem vetëm këtu, mund të humbas, – i tha Sisi kur po shkonin drejt ashensorit – mund të më gjeni vetëm me qen policie.

Dalina qeshi me zë dhe kubeja e parkingut shungulloi. Për dhjetë sekonda u ngjitën me ashensor e dolën në dritë dielli. Të dy vajzat hynë në një dyqan të madh sa sheshi “Skënderbej” në Tiranë. Sisi vuri re se kishte veshje edhe më të lira sesa në Shqipëri dhe këmënguli të blejë nga ato, por Dalina buzëqeshi, pastaj tharëtoi buzët, ishte e pakënaqur me zgjedhjet dhe shijet e saj. I tha se kishte ndjekur në ekran si vishen spikeret e kanaleve televizivë amerikanë; nga ato veshje duhet të synonin të blenin. Sisi u skuq deri në rrëzë të veshëve, deshi t’i thotë se vetëm 100 dollarë kishte me vete, por iu mor goja, u mat t’i nxirrte nga xhepi, pastaj në çastin e fundit u tërhoq. Dalina përsëri buzëqeshi, nxori nga çanta një kartë krediti dhe i tha se kjo i përkiste asaj. Do të bënin shopping me atë kartë, për kod kishte katër numrat e vitit të ditëlindjes së saj, por edhe mund t’i ndyshonte sipas dëshirës. Bënë blerjen e parë dhe ajo e mësoi si të paguante.

Vazhduan më tej dhe gjetën një kostum femrash i cili në trup i rrinte mirë dhe si ngjyrë i shkonte për mrekulli. U vunë syrin një lloj këpucësh me taka dhe më vonë sandale të modës së fundit. Edhe ato i blenë pa hezituar. Vazhduan më tej dhe Dalina kishte të tjera sugjerime.

– Po çfarë bën kështu, sistër, po bën kërdinë – i tha Sisi me qortim e dashamirësi, – nuk do martohem sot, në televizion do dal, këpucë dhe rroba kaq të shtrenjta nuk kam përdorur kurrë, të gjitha firmato.

– Sa budallaqe që bëhesh, kjo është një qime nga paratë që ka mënjanë babai. Ai më ka porositur të lakmoj edhe më të shtrenjta se kaq. Do të duket, nuk e njeh mirë ti, të kapardiset para bashkëkombasve kur të të shohin në kanalin tv “Iliria Life”. Ti je për të si një vitrinë. Bota është reklamë, motër e dashur.

Sisi, e përkëdhelur në sedër, buzëqeshi e lumtur. Ajo vlente. Futi dorën në xhepin e pantallonave xhins dhe në pëllëmbë i kërciti qindshja që i kishte vënë e ëma me vete. Kartmonedha ishte aty. Gjithçka në rregull.

6.

Ishte dita e parë e punës. Sisi, e veshur me rroba të reja dhe këpucë me taka të larta, dukej si një zonjushë e vërtetë amerikane. Bëri kujdes të hyjë me këmbën e djathtë, ashtu siç e kishte porositur e ëma. Godinën e Televizionit “Iliria Life” ishte vetëm kati i parë i një pallati të ri, në fund të qytetit. E pritën dy kameramanë shqiptarë dhe një montazhiere amerikane. Ata kishin kohë që e kishin mësuar mbërritjen e saj nga Shqipëri. Shoqërohej nga vetë pronarët. Xhilda i tregoi studion e lajmeve, dhomën e montazhit dhe arkivin.

– Kaq është, nuk ka më?! – pyeti e habitur Sisi dhe kërkoi me sy Bosin, por ai kishte avulluar.

“Sa televizioni i Shijakut”, i shkoi ndërmend dhe i hipi një dëshirë për t’i flakur tej këpucët me taka. U kujtua se kishte firmosur një kontratë pune trevjeçare dhe i ishte premtuar një rrogë neto 3200 dollarë në muaj. Në fund të fundit këtu kishte ardhur për punë dhe shkollën e lartë.

Ditët e tjera mësoi se një nga kameramanët bënte edhe një punë të dytë, ndërsa tjetri ishte student. Po ashtu edhe Xhilda punonte në profesionin e saj në një kompani elektronike, por gjithë kohën tjetër e shpenzonte në televizion, ndërsa zoti Din kujdesej për reklamat dhe shkonte vetë biznes më biznes qoftë për të xhiruar ato, qoftë për t’i montuar në studio. Ndryshe nga në Shqipëri, Sissi po shihte këtu se pronarët e bizneseve dilnin vetë në reklamë dhe direkt me zërin e tyre u bënin thirrje klientëve të blinin produktet e tyre apo shërbimet. Asaj vetë iu duk shumë e lehtë të jepte dhjetë minuta lajme çdo drekë, në orën 1 pm, shumica anonçime të kronikave që sillnin kameramanët, nganjëherë të pa montuara fare.

Sa herë që Bosi e gjente duke biseduar me kameramanin, sidomos studentin, nxihej në fytyrë dhe i thoshte gjysëm i zemëruar se nuk ke ardhur në Amerikë për vakanca, por për punë. Hapi fronte pune vetes, vre mendjen. Asnjë nga ne nuk kemi mbaruar për gazetari, vetëm Xhilda është në profesionin e vet. Sa ktheu krahët, Studenti iu afrua Sisit dhe i tha; “Ky është trap, por shumë i zoti për të gjetur e gërmuar dollarë, thuaji të hapë një rubrikë me përshëndetje këngësh popullore shqiptare kundrejt pagesës. E kisha si ide për vete, por ty të duhet më shumë, propozoja”.

Të nesërmen në mëngjes Bosi bëri mbledhje të stafit dhe tha:

– Secili nga ju, me përjashtim të montazhieres, do të sjellë brenda javës nga dy përshëndetje prej miqve e shokëv për 20 dollarë përshëndetja, tani për tani. Po patëm rezultate, do ta ngremë tarifën. E dini i kujt është ky propozim, i më të resë prej jush, i Sisi Kallfës. Bravo Sisi, ti do të merresh me këtë rubrikë. Këngë ke sa të duash në fonotekë. Kam sjellë me arka nga Shqipëria.

Kameramani qeshte mbyturazi pas pëllëmbës së dorës dhe tinëzisht i shkeli syrin Sisit. Edhe ajo buzëqeshi në shenjë falënderimi.

Pas dy javësh, Sisi dol inga vila e Nedin Rrëqebullës dhe u strehua në një apartament të vogël. Ishte një telash më vetë hapja e shtëpisë së re, por kolegët u bënë copë duke e ndihmuar me çfarë të mundnin; enë, detergjentë, mobilie të vjetra, krevat, televizor, ndërsa dyshek, jorgan dhe çarçafë ia bleu Xhilda dhuratë.

Dini nuk dha asgjë, ishte i pakënaqur që ajo iku pa miratimin e tij nga vila ku i kishte të gjitha kushtet, ku e ku më të mira sesa ky apartament i vjetër. E ëma kërkonte t’ia niste me video çdo pajisje dhe bënte sugjerimet e veta si të kompletonte dhomat e deri banjën. “Tani më gjeti shpirti rehat, hape shtëpinë tënde, të rrish me shëndet, shpirti i mamit, u rrite para kohe, më ike nga gjiri…”.

Pikërisht kur Sisit nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, zoti Din i mbiu në derë.

– Kam ardhur për urim, por edhe për të biseduar për punë, do dalësh në ekran me gjoks hapur, vetëm me një bluzë mëndafshi ngjyrë rozë. Ti je vajzë simpatike, ke gjoks të bukur dhe diçka duhet të ekspozosh që të na shtosh shikueshmërinë.

– Të lutem, mos ma bëj këtë, çfarë do të thonë në Durrës e Dibër kur të më shohin që unë nxjerr gjoksin përjashta? Jo, nuk e bëj dot.

– Unë them që duhet ta bësh, nesër në të njëjtën orë unë do të vij me kamera të bëjmë prova. Edhe bluzat do të t’i blej unë? Sa e pate numrin?

Dhe nuk priti të marrë përgjigje. Sisi nuk i mbajti dot lotët, ata vetvetiu i rrodhën përmes faqeve dhe i qëndruan në gjoks. Zoti Din iu shmang diskutimit, por doli jashtë derës si shiu me erë. Ajo e dinte se ai kur të qepej për një gjë, nuk të shqitej, bëhej rrodhe. Rrodhe? Më keq akoma, rrëqebull. Kërkoi në internet çfarë ishte rrëqebulli? Një kafshë mishngrënëse, më i madh se macja, veshngritur si gjethe thane … që jetonte në vetmi duke gjuajtur dhi të egra, kaproj dhe lepuj. U hidhej befasisht mbi kokë dhe nuk shqitej prej aty, sido që ta përplasje, gjersa i mbyste.

Sa të nevojshme e kishte të kuvendonte me të ëmën, por kishte frikë se ajo do acarohej në kulm dhe do t’i thoshte të kthehej sa më parë. Atëherë i bënte të gjitha ëndërrat të bëheshin shkrumb e hi.

Të nesërmen, në të njëjtën orë, si atëherë me aparat xhirimi në krahë, ai erdhi në hyrjen e apartamentit të saj. Ajo e pa nëpërmjet syrit magjik. Nuk kishte sesi të mos ia hapte derën. U soll si zakonisht, sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

– Xhvishu, – e urdhëroi ai. Sisi nuk lëvizi nga vendi.

– Ja kështu, – i tha ai. I hoqi bluzën dhe i këputi sytjenat me dhunë. Me shpejtësi ajo mbuloi gjijtë me duar. Turp, o Zot, ai i pa gjoksin që as e ëma nuk ia kishte parë ashtu. Di i hodhi në fytyrë bluzën që kishte blerë për xhirime dhe përsëri me ton urdhërues, thirri:

– Vishe!

Sisi e mbuloi krejt gjoksin dhe u ndje pak më e qetë. Zoti Din i vuri një letër përpara, si atëherë në hotel “Mediterrano” në Durrës. Vetë u përqendrua tek kamera, por vuri re se ajo i mbërtheu të gjitha kopsat dhe “ftonjtë” i kishte fshehur. E la kameran mënjanë, u ul pranë saj dhe ndërroi taktikë. I tha duke i lëmuar flokët: Televizioni është jeta ime, shikuesit janë dollarët tanë, dollarët e tu. Ne duhet të bëjmë çmos t’i afrojmë sa më shumë pranë nesh. Sakrificën këtë radhë duhet ta bësh ti. Ti e di sa të dua unë dhe çfarë përpjekjesh kam bërë që të mora këtu. Të ishte ndryshe unë gjeja një vajzë tjetër, por ti je e paprekur, si një lule pylli.

– Fillo!

Por ajo nuk mund të fillonte, psherëtima të dhimbshme iu ngjitën gjer në grykë. Stomaku i ishte bërë gropë dhe lotët i shpërthyen si krua. Ishte krejt e vetme në mes të Amerikës, çfarë mund të bënte, kujt t’i ankohej? Ai iu afrua tamam si një rrëqebull dhe një nga një nisi t’i zbërthejë kopsat e bluzës transparente. E puthi në faqe, në gjoks e kudo. Ajo përpiqej t’i hiqte duart, por ato e kishin mbërthyer si darë. Rrëqebulli i ishte hedhur në grykë dhe pas pak do t’i ngulte dhëmbët. Njerën dorë e rrëshqiti në mes të shalëve. Sisit i shkrepi në mendje si vetëtimë ideja të sakrifikonte diçka për të shpëtuar më të rëndësishmen, nderin në sy të opinionit. I tha:

– Ti po kërkon seks nga unë? Po e di që unë jam më e vogël se vajza jote? Pra, i mbetet të sakrifikoj edhe opinionin edhe të bëj dashuri me babain tim.

– Zgjidh e merr, – i tha Dini krejt i skuqur në fytyrë, si një mëlçi derri – ose opinionin, ose dashuri me mua, babain.

– Atëherë nuk do ma kërkosh kurrë më të hap gjoksin në televizion?

– Jo, kurrë më, betohem…

7.

Sisi u kujtua se dikur Dalina kishte harruar në apartamentin e saj një pako me teste shtatëzanie, po nuk mbante mend se ku i kishte vënë. Nuk la vend pa kërkuar, po nuk i gjente dot. Ndoshta ajo i kishte marrë përsëri. T’i telefononte për ta pyetur? Jo, nuk mund t’i tregonte, ndryshe ajo do të dyshonte me të drejtë se kishte bërë seks. Vetvetiu lindëte pyetja: me kë? I kishte mbetur vetëm një vend pa parë e kontrolluar, mbrapa aparatit të televizorit. Kërkoi edhe atje. Ja ku ishin, të mbuluara nga një tis pluhuri i hollë, pa i pastruar kush me muaj të tërë. I hapi me kujdes, lexoi udhëzuesin dhe bëri pikë për pikë sipas hapave që përshkruheshin në letrën përcjellëse. Testi tregonte vetëm një shkallë, tek seksioni C. Mrekulli, ishte negative. E përsëriti edhe një herë. Po i njëjti rezultat. I shkroi mesazh në celular Zotit Din: “E kontrollova kasetën, nuk ka asgjë brenda, doli negative”. Ai e mori në telefon menjëherë:

– Isha i bindur, futju punës, mos u sorollat vërdallë dhe pas ca ditësh mos harro të kontrollosh përsëri. U kuptuam, besoj.

Kaluan 77 ditë, sa herë që zhvishej, ajo kontrollonte barkun para pasqyrës. Asgjë e dyshimtë. Oreksi i ishte shtuar dhe nuk u thoshte kurrë jo çokollatave që i sillte dhuratë Studenti, kameramani. Më në fund zotit Din nuk iu durua pa shkelur në apartament, e bëri zemrën gur dhe një mbasdite vonë, trokiti në derë. Kur ajo e pa nga syri magjik, duhet të themi të vërtetën, u gëzua. Ai e puthi me mall në faqe e buzë. Ende, pa u rehatuar në kolltuk, e pyeti se ku i kishte blerë testet. Ajo I tregoi të vërtetën, ishin të Dalinës. Dini u skuq gjer në majë të veshëve, por nuk tha asgjë. Pas pak e mblodhi veten dhe si i zënë në faj, pyeti:

– Ke të tjera, mund t’i shoh?

– Ja ku janë, nga dhjetë, kanë mbetur pa përdorur edhe tri copë. I mori, i pa me kujdes, diçka dyshoi dhe nxori nga çanta syzet optike.

– Të kanë plasur sytë?! Nuk sheh që këto janë të skaduara dhe u ka kaluar afati? Lexo këtu, me shkronja fare të vogla.

Sisi u trondit, hapu dhe të futem, paskam qenë idiote, si nuk kontrollova datën e skadencës, mendoi dhe i ra tavolinës me grusht.

– Iku kjo punë, kam gjetur një mjek gjinekolog kinez, do shkojmë së bashku në klinikën e tij. Po dal të blej vetë në farmaci teste të reja. Më prit këtu, do kthehem menjëherë.

Ashtu bëri, u kthye pas njëzetë minutash.

– Hapi, bëje tani testin.

– Nuk më bëhet tani ujët e hollë, – i tha ajo si një nxënëse e turpshme që nuk ka bërë detyrat e shtëpisë.

Ai u nxeh, ngriti dorën dhe e goditi me shpullë. Jo një, por disa herë radhazi. Asaj i dogjën sytë, por duroi, nuk qau, veçse e urreu tmerrësisht dhe nën zë pëshpëriti “Hajdut i poshtër”. Ai iku me rrëmbim, i bërë xhind, pa thënë asnjë fjalë. Sa mbeti vetëm, Sisi bëri dy teste të njëpasnjëshme, të dyja dolën pozitivë. Instiktivisht vuri dorën në fund të barkut dhe bëri betimin: “Do të mbaj, do të rrit, ti je imi”!

Të nesërmen ajo nuk kundërshtoi për vizitën, as i tregoi se kishte bërë teste. U nisën për tek doktori kinez. Ishte ulur në vend të parë të minivenit, nga ana e dritares. Kryet i mbante të mbështetura pas xhamit. Me atë donte t’i thonte se ende i digjnin faqet nga shpullat që padrejtësisht kishte ngrënë. Nuk mund t’ia falte. Prindërit nuk kishin vënë kurrë dorë përmbi të. Po Nedin Rrëqebulli ku e gjeti atë të drejtë?

U krye vizita, shumë e hollësishme, madje edhe me ultratinguj. Doktori kinez dha konfirmimin se ajo ishte shtatzanë, rreth tre muaj, por gjithashtu tha se në këtë shtet janë të ndaluara me ligj ndërprerjet e shtatëzanisë dhe po të kapën, gjobat janë shumë të larta, deri në burgosje. Sisi u gëzua, por nuk shprehu asnjë shenjë kënaqësie në sy të tyre. “Rrëqebulli” u nxi në fytyrë dhe u bë për t’ia hequr vetes me plumb në ballë.

Në kthim asnjë fjalë, sikur po shkonin në një varrim. Dini diçka bluante në kokë, diçka thurte nëpër mend. Kishte një plan. “Ku dreqin u ngatërrova me këtë fëmijë”?! tha nëpër dhëmbë. Sisi vendosi të komunikonte me të ëmën që atë ditë.

Duhet t’i tregonte situatën. Pa orën e celularit. Në Shqipëri duhet të ishin në gjumë. Ngjitën shkallët e apartamentit në heshtje. Dëgjoheshin vetëm hapat.

– Zbuloje barkun, ta shohim me sytë tanë, tani, – urdhëroi me zë të forte Bosi.

Sisi parandjeu diçka të keqe dhe u përgatit shpirtërish për vetmbrojtje. Zbuloi barkun ngadalë. Kur Dini u mat të qëllonte me grusht drejt e në kërthizë, ajo u rrotullua dhe u mbështet tek këndi, midis frigoriferit dhe dollapit. Grushti e goditi në ije. Frigoriferi u kthye përmbys. “Rrëqebulli” kërkonte gurmazin e presë së vet.

Këtë radhë kishte kapur një drenushë. Goditi me majën e këpucës. I dërrmoi pulpën. Cudi, ajo as kërkonte falje, as bërtiste dhe as qante, vetëm mallkonte, e bërë helm në shpirt. Mbështolli barkun me të dy duart në një ndeshje fare të barabartë. Duhet të mbronte embrionin e foshnjës. Krahët i kishte të fortë, krahë pune. Dini rrëmbeu luharen, lugën e madhe prej inoksi dhe ia vërtiti mbi krahun e djathtë. U dëgjua si kërciti kocka e parakrahut. Në çast i thirri mendjes dhe ndali tërbimin. Iu kujtua policia dhe u tërhoq. Iku me shpejtësi duke lënë derën e apartamentit të hapur. Nga larg dëgjoi sirenat e policisë. “Kushedi ku shkojnë. Ajo është pa asnjë mbështetje këtu. Në borxh kokë e këmbë”, mendoi. Mirëpo dikush nga katet e sipërme të pallatit kishte dëgjuar e regjistruar gjithçka me celular.

Dritarja kishte qenë e hapur dhe në atë natë të qetë, gjullurdia dhe zhurma, dëgjohej gjer lart. Amerikanët nuk janë aq indiferentë sa duken në pamjen e parë.

***

Pas mjekimit, Sisin e intrevistoi dhe incizoi një police. Ajo iu përgjigj të gjitha pyetjeve me saktësinë më të madhe. Të nesërmen mësoi se po atë natë kishin arrestuar edhe Nedin Rrëqebullin, pronarin e Televizionit “Iliria Life”. Pas mesnate ra zilja e telefonit të Sisit, ajo mendoi se ishte e ëma. Zëri matanë vinte si i ngjirur.

Ishte numri i celularit të Xhildës:

– Bukëshkalë, sa shpejt i harrove të mirat tona! Të kam trajtuar si vajzën time. Na shkatërrove si familje, na vure flakën. Naa, tani duhet të paguajmë edhe dobiçin tënd për gjithë jetën!

Sisi nuk i ktheu përgjigje. Mendoi se në Shqipëri ishte mëngjes dhe duhet të fliste me të ëmën. Ishte e sigurt se ajo do ta mbështeste. Prit kur të vinte prej andej.

Mississauga, dhjetor 2022.
Please follow and like us: