Vlora Obertinca: Dhënia e dashurisë së pakushtëzuar…
“Dhënia e dashurisë së pakushtëzuar paraqet përjetimin e frekuencës më të lartë të ndriçimit shpirtëror për atë që e dhuron këtë dashuri, ndriçim që e kërkojnë të gjithë shpirtrat, por vetëm disa janë të përzgjedhur ta çajnë këtë rrugë të vështirë”, Vlora Obertinca.
“Njerëzit që dhurojnë dashuri nga vetja e tyre, qoftë edhe në heshtje vetëm me mendjen e vet, e kanë jetën e tyre nën kontroll, janë emocionalisht të ekuilibruar dhe patjetër të suksesshëm në jetë. Të gjithë i duan këta njerëz, duke mos ditur t’i shpjegojnë arsyet reale të simpatisë natyrale ndaj tyre, duke i përshkruar si njerëz të mirë, humanë, zemërgjerë, bujarë, fisnikë etj. Këta njerëz nuk janë jashtëtokësorë, as nuk janë të shenjtë, por vetëm dinë ta shfrytëzojnë këtë dhunti që Zoti ua ka falur atyre, por edhe të gjithë ne, që nuk jemi të vetëdijshëm për këtë bekim të madh që e bartim gjatë tërë jetës. Jemi të bekuar me këtë energji hyjnore, me emrin dashuri e pakushtëzuar.
Unë hyj në grupin e këtyre njerëzve që çdo ditë dhuroj shumë dashuri të pakushtëzuar për të gjithë dhe për çdo gjë që më rrethon. Mësime këto të marra në shkollat metafizike, shumë të vlefshme për mua dhe për të gjithë njerëzit që janë në kontakt me mua.
Tani besoj se mund ta merrni me mend pse njerëzit, që më njohin dhe nuk më njohin, kanë një ndjenjë të dashur dhe të veçantë për mua, kjo sepse, nën vetëdijen e tyre, të gjithë këta njerëz marrin nga unë dashuri të pakushtëzuar, pa qenë të vetëdijshëm fare, sepse nuk kemi nevojë t’u tregojmë se ju dërgojmë dashuri. Unë ju dërgoj dashuri, sepse për mua, nuk ka përjetim më të mirë se sa t’i bëj njerëzit të ndihen mirë, të dashur dhe të lumtur”.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit” e autores Vlora Obertinca.
Please follow and like us: