Fritz Radovani: Mbi poezinë ‘Atdheu” botue prej shoqnisë ‘Bashkimi’
AT GJERGJ FISHTA O.F.M. (1871 – 1940) Grafikë nga F.Radovani.
Kjo kangë e botueme së parit në vitin 1902 (libri i tretë i këndimit), botue prej Shoqnisë “Bashkimi”, asht deri diku punim i nji poezisë kroate popullore të njohtun, përshtatë prej Autorit. Ndikimi i gjuhës së huej këtu nuk ndihet aspak. Megjithse ka 40 vjet qi asht botue, gjuha asht e pastër dhe e rrjedhshme.
Prej dorëshkrimit shohim se kjé shkrue me 12-3-1896, me titull Arbnis.
Strofat e kësaj janë të prekuna të gjitha ma vonë.
- N’ ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem kndon,
N’ ty mendoj kur soset dita,
Têrri boten kur e mblon.
2. Veç se ty të shoh un n’ anderr,
Veç se ty, çuet, t’ kam n’ mendim;
Nder t’ vështira ti m’ jé qanderr,
Per ty i lehtë m’ vjen çdo ndeshkim.
3. Tjera brigje, fusha e zalle
Un kam pa, larg tue ba shtek,
E pergjova tjera valle,
N’ tjera lule syu m’ u rrèk;
4. Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’ rri,
Ma i kulluet nji lum s’ dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ké ti.
5. N’ ty ma i bukur lulzon prielli,
Janë ma t’ kandshme stinë e mot;
N’ ty bylbyli pa lé dielli
Kndon ma ambel t’ Madhit Zot.
6. Pa ty lules s’ m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’ bjen;
Mue pa ty nuk m’ del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’ shkelxen.
7. Dersa t’ mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’ kam me t’ harrue,
Edhe n’ vorr me t’ permendë kam.
1902
Shënim nga F.R.:
Edhe n’ vorr me t’ permendë kam.
Kam bindjen se gjithshka nder këto poezi asht një parandjenjë e fuqishme!
Sot asht një fat i madh që kujtojmë ditlindjen e Autorit dhe 30 Dhetorin e 1940.
Po Rinia Shqiptare a do të mërrijë me e kuptue këte varg të At Fishtës?
Besoj se po!
Pa At Gjergj Fishten dhe pa Veriun e Shqipnisë a ka ATDHE?!
Pa ty lules s’ m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’ bjen;
Mue pa ty nuk m’ del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’ shkelxen.
Dersa t’ mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’ kam me t’ harrue,
Edhe n’ vorr me t’ permendë kam.
Melbourne, 28 Dhetor 2022.