Kliton Nesturi: POEZIA E SOKOL OLLDASHIT
Në historinë e letërsisë, ka fate dhe kategori të ndryshme autorësh. Ka prej atyre që tentojnë të hyjnë qysh në fillim me bujë e zhurmë dhe ia arrisin jo në pak raste kësaj kur prej kritikës verifikohen si talente dhe autorë të vërtetë, apo prej atyre që hyjnë me zhurmë dhe mbesin pastaj në heshtje, ashtu siç ka prej atyre që hyjnë “heshturazi”, pa tentuar të bëjnë jetën e zhurmshme dhe të bujshme të autorëve, por që në fund mbesin në histori dhe kujtesë si autorë të vërtetë. Në ditët e sotme kjo është e rrallë, por ja që ndodh dhe është e vërtetë. Njëri prej tyre është Sokol Olldashi, i cili pas ikjes së tij nga kjo botë dhe shoqëri e ndyrë dhe hipokrite, na la si testament krijues librin e tij “Unë dhe Unë”. Ndryshe prej shumë të tjerëve, që në fund të rrugëtimit të tyre lënë fjalët dhe zhurmën, ai la veprën.
Duke lexuar me vëmendje poezitë e përfshira në vëllimin “Unë dhe Unë”, qysh në fillim dallohet një poezi origjinale, e pandikuar shumë prej të tjerëve, autorëve dhe rrymave që vërshojnë nga të katër anët në jetën krijuese dhe kulturore. Mund të duket e çuditëshme, por kjo, sipas meje, është e vërtetë. Poezia e tij na dëshmon se Sokol Olldashi është prej atyre poetëve që ndërtojnë një stil dhe sistem vlerash pa dashur të imitojnë askënd, e që në fund shohin se janë vetvetja. Meqenëse e gjithë poezia e tij shtrihet në një hark të madh kohor, edhe format e saj përfshijnë një diapazon të gjerë, Ato shtrihen që nga poezia e qetë e përshkruese, në dukje me kendvështrim horizontal, e deri tek poezitë ekzitenciale, me depërtim të thellë vertikal, duke depërtuar shumë thellë Unit të krijuesit, i cili është edhe Uni njerëzor, fati i tij në këtë botë të amullt, ku mungojnë koordinatat dhe drejtimet.
NATYRË E QETË
Mbi tryezë
një shishe rumi,
një kuti cigaresh
dhe…
“ Tre shokët”
i hapur në faqen e fundit…
apo:
VETËM SHPIRTIN KAM…
Vetëm shpirtin kam…
Merre, ta fal!
Si shkëmbim,
vetëm një puthje
ta fus në akuariumin e formalinës
prej nga shpirtin nxorre
e, para se të vdes
të ta kthej sërish.
Mbaje shpirtin përjetësisht.
——-
Maj,1993
apo:
TË DIELËN
Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dal dielli ende në ndajnatë.
S’do ta zgjoj, jo, rojen syfjetur,
Qetësisht do mbyll portën prapë.
Do eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash, të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do të gjej të ngul kryqin
Në dheun nga shirat bërë llohë.
Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiri do ta ndez,
Do ta fsheh paketën nën plis
Ta pi ngeshëm, pasi të vdes
E të ik….
apo:
UNË DHE UNË
Një hije varet tek unë
me thonjtë e gjaktë
ngulur në venat bosh.
Unë varem pas një hijeje
me dhëmbët e mij të helmët
sytë i nxjerr.
Kafshojmë njeri-tjetrin
unë dhe hija,
vritemi hija dhe un.
Vdesim, unë dhe Unë.
Janë katër poezi, të cilat edhe syri edhe dora mund t’i kapin rastësisht sapo hap vetvetishëm e shpengueshëm faqet e librit, të cilat dëshmojnë për atë që u shkruajt më lart, e në një farë mënyre përfshijnë fazat nëpër të cilat ka kaluar krijimtari e Sokol Olldashit, ato dëshmojnë stilin dhe talentin, punën me figuracionin ngjeshur, të pasur e të pastër artistik, të cilat janë tregues i shkallës së tij të lartë artistike. Natyrisht, sipas kënvdështrimeve të ndryshme personale, Olldashi ka edhe poezi më të bukura. Jam plotësisht dakord me këdo që shprehet në këtë mënyrë, pasi kjo tregon se poezia e tij ia arrin qëllimit duke komunikuar me të gjithë lexuesit. Ajo është një poezi njerëzore, moderne si nga mendimi ashtu edhe nga struktura, shkalla kompozicionale dhe gjetjet artistike. Brenda tyre shohim jetën, që nga etydi i thjeshtë e deri tek metamorfozat e jetës brenda njeriut.
Larg kostumit të politikanit, me të cilin u mësuam ta shihnim gjithnjë, Sokol Olldashi është një poet rebel, i dashuruar me të bukurën dhe i pakënaqur me realitetin, i dhembshur dhe i përkushtuar, por edhe kërkues dhe qortues ndaj vetes. Ai ka guximin të shoh brenda vetes së tij, duke na e dhënë atë në formë të sinqertë. Në fund të fundit, njeriu në rradhë të parë, duhet të jetë i sinqertë me veten. Kjo filozofi është edhe boshti në të cilën vërtitet krijimtaria e tij. Poezia e Sokol Olldashit është reflektim i epokës në të cilën jetojmë, është shpirti rebel dhe bohem, larg dogmave dhe filozofive politike.
Ndryshe nga mjaft të tjerë, pavarësisht se nuk bëri jetën e poetit dhe të shkrimtarit, Sokol Olldashi mbetet në letërsinë shqiptare si një individialitet krijues, i cili herët apo vonë do të ketë pasardhësit e vet.
KËNGA
Këndoje miku im i panjohur
këngën që e preve në mes,
këndoje
derisa të plasin shkrepat e
era të thyhet kristaleve të vdekjes,
këndoje
derisa malet të thërmohen
e lumenjtë të ngrihen uragan
dhe lisat të shemben
e bari të rritet vigan.
Këndoje
derisa qiellin të mbyllësh në grusht
e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh,
këndoje
derisa zhuri të kthehet në vaj
e burrat e dheut të qajnë.
Këndoje
miku im i panjohur
këngën që nuk ta shkrova kurrë!
22 shtator, 1998
Please follow and like us: