Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza jep dorëheqjen
Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Alfred Peza, ka paraqitur sot dorëheqjen e parevokueshme.
Kërkesa për dorëheqje është dorëzuar pranë Këshillit Drejtues të RTSH. I emëruar në këtë detyrë në muajin qershor të vitit 2023, Peza u zgjodh në mënyrë unanime nga KDRTSH.
Në platformën e prezantuar për zgjedhjen në këtë detyrë, Peza shpalosi planin ambicioz “Për një RTSH sërish të madhe në epokën digjitale”, duke ngritur standardet e RTSH-së dhe duke siguruar që ato të jenë në nivel të shkëlqyer.
Gjatë punës në drejtimin e RTSH-së, Peza ndërmori disa reforma dhe një rijetësim të studiove televizive dhe kanaleve të platformës radiotelevizive.
Në faqen online të RTSH thuhet se përmes këtyre reformave, RTSH-ja arriti që në një kohë të shkurtër të rikthehet sërish si një zë i rëndësishëm për publikun dhe një aktor konkurrues në tregun mediatik shqiptar.
Alfred Peza ka punuar si gazetar, redaktor, analist mediatik, pedagog dhe drejtor i Përgjithshëm i disa mediave. Në periudhën 2013–2017 ka shërbyer si deputet dhe nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit në Kuvendin e Shqipërisë./atsh