Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati i Salianjit paralajmëron se do të ndjekë të gjitha shkallët e gjyqësorit: Dosja është unike

Pak pas orës 20:00 të së premtes, Ervin Salianji u transferua në burgun e Fierit, aty ku do të vuajë dënimin me një vit burg për kallëzim të rrem.

Avokati i tij, Ledio Braho, ka reaguar në rrjetet sociale, duke shkruar se e gjithë dosja ndaj Salianjit është “unike për nga numri i fashikujve dhe veprimeve procedurale hetimore që janë ndërmarrë ndonjëherë për “kallëzim të rremë”, nuk ka asnjë provë të vetme që mund të ngarkojë me përgjegjësi penale Ervinin”.

Ai paralajmëron se do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje edhe në gjykatët ndërkombëtare për drejtësinë e pretenduar nga ai, shkruan A2 CNN.

“Që nga maji i vitit 2018 e deri sot e kam asistuar si mik dhe si avokat Ervin Salianjin që nga pyetja e parë në cilësinë e personit që kishte dijeni për veprën penale e deri në procedurën e ndjekur për ekzekutimin vullnetar të një vendimi penal që e dënoi pa ligj.

Që në kohën e Romës së lashtë, i madh e i vogël e di që nuk ka kallëzim të rremë pa kallëzim, të vetmit që rastisën që nuk donin ta dinin kanë qenë ata që e kanë hetuar, akuzuar dhe dënuar Ervinin dhe Jetmirin në dy shkallë të një gjyqësori që nuk ka guxim të japë drejtësi.

E gjithë dosja, e cila është unike për nga numri i fashikujve dhe veprimeve procedurale hetimore që janë ndërmarrë ndonjëherë për “kallëzim të rremë”, nuk ka asnjë provë të vetme që mund të ngarkojë me përgjegjësi penale Ervinin, megjithatë rezultati është një vendim i formës së prerë që e dënoi me burg pa fakt penal dhe pa asnjë prove.

Megjithatë, kjo nuk na dekurajon për të ndjekur betejën për drejtësi deri në fund sepse patjetër që diku në një gjykatë, në mos shqiptare, ndërkombëtare, do gjenden disa gjyqtare që denoncimin publik të një deputeti të opozitës, do e konsiderojnë gur themeli të demokracisë dhe jo fakt penal.

Ti ke qenë dhe mbetesh miku im, jo vetëm në betejat e ligjit, por në çdo hap të kësaj rruge të vështirë. Aty ku drejtësia vonon, miqtë qëndrojnë!”. (A2 Televizion)

Please follow and like us: