Albspirit

Media/News/Publishing

SPAK përfundon hetimet dhe merr të pandehur Plarent Ndrecën


Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ditën e djeshme, përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për tu njohur me përfundimin e hetimeve, ndërsa kanë disa ditë kohë të përgatisin memot e tyre, para se dosja të zbresë në GJKKO me kërkesën e nisjes së gjykimit.

Ndrecës i është komunikuar akuza për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, iu është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera. Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.

Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.

Please follow and like us: