Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Karizma në lidership

Margaret Wheatley: “Lidershipi është më shumë një seri sjelljesh sesa një rol heroik”.

Jo rrallë kur kemi dashur të shprehim në maksimum vlerat e një lideri frymëzues e kemi përfunduar argumentin vetëm me një fjali të shkurtër: “Është karizmatik”. Por çfarë përfaqëson në të vërtet një lider karizmatik? Cilat janë tiparet që e dallojnë atë nga të tjerët? Teoritë e lidershipit na mësojnë se liderët karizmatikë kanë një aftësi të pamat për të frymëzuar ndjekësit dhe jo rrallë herë ata kanë hyrë në histori si liderë të shkëlqyer. James MacGregor Burns, autor i shumë librave për lidershipin, fitues i çmimit Pulitzer në vitin 1978 pikërisht për një nga librat e tij me titull “Lidershipi”, na afron disa figura të lidershipit botëror që kanë qenë modele të dalluara të liderëve karizmatikë: Sipas tij këta janë: Moisiu, Jezus Krishti, Attila, Muhamedi, Zhanë d’Arka, Pjetri i Madh, Napoleoni, Mahdi i Sudanit, Benito Musolini, Adolf Hitler, Mahatma Gandi dhe Ajatollah Khomeini. Pas këtij grupi ai ndërton një tjetër grup liderësh që ndonëse kanë shfaqur karakteristika të liderit karizmatik, sërish nuk kanë përmbledhur në total të gjitha tiparet e këtij tipi. Në këtë grup Burns vendos Uinston Çërçillin, Çarlë dë Golin, Gamal Nasser dhe Xhon Kenedi. Ndërkohë literatura e lidershipit ka vërejtur se edhe shumë figura të shquara nga bota ushtarake kanë pasur një shkallë të lartë karizme. Për shembull, Aleksandri i madh, Jul Cezari, admirali Nelson, Napoleoni, Xhorxh S. Patton i Riu, etj. Karizma si tipar dallues në lidership veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/ lider historike i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive.

Legjenda na thotë se, vetëm nga fjalët dhe emocionet që ngjalli tek ushtaret e tij, Cezari arriti një fitore legjendare në Alesia, ku, i veshur me një pelerinë të kuqe, ia doli të frymëzojë ushtrinë dhe të mundë Arvernian Vercingetorix, i cili kishte pesë herë më shumë ushtarë se trupat romake. Sipas legjendës, ishte karizma e Cezarit ajo që bëri diferencën. Jo rrallëherë figurat ushtarake janë parë nga ndjekësit e tyre si supernatyralë apo me trajtat e heronjve. Vëmendja ndaj tipareve të liderit karizmatik u shtua shumë sidomos në mesin e viteve ’80, kur industria amerikane u rrit së tepërmi dhe etja për liderë efektive u pa si një nevojë imediate. Fenomene të reja filluan të shfaqen edhe në boten e biznesit, ku drejtues jo tradicionalë ndërtuan kompani gjigante, patën sukses të pamat dhe bashkë me të sollën dhe modelet e tyre të drejtimit. Kështu shkollat e biznesit f illuan të studionin drejtuesin e Chrysler – Lee Iacocca, atë të Apple – Steven Jobs si dhe atë të General Motors – Roger Smith.

Ndonëse është pranuar unanimisht se karizma ka vlera dominuese në lidership dhe se jo rrallë vetëm karizma e një lideri ka ndërruar një herë e përgjithmonë faqen e historisë për shumë kombe dhe jo vetëm, sërish duhet thënë se ende nuk kemi një përkufizim përfundimtar për këtë tipar. Dhe kjo ka kuptim, pasi sa më kompleks të jetë një fenomen aq më e vështirë është të gjesh një përcaktim final për të. Këtu duhet shtuar gjithashtu se në përgjithësi studimet për karizmën nuk janë të shumta. Është pranuar se karizma përmbledh një talent të veçantë ndër njerëz të caktuar, që dallojnë nga turma falë një autenticiteti spikatës që i bën tërheqës në maksimum dhe falë kësaj ata kanë aftësinë maksimale të përcjellin besim dhe frymëzim te kushdo që i rrethon. Studimin e parë të mirëfilltë metodik për karizmën e ka kryer sociologu gjerman Max Weber. Duke ju referuar konceptit grek, që njihet me fjalën e greqishtes së vjetër “xarisma”, dhe atij kristian për karizmën, si një dhuratë/ favor që Zoti u fal disa njerëzve, ai u mbështet tek e ashtuquajtura “gift of grace.” Fjala ‘grace-hire’ – përmendet 170 herë në Bibël, dhe ka kuptimin dhuratë apo bekim që Zoti u jep njerëzve të veçantë.

Edhe sipas Weberit karizma duhet kuptuar si një cilësi e veçante, dhuratë nga Zoti për njerëz të veçantë. Ai më tutje argumentoi se karizma shoqërohet nga një cilësi mistike që në fakt i jep liderit fuqinë të mbledhë rreth vetes njerëzit. Sipas tij “Ajo është tipar personaliteti dhe gjendet ndër individë të caktuar. Është një vlerë në personalitet që i jep individit një fuqi frymëzuese, supernjerëzore dhe supernatyrore”. Si tipar personaliteti karizma nuk fitohet apo nuk humbet ndër vite, të tilla sikur janë tipare të karakterit. Personaliteti i çdo individi ndërtohet deri në moshën 6-vjeçare dhe mbetet i tillë deri në fund të jetës. Kjo të çon në arsyetimin se ndërkohë që karakteri i liderit karizmatik mendohet se është më shumë i përcaktuar nga rrethanat dhe situatat, personaliteti karizmatik duhet konsideruar si karakteristike e vetë liderit. Liderët karizmatikë dallohen nga grupimi tjetër i ashtuquajturi ‘lideri ligjor’ në shumë tipare. Kështu Ann Ruth Willner identifikon katër dallime të mëdha midis liderit karizmatik dhe atij tradicional.

Së pari, ndjekësit i atribuojnë liderit karizmatik tipare gati mbinatyrore dhe e pranojnë atë si udhëheqës shpirtëror. Së dyti, ndjekësit e pranojnë natyrshëm dhe menjëherë liderin karizmatik; po ashtu ata pranojnë idetë dhe veprimet e tij. Së treti, dhe rrjedhimisht nga faktorët e mësipërm ndjekësit i shkojnë pas liderit karizmatik pasi ky është lideri që u projekton rrugën në të cilën ata kanë besim të plotë. Së katërti, ata i përgjigjen emocionalisht liderit karizmatik duke shfaqur hapur besimin dhe respektin e tyre. Sikurse e shohim, është autoriteti karizmatik që i jep këtyre lloj liderëve fuqinë dhe jo zyra apo statusi. Martin Luter King apo Gandi janë dy shembuj klasikë të liderëve karizmatikë, që ndonëse pa fuqi vendimmarrëse apo pushtet zyrtar krijuan ndër lëvizjet më të mëdha dhe frymëzuese në historinë e njerëzimit. Është pranuar se në përgjithësi lideri karizmatik merr gjithmonë trajtat e heroit, pasi tek ai ndjekësit gjejnë të plotësuar heroin që kanë brenda vetes e që nuk kanë mundur ta realizojnë. Pikërisht ky “transferim” bëhet krejt natyral në çastin kur individi ndeshet me liderin karizmatik, i cili sikur thamë më sipër, falë karizmës, frymëzon heroin te çdokush duke u kthyer vetë në një simbol heroi për këdo. Këtu duhet të ndalemi disi në shpjegimin se si krijohet lidhja lider – ndjekës.

Qenia humane në përgjithësi është e pajisur me një pushtet natyral. Shumë njerëz janë të ndërgjegjshëm për të, shumë jo; shumë njerëz duan ta ushtrojnë këtë pushtet e shumë jo. Kush është i ndërgjegjshëm dhe do ta ushtrojë merr misionin e liderit, të tjerët atë të ndjekësit. Duke zgjedhur liderin të gjithë ndjekësit “dhurojnë” pushtetin e tyre dhe pranojnë të udhëhiqen duke i besuar gati totalisht liderit të zgjedhur. Ky pushtet i transferuar nga ndjekësit te liderët bëhet në mënyrë krejt të vetvetishme dhe shoqërohet me shumë emocion, dashuri dhe respekt. Kur lideri është karizmatik ky raport lind shumë natyrshëm dhe shumë shpejt. Duke qenë se gjithashtu liderët karizmatikë kanë një shkallë shumë të lartë besimi në vetvete si dhe priren gjithmonë nga një ambicie natyrale për të influencuar e dominuar, ata e fitojnë shumë shpejt aprovimin e ndjekësve si dhe e marrin rrufeshëm flamurin e drejtimit. Ata në përgjithësi shfaqin aftësi dhe kompetencë të dukshme. Gjithashtu ata kanë aftësinë t’i shfaqin idetë dhe bindjet e tyre me një lehtësi të konsiderueshme si dhe janë ndër të parët që marrin flamurin kur momenti kërkon një kundërshtim apo rebelim ndaj tradicionales apo autoritarizmit. Sigurisht këtë ata e bëjnë në emër të grupit që përfaqësojnë dhe të cilit ia kanë shprehur hapur vizionin. Në rastin më ideal shumë prej liderëve karizmatikë mbartin vizionin dhe qëllimin e vetë ndjekësve dhe kjo i bën ata që të zhvillojnë vetëvlerësimin e ndjekësve. Në përgjithësi të gjithë liderët karizmatikë kanë aftësi shumë të larta oratorike dhe dinë të përcjellin shumë mirë mesazhe me gjuhën e trupit. Ndër studimet e bëra është arritur gjithashtu të njihen dy tipare të tjera të liderëve karizmatikë, siç është bujaria e dukshme si dhe një aftësi për të mos u shqetësuar aspak nga konfliktet e brendshme.

Burns i thellon argumentet e tij për liderin karizmatik tek bën krahasimin me atë transformues. Sipas tij, lidershipi transformues përfshin identifikimin si një lider që ka aftësi të sjellë ndryshimin, kurajën, besimin te njerëzit, drejtimi nga vlerat, dëshira për të mos reshtur së mësuari, aftësia për të kuptuar dhe vepruar në situata komplekse, ambige apo të paqarta, pasja e një vizioni të qartë si dhe aftësia për ta përçuar atë. Nëse lideri karizmatik është në gjendje të fitojë të gjitha këto vlera të liderëve transformues atëherë ky vërtet është një bekim. Sidomos aftësia për ta pranuar problemin kur ai shfaqet pa u errësuar nga ambicia personale është tipari kryesor i liderit transformues i cili ka vetëm një qëllim, të çojë deri në realizimin final vizionin që u ka premtuar ndjekësve. Liderët transformues konsiderohen shumë të arrirë sidomos nga mënyra se si ata zgjidhin problemet. Ndryshe nga karizma që mendohet se është më shumë e lindur, lidershipi transformues mund të mësohet e të përsoset mes trajnimeve. Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se kur lidershipi karizmatik dhe ai transformues ecin së bashku, suksesi është i garantuar. Rrjedhimisht pa garantuar tiparet e liderit transfor mues, lideri karizmatik mund të jetë problematik. Kjo pasi ndër analizat dhe studimet që i janë bërë liderëve karizmatikë është parë që prania e karizmës ndonëse shumë frymëzuese, sërish ka anët e saj të errëta, pasi njihet se liderët karizmatikë shquhen për një ambicie ekstreme; pikërisht kjo mund të sjelle çoroditje në vizionin fillestar si dhe mund të godasë gjykimin e vetë liderit.

Kështu rreziku është që lideri karizmatik sapo fiton vetëbesimin, fillon të injorojë mendimet ndryshe, dhe pak nga pak humb kontaktet me ndjekësit. Kjo bën që ai të jetë më shumë i përqendruar tek ambicia personale për pushtet dhe lavdi sesa në arritjen e synimeve të ndjekëseve për të cilët është zgjedhur. Janë pikërisht këto anë që mund të krijojnë shumë probleme në lidership. Megjithatë, është pranuar se kur liderët karizmatikë rrethohen nga këshilltarë të zot, ata janë në gjendje të mos e humbin orientimin dhe t’i çojnë ndjekësit në arritjen e premtuar. Studiuesit gjithashtu na mësojnë se një staf i përgatitur me aftësi drejtuese të larta mund të jetë në gjendje të pengojë ‘lajthitjet’ e liderëve karizmatikë duke qenë të zotët të shfrytëzojnë vlerat që mbart ky lloj lideri.

Please follow and like us: