Albspirit

Media/News/Publishing

Rrjetet sociale: Cirku i zilisë, luksit, dukjes

Mediat sociale janë një vitrinë e mrekullueshme virtuale ku të gjithë, madje edhe përdoruesit me 100 ndjekësa, jo vetëm influencuesit, duket se kanë jetën perfekte. Ose të paktën ata zgjedhin me kujdes se çfarë të ndajnë për jetën e tyre, duke u përpjekur t’i japin pamjen më rozë të mundshme. Ose më të lakmueshme.

Nuk ka asgjë të keqe të ndash gjëra të çmuara dhe momente të bukura. Ndoshta nëse do të flisnim me një antropolog, do të gjenim gjurmë të këtyre sjelljeve edhe te njerëzit e shpellave. Eshtë një sjellje shumë njerëzore.

Me që ra fjala tek shpellat, a e mbani mend Facebook-un në kulmin e tij? Ishte viti 2008, kur i mbushnim postimet me fotografi perëndimesh të mahnitshme, monumentesh të kapura nga disa kënde. E bënim për të ndarë kënaqësinë, apo për t’u bërë të lakmueshëm?

Ndërsa sot, rrjetet sociale të sotme kanë pësuar një përmirësim ose përkeqësim, në varësi të këndvështrimit. Shumë influencues të viteve 2000 e shndërruan ndarjen e gjërave të bukura në një obsesion të vërtetë, duke kufirin çdo ditë pak më tutje. Dhe tani, postimi në rrjetet sociale është kthyer në një formë komunikimi të ethshëm, që po bie ndesh me shijet, parimet dhe emocionet e një pjese të publikut.

Nuk është më e qartë se sa është strategji dhe sa fsheh një shkëputje nga bota reale me gjithë shëmtinë dhe kontradiktat e saj. Dhe kështu për këta njerëz bëhet normale që të priten falas në një hotel me 5 yje sepse u prishet kondicioneri në shtëpi, apo të kujtohen se kanë harruar një çantë 3000 euro në gardërobë. Nga i dimë ne këto gjëra?

Sepse kanë qenë vetë ata që na i kanë rrëfyer në rrjetet sociale.

Shkëputja nga realiteti qëndron në të menduarit se krijimi i përmbajtjes është një ide e mirë.

Jeta bombastike e disa influencuesve po arrin padyshim nivele groteske, por mos u gënjeni nga flluska. Bashkëpunimet e shumta me të cilat mburren dhe ndjekësit e tyre adhurues, tregojnë se gjërat po u ecin ende shumë mirë. Pushime në hotele me pishina përrallore. Udhëtime në klasin e parë, dreka dhe darka në restorante të famshme. Gjithçka për dukje dhe … para.

Një cirk i vërtetë ekspozimi, ku çdo postim është një tryezë e artë dhe çdo histori një akrobaci përsosmërie. Po ndjekësit, ku janë në gjithë këtë cirk? Si ka ndryshuar marrëdhënia e tyre me këtë lloj influencuesi, me kalimin e kohës?

Faza 1. Lejuan të mashtroheshin, të bindur se pas asaj atmosfere përsosmërie kishte një mundësi edhe për ta, një formulë magjike e arritshme për të gjithë.

Faza 2. Kur njerëzit filluan të kuptojnë se për të pasur atë jetë, ato objekte, ato buzëqeshjet dhe ata trupa të, një dush pëlqimesh dhe komentesh nuk mjaftonte, diçka filloi të plasaritet. Dhe kështu, ndjekësi, nga njëra anë mendonte për postimet e tyre dhe nga ana tjetër jetën e vet të papërsosur, duke pyetur: po unë, ku kam gabuar?

Dhe më pas vazhdonte të “shfletonte”, duke shpresuar se postimi tjetër do të përmbante zgjidhjen përfundimtare për të.

Faza 3. Një tjetër vizitë të ekspozuar në rrjete nga influencuesja, në suitën me pamje nga deti që kushton sa gjashtë rroga mujore, dhe admirimi kthehet në zhgënjim me shpejtësinë e dritës.

Duke parë vazhdimisht atë që nuk mund të kemi, ndihemi si spektatorë të pafuqishëm, si të bllokuar në një mëngjes të pafundëm të hënë, pas së dielës së pushimit.

Një nga neologjizmat e shumta që kanë lindur si kërpudha në këtë epokë të mediave sociale është paranoja e krahasimit, ajo ndjenjë zhgënjimi dhe pakënaqësie që jep krahasimi i vazhdueshëm i jetës së tënde, me ato që shfaqen në rrjetet sociale.

Disa studime kanë eksploruar ndikimin e mediave sociale në uljen e kënaqësisë prej pushimeve në epokën e mediave sociale. Studimi i publikuar në Frontiers in Psychology thekson se përdorimi intensiv i Instagramit lidhet me rritjen e ankthit social dhe një perceptim inferioriteti.

Sa më shumë të shfletoni në rrjete udhëtimet e njerëzve të tjerë, aq më pak do të jeni në gjendje të shijoni udhëtimet tuaja. Të dhënat treguan se njerëzit në fakt priren ta krahasojnë veten me imazhet e përsosura të të tjerëve, shpesh të idealizuara, duke zhvilluar ndjenja të pamjaftueshmërisë dhe zhgënjimit.

Kështu, çdo video e një plazhi tropikal bëhet një grusht në stomak, çdo foto në një restorant me disa yje nuk na bën më të ëndërrojmë, përkundrazi na kujton se nuk do ta shijojmë kurrë atë skenë. Edhe nëse i kemi, do të duhet t’i përdorim ato para për pagesën e hipotekës ose për të paguar kopshtin.

Dhe kështu, produkti është një rritje e numrit të ndjekësve, që shfryjnë të gjithë zemërimin dhe frustrimin e tyre, në komente, apo në mesazhe. Dhe që gjithnjë e më shumë, marrin mbrapsht përgjigje: “je ziliqar”, apo “je e sëmurë”, prej influencuesve arrogantë.

Ata nuk janë njerëz të “çmendur që kanë nevojë për trajtim”. Në një periudhë historike në të cilën ekonomia po lëkundet dhe e ardhmja duket më e pasigurt se horoskopi apo parashikimi i motit të kësaj klime të çmendur, të shesësh jetë luksoze, por mbi të gjitha pa kokëçarje duke u dukur, është si të hedhësh kripë mbi një plagë të hapur.

Njerëzit janë lodhur duke u ndjerë të përjashtuar, të lodhur nga të qenit spektatorë të një teatri që përfaqëson vetëm një elitë të vogël. Ndodh në politikë, ndodhi në ekonomi, po ndodh në rrjetet sociale që me 5 miliardë përdoruesit e tyre, janë një përfaqësim i mirë i botës.

Sigurisht, një audiencë që nuk zhvillon mendimin kritik, është më e prirur të ndjekë pa u menduar një influencnues, të blejë çdo produkt të sponsorizuar dhe të ndajë e të përforcojë çdo mendim sikur të ishte Ungjill. Kjo jo vetëm që garanton një ndjekje më besnike, por lehtëson mundësitë e fitimit të parave, sepse siç e dimë, delet e bindura janë më fitimprurëse.

Prandaj, çdo zë jashtë korit shuhet menjëherë, etiketohet si humbës dhe futet në indeksin e elitës së mediave sociale dhe një pjese të madhe të ndjekësve besnikë.

Prandaj, është e domosdoshme të “stërvitim” sensin tonë kritik. Të kuptojmë se jetët e përsosuras që shohim në mediat sociale nuk janë vetëm të paarritshme si një mirazh në shkretëtirë. Jo, ato as nuk ekzistojnë. Janë një film që na ka pëlqyer dhe kaq. / bota.al

Please follow and like us: