Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Lida Shosha: Të pavërtetat e mediave për sëmundjet e rënda

Një deklaratë si “po, do të vdesësh një ditë” nuk është vetëm faktikisht e padobishme, por edhe shumë e dëmshme psikologjikisht dhe emocionalisht.

●Në vend që t’i kujtoni dikujt me kancer, vdekshmërinë e tyre në një mënyrë kaq të ashpër, z. gazetar është shumë më njerëzore dhe e dhembshur, të heshtni,  Nëse nuk dini çfarë të thoni, thjesht heshtni dhe lini këtë kategori pacientësh në luftën e tyre të mbijetesës, e cila  mund të jetë më shëruese sesa të ofroni mizorisht të pavërteta të ftohta.

●Është komunikimi i dhembshur ai që ndërton ura besimi dhe i lejon personit me tumor, të ndihet i mbështetur në çdo gjë që po kalon.

●Mbase ju nuk e dini, por më lejoni t’iu qartësoj se jo të gjithë ata që vuajnë  me kancer, literalisht do të vdesin prej tij. Shumë njerëz jetojnë me vite, ndonjëherë me dekada, pas një diagnoze të kancerit. Edhe në rastet përfundimtare, shumë njerëz përjetojnë kohë të çmuara e të vyera, domethënëse me familjet e tyre, arrijnë qëllime të caktuara ose së paku gjejnë një ndjenjë paqeje me veten.

●T’i thuash se do të vdesin minimizon rrugën unike në të cilën po ndjekin. Kanceri nuk do të thotë vetëm vdekje; do të thotë jetë—një jetë që ende mund të jetohet me kuptim, dashuri dhe gëzim, pavarësisht nga prognoza. 

Po, a mund të mposhtet Kanceri, kjo flamë e kobshme e njerëzimit?

●Po, kanceri mund të mposhtet, në varësi të një sërë faktorësh si lloji i kancerit, sa herët është zbuluar dhe opsionet e disponueshme të trajtimit.

●Në duart tona, për dhjetëra vite janë shpëtuar shumë e shumë njerëz me kancer, shumë të tjerëve jua kemi zgjatur e përmirësuar cilësinë e jetës, sigurisht ka dhe nga ata,që e kanë humb këtë betejë, por ajo që mer vlerë në këtë histori, është lufta e tyre titanike për jetën. 

●Për disa njerëz, kanceri mund të shërohet tërësisht ose të shkojë në remision, ku sëmundja është e parrezikshme dhe mund të mos kthehet kurrë. Megjithatë, për të tjerët, kanceri mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar dhe qëllimi i trajtimit mund të zhvendoset në kontrollin e sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

●Sot në shumë vende të botës, kanceri po tentohet të klasifikohet si sëmundje kronike, ndonëse  nuk është  sëmundje kronike në kuptimin tradicional, por disa lloje mund të bëhen situata kronike, apo  gjendje afatgjata, që kërkojnë trajtim dhe menaxhim të vazhdueshëm.

●Shumë njerëz janë në gjendje të jetojnë për vite, apo edhe dekada, me kancerin si një gjendje të menaxhueshme.

●Përballja me kancerin mund të jetë një përvojë tepër dërmuese dhe transformuese për një person. Ai përfshin jo vetëm sfida fizike, por edhe emocionale, psikologjike dhe sociale.

●Tronditja dhe mosbesimi nga dëgjimi i diagnozës mund të jetë si një grusht në zemër.

●Shumë njerëz përjetojnë një ndjenjë mosbesimi, mohimi apo edhe mpirjeje. Pyetja e parë drejtuar Zotit, ështe ‘Pse mua’?

●Ideja për t’u përballur me një sëmundje kërcënuese për jetën mund të duket në kufij te surreales.

●Frika e të paturit kancer në trup është një emocion që  mbizotëron trurin, mbi  përparimin e sëmundjes, efektet anësore të trajtimit dhe nëse individi do arrijë dot, t’i mbijetojë.  Ekziston edhe frika për të ardhmen, si do të ndryshojë jeta dhe cilësia e jetës duke ecur përpara.

●Përpos frikës, duhet përballur me dhimbjen fizike nga sëmundja ose efekte anësore nga  kimioterapia, rrezatimi ose operacioni. Lodhja është një sfidë e zakonshme, ndonjëherë duke i bërë edhe detyrat më të thjeshta të ndihen si përpjekje monumentale.

●Përballja me Kancerin, mund të jetë emocionalisht rraskapitës.

Shpesh ka një përzierje emocionesh gjatë gjithë këtij cikli trajtimi, si trishtim, zhgënjim, shpresë, zemërim dhe ndonjëherë edhe momente paqeje ose pranimi për ndryshimet që pëson trupi, nga kemioterapia apo rrezatimi, por edhe për planet e ëndrrat e thurura për te ardhmen.

●Marrëdhëniet me familjen preken thellësisht. Disa njerëz mund të jenë të lodhur nga të dashurit, ndërsa të tjerët mund të jenë të izoluar apo edhe të braktisur.

●Shumë njerëz gjejnë forcë të brendshme të pabesueshme, gjatë udhëtimit të tyre ndaj kancerit. Dëshira për të jetuar, për të luftuar dhe mbështetja që ata marrin nga të tjerët mund të ndezin shpresën e mbijetesës në kohë të vështira.

●Përparimet në mjekësi, terapitë e individualizuara dhe historitë e të mbijetuarve ofrojnë gjithashtu një ndjenjë të fortë shprese që mund t’ia dalin.

●Të kuptosh kancerin, duhet të kesh empati për njeriun, të kuptosh betejat shumë te ashpra fizike dhe emocionale që njerëzit përballen me trupat e tyre.

●Bëhet fjalë për ndjeshmërinë në ofrimin e kujdesit për shëndetin fizik dhe mendor të pacientëve që përballen me kancerin, duke pranuar se trupi nuk është thjesht një enë e mbushur me organe, por një sistem kompleks, i ndërlidhur që meriton vëmendje dhe dhembshuri.

●Për shumë njerëz, përvoja është transformuese, duke çuar në rritje personale dhe një perspektivë të re për jetën.

●Trajtimet e kancerit kanë bërë një rrugë të gjatë duke përfshirë kirurgjnë, kimioterapi, rrezatimi, imunoterapia dhe terapitë e personalizuara, që mund të jenë shumë efektive në varësi të situatës.

●Dikush me shëndet të mirë mund të jetë më i aftë të tolerojë trajtime agresive, të cilat mund të përmirësojnë shanset e tyre për shërim. Mutacionet specifike gjenetike që nxisin zhvillimin e një kanceri, mund të ndikojnë se sa lehtë mund të trajtohet ose zhduket. Disa llojekanceri kanë mutacione specifike, që kapen me testet gjenetike e që mund të ndërhyhet  me barnat ose terapitë më të avancuara apo inovatore, duke çuar në rezultate më të mira.

●Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se përvoja e kancerit është thellësisht personale.

●Shumë të mbijetuar jo vetëm që e kanë mundur sëmundjen, por gjithashtu gjejnë një ndjenjë të rinovuar qëllimi  përgjatë këtij udhëtimi kaq te vështirë e sfilitës.

●Jetojmë në kohën e përparimeve drastike në mjekësi që vazhdojnë të përmirësojnë rezultatet dhe të dhënat shkencore nga studime multicentrike po avancojnë për të zhvilluar mënyra sa më efektive për të mposhtur kancerin.

●Por ajo që mer vlerë të padiskutueshme është marrëdhënia midis mjekëve dhe pacientëve, ky është çelësi për të lundruar në sfidat e shumta emocionale, psikologjike, fizike të trajtimit dhe shërimit të një pacienti me tumor. Një marrëdhënie e fortë, mbështetëse dhe komunikuese mund të bëjë një ndryshim të madh në udhëtimin e kancerit.

●Duke qenë empatikë, të qartë, mbështetës, inkurajues, mjekët mund t’i ndihmojnë pacientët e tyre të ndihen të motivuar që po, kjo betejë mund te fitohet së bashku, mund t’ia dalin, jeta ia vlen të jetohet për një mori arsyesh, edhe përballë vështirësive, pasigurisë ose vuajtjes, thelbi i jetës nuk qëndron vetëm në mbijetesën, por në potencialin për të gjetur kuptim, për të dashur dhe për t’u dashuruar, për t’u rritur dhe për të kontribuar.

Please follow and like us: