Viron Kona: Mos!
Mos bëj si hëna, që me dritë hua ndriçon,
kurse faqen e herrët e fsheh, s`e tregon!
Mos bëj si ajsbergu, që t ‘mashtron në sy,
copën më të madhe e fshehë në thellësi!
Mos bëj si ca njerëz, me lajka t ‘bojatisin,
pas krahëve të tu, të shajnë edhe shpifin!
Mos bëj si politikani, që t ‘premton botën,
por të kthen shpinën, sapo të merr votën!
Mos bëj si fajdexhiu, që “t ‘gjendet” n ‘hall,
kur ia kupton hilenë, ke dal peshk në zall!
Mos bëj si spiuni, që ty fshehtas t ‘përgjon,
të “shet” intimitetet, edhe rogën siguron!
Mos bëj si frikacaku, që premton besnikëri,
por të lë në baltë, që të shpëtoj kokën e tij!
Mos bëj si gjyqtari, që betohet për drejtësi,
sapo ndien erën e pareve, bën vendim të ri!
Mos bëj si servili që bën zakonin e qëmotit,
përherë pas të madhit, si qeni pas të zotit!
Mos bëj gjahtarin, që gjuan zogj e dhelpra,
torbën e ka t ‘mbushur plot me gënjeshtra!
Këto lloj mostrash i gjen në gjithë dynjanë,
në pamje duken engjëj brenda janë katran!
Me hile dhe mashtrime, të shfrytëzojnë ata,
kur ti kthjellohesh, të kanë marrë gjithçka!