Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Gjurmët

– Shokëve të një udhe –

Këmbë e zbathur mbetur gjurmë,
Dalë e humbur nëpër baltë,
Në ç’gurishtë i mben’ këpucët
Rrugëtarit të pafat?

Varur mjegull n’atë faqe,
Zbret, kaplon ku shket një lumë,
Rend dhe unë në shteg të verbër
Hap më hap në atë gjurmë.

Klithin kreshtat mbi sinorë
Si ulkonjë në errësirë
Trembur, tkurret gjurmë e njomë
Larg atdheut, ftohtësirë..

Ç’vuajtje hoqi kush e di,
Për ku ikur ky i ngratë?
Shkulmon grykës suferinë
Vishet malit një shtrëngatë.

Ç’fat i priu kush e pa,
A, u sos në humbëtirë?
Klithin kreshtat nëpër natë
Si ulkonjë në errësirë.

Please follow and like us: