Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohet dhe promovohet monografia “Kostumografia në art” e Dr. Merita Toçila

Sapo ka dalë nga shtypi në Tiranë monografia “Kostumografia në Art” me autore Merita Toçila, Doktor në shkencat albanologjike si dhe me konsulencën shkencore të Prof. Dr. Dhorka Dhamo, Prof. Dr. Stefan Çapaliku dhe Prof. Dr. Ferid Hudhri.

Botimi është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe promovimi i librit u realizua nga Qendra e Studimit të Arteve më datën 14 nëntor 2024, ora 11:30, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Studimi voluminoz “Kostumografia në art” hedh dritë mbi lidhjen e artit pamor me veshjen, si një rrëfim i historisë së saj përmes historisë së artit nga Antikiteti deri në ditët e sotme në hapësirën mbarëshqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, artistët e diasporës, arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë dhe ishujve përreth.

Ky publikim unikal në llojin e vet, dëshmon se përmes veprave të artit lexuesi i interesuar mund të kuptojë lidhjen mes artistëve të çdo kohe me traditën dhe veshjet, si një marrëdhënie e vazhdueshme, e natyrshme dhe shpesh sugjestive. Janë vetë artistët që kanë treguar një interesim të madh për veshjen dhe aksesorët e saj, në menyrë që vepra e tyre të mund të dukej sa më e natyrshme në pasqyrimin e larmisë, në besnikërinë ndaj modeleve dhe më vonë atë të interpretimit të saj.

Sipas autores, edhe pse për shak të ndërvarjes prej kushteve historike veshja në hapësirën mbarëshqiptare nuk ka ndjekur rrugën që ndoqi arti dhe veshja në Evropë, megjithatë artistët shqiptarë kanë arritur t’i japin historisë sonë kombëtare dëshmi të ekzistencës dhe zhvillimit shoqëror të saj.  

Monografia “Kostumografia në Art” mund të konsiderohet edhe si një pasqyrë e kontributit të artistëve ndër kohëra, duke filluar nga artistët anonimë të lashtësisë e duke vazhduar deri në ditët e sotme me artistët bashkëkohorë, për ruajtjen dhe evidentimin e vlerave dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Botimi në formatin A4 me 800 faqe, ilustruar me skica e foto, është realizuar nga shtëpia botuese Ombra GVG.

Please follow and like us: