25 nëntor 2014/Universiteti i Teksasit blen arkivën personale të Garcia Marquezit
SHBA-Universiteti i Teksasit bleu arkivat personale të fituesit të çmimit Nobel për Letërsinë, kolumbianit Gabriel Garcia Marquez, i cili vdiq më 17 prill në moshën 87-vjeçare, theksoi universiteti që ndodhet në Austin, në jug të SHBA-së.
”Këto arkiva u blenë nga qendra ‘Harry Ransom’, një muze dhe bibliotekë e specializuar në kërkimet për shkencat humane në Universitetin e Teksasit në Austin”, sipas një komunikate.
Shuma e disbursuar nuk u publikua.
Duke përfshirë më shumë se një gjysmë shekulli, ato posedojnë veçanërisht dorëshkrime origjinale të 10 veprave, përfshirë kryeveprat “100 vjet vetmi” (1967) dhe ”Dashuri në kohërat e kolerës”.
Universiteti posedon gjithashtu më shumë se 2 000 dokumente, përfshirë letra të shkrimtarëve anglez, Graham Greene dhe meksikan, Carlos Fuentes, copëza të fjalimit të tij të marrjes së çmimit Nobel në vitin 1982, si dhe fotografi dhe pjesë të shkëputura nga shtypi të mbledhura gjatë gjithë karrierës së tij.
Koleksioni përfshin gjithashtu makinat e shkrimit Smith Corona dhe kompjuterat në të cilat autori shkroi disa prej veprave të tij më të mëdha.
”Universiteti i Teksasit, që disponon një departament të specializuar për kërkimet mbi Amerikën latine si dhe për ruajtjen dhe studimin e shkrimit është vatra natyrale për këtë koleksion kaq të rëndësishëm”, theksoi presidenti i saj, Bill Powers, cituar në komunikatë.
Këto arkiva do të ruhen në qendrën Harry Ransom përkrah punimeve të shkrimtarëve të shekullit të XX si argjentinasi, Jorge Luis Borges, amerikani, William Faulkner dhe irlandezi, James Joyce, të cilët kanë influencuar gjithashtu në veprën e Garcia Marquez.