Albspirit

Media/News/Publishing

Vatra në Boston promovoi librat e shkrimtarëve Aristotel Mici dhe Namik Selmani përpara komunitetit shqiptar!

Flamur Vezaj/

Në nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, VATRA në Boston organizoi një aktivitet të veçantë për promovimin e librave të dy shkrimtarëve të njohur të komunitetit tonë, z. Aristotel Mici dhe z. Namik Selmani. Ngjarja u mbajt në ambientet e bibliotekës së njohur të qytetit Quincy, “Thomas Crane Public Library”, në jug të Bostonit. Komuniteti shqiptar u mblodh për të dëgjuar prezantimin e veprave të autorëve, të cilat u priten me interes të madh.

Aktivitetin e hapi kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, i cili falënderoi dy shkrimtarët për veprat e tyre të mrekullueshme. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së autorëve shqiptarë përmes promovimit dhe botimit të librave të tyre. “VATRA Boston, me ndihmën e donatorëve, bëri të mundur botimin dhe sjelljen e këtyre librave në Boston. Ky është një hap i rëndësishëm për të vazhduar traditën e promovimit të kulturës shqiptare dhe për të ndihmuar edukimin e brezave të rinj këtu në Shtetet e Bashkuara,” u shpreh z. Maksutaj.

Pas fjalës së tij, moderatorja e eventit, znj. Lindita Meçe, njëherazi anëtare e kryesisë së VATRES, ftoi vatranin z. Ervis Dhima për të prezantuar librat e prof. Aristotel Micit. Dhima bëri një përmbledhje të veprave të autorit, duke ndarë detaje interesante nga karriera e tij. Prof. Mici më pas ndau me publikun detaje nga libri i tij, “Karvani i Pavarësisë”, ku përshkruhet rrugëtimi historik i Ismail Qemalit deri në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Ai tregoi për personazhet e librit dhe bisedat e tyre të siguruara nga dëshmitar të asaj kohe!

Moderatorja Meçe vazhdoi me prezantimin e punës së shkrimtarit Namik Selmani. Për veprën e tij, “Një jetë me Skënderbeun – Një zonjë angleze e dashuruar me Skënderbeun”, foli vatran Klajdi Haruni, i cili theksoi rëndësinë e këtij libri për çdo shqiptar, veçanërisht ata në diasporë. Ai tregoi për pasionin e zonjës angleze që për vite me radhë ka ruajtur dhe ekspozuar libra të rrallë mbi heroin tonë kombëtar. Ndërsa për jetën dhe veprat ndër vite te shkrimtarit Selmani, foli vatrani z.Albert Maksutaj, i cili renditi 70 botimet e zhanreve të ndryshme letrare të botuar nga shkrimtari!

Në vijim, shkrimtari Namik Selmani falënderoi organizatorët dhe foli me emocion për personazhin e librit të tij, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzues të dashurisë për kulturën shqiptare. Duke dhënë me detaje bisedat dhe intervistën që ai ka bërë për të shkruar më pas këtë libër sa publicistik por edhe historik!

Në fund të aktivitetit, në emër të VATRES në Boston, znj. Meçe falënderoi z. Ervin Çifliku, pronarin e kompanisë “Henry Jasmin,” për transportin e librave të z. Selmani nga Shqipëria në SHBA, si dhe vatranin Subi Çako për kontributin e tij në blerjen dhe sjelljen e librave të z. Mici në Boston.

Kjo ngjarje tregoi edhe një herë rëndësinë e bashkimit të komunitetit shqiptar rreth kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Please follow and like us: