Ndahet nga jeta Prima Balerina Zoica Haxho, mesazhi i djalit të saj, doktorit dhe shkrimtarit Emil Asdurian
Sot, 28 Nëntor 2024, në orën 6 të mëngjesit pushoi zemra e nënës sonë të dashur, Prima Balerina e Teatrit te Operes dhe Baletit të Shqipërisë, që i dha jetën e saj me pasion të rrallë si askush. Nënë dhe gjyshe e dedikuar deri në vetmohim me dashurinë dhe përkujdesin e saj. Bashkëshorte e përkryer dhe artiste me botëkuptim të plotë estetik! U prefsh në paqe zemra dhe ëngjëlli im i paharruar në zemrat tona dhe tek çdo kush që pati fatin të të njohe e të prekej sado pak nga arty yt që e gdhende me kaq vetëmohim! Shpirt, zemër e bukura dhe e thjeshta, hirushja e përkryer në modestinë e saj. Luftëtarja për çdo gjë të shtrenjtë që kish! Lamtumirë Nënë! Lamtumirë Zoja jonë! Shkofshë pranë të shtrenjtit tënd dashurisë tënde!
Post Scriptum: Zoica Haxho, ikonë e Baletit Shqiptar
Zoica Haxho është një ndër të parat pioniere të këtij arti, që për vite me radhë ishte Prima Balerina e TOB. Një artiste që me punën dhe artin e saj konsolidoi baletin shqiptar.
Pasi kreu studimet për balet së bashku me një grup shokësh në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956, emërohet balerinë në TOB. Si balerinë përveç disa numrave koreografikë në Shkollën Koreografike të Moskës, kontaktin e parë me skenën shqiptare Zoica e ka në vitin 1957, në baletin “Kujdesi i kotë”, ku interpreton plot finesë rolin e Lizës. Ajo ka një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, që nga dalja e parë e deri në daljen në pension.
Ka realizuar një galeri të pasur rolesh kryesorë si në baletet e huaja, ashtu edhe ato kombëtare. Krijoi në mendjen e spektatorit personazhe të paharruar me plastikën e lojën e saj në interpretim.
Kështu përmendim role me peshë si Lola në baletin “Lola”; Fadeta e baletit me të njëjtin emër; Franceska, në “Françeska da Rimini”; Hajria, në baletin “Halili dhe Hajria”; Delina nga baleti “Delina”, Zogu, në baletin “Petja dhe ujku”; Muza, në “Paganini”; Cuca, në baletin “Cuca e maleve”, Rina, në baleti “Historia e një kënge”; Nica, nga baleti “Tokë e pamposhtur”; etj. Zoica ka marrë pjesë në rreth 20 premiera baleti dhe kjo tregon për klasin e saj të lartë të interpretimit. Zoica i është përkushtuar gjithashtu edhe punës pedagogjike në shkollën e baletit.