Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Instinkt

Trëndafili, simbol i dashurisë,

i lakmueshëm e plot aromë,

po zgjate dorën ta këputësh,

befas me gjemb ai të shpon.

*

Hithra, një bimë barishtore,

kjo “mbretëreshë” kuruese,

kur i prek pushin e kërcellin,

të jep dhembje përvëluese.

*

Ngacmove zgjuan e bletëve,

me thumba ato t‘sulmojnë,

ngordhin ato pas thumbimit,

ama zgjoin e tyre e mbrojnë.

*

Macja ledhatare qimebutë,

ëmbël të lakohet në gushë,

nëse ndjen rrezik prej teje,

thonjtë t’i ngul në trup.

*

Qenin besnik dhe të dashur,

mos e provoko se të sulmon,

me dhëmbët e tij t‘mprehtë,

instinktivisht veten mbron.

*

Gjarpri në fole dhe n‘territor,

është zot, me t‘vegjlit jeton,

kur dikush vërtitet pranë tij,

ai i vërsulet dhe e kafshon.

*

Kur klloçkës zogjtë ia trazon,

ajo shqetësohet e trimërohet,

t‘hidhet në fytyrë e t‘pickon,

për zogjtë e saj sakrifikohet.

*

Njeriun e urtë kur e sulmon,

ndryshon e reagon në çast,

vetëmbrohet dhe egërsohet,

kur i fut thonjtë në gurmaz.

*

Gjallesat n‘natyrë e njerëzit,

Jeta me instinkt i ka ndërtuar,

nëse ti i ngacmon e i sulmon,

s`të lënë pa të ndëshkuar!

Please follow and like us: