Zana Tako: Gjuha e politikës është kod i përcaktuar
Gjuha e politikës është kod i përcaktuar. Asnjë veprim nuk kryhet i pamenduar.
Marrëdhënia me popullin është fiktive dhe jo racionale. Ndarja prej tij shpie në labirinthe ku fshihen qëllime dhe ide jo në mbështetje të interesave të njeriut, por gjithmonë në interes të politikave dhe politikbërësve, të cilët brenda kodit emërohen me të tjerë tituj që fshihen dhe nuk dëgjohen për veshin e masës. Këta janë padronët që sundojnë në troje të blera me fond politik, i cili ruhet dhe fshihet, nuk tregohet, por vjen një kohë dhe demaskohet, pasi asgjë nuk ka mbetur e fshehur, sepse vepra e politikës nuk mund të ruhet nga politikanë të cilët veprojnë në fshehtësi. Kjo fshehtësi është djallëzore, e djallëzia gjithmonë bën kurban robin e vet.
Politikat janë në kulmin e llogaribërjes, e llogarindarjes, e llogarifoljes, e llogarishpalljes. Ata që hiqen si të mençur janë më hileqarët, janë ata që gllabërojnë gjithçka që nuk iu përket.
Të përfitosh në kurriz të varfërisë, është mëkati më i madh që njeriu i bën njeriut. Njeriu nuk lindi i pasur, me toka e troje nën sqetull, i gjeti të gatshme dhe të begata. Por përse kërkojnë t’i gllabërojnë në emër të vetvetes? Sepse njeriu është lakmitar, sepse shitet për të blerë, dhe kur kërkon të shesë, blerësi nuk ka ç’ti japë përveç dënimit, të cilin e ka të vetmen pasuri si pjesë e mashtrimit dhe hiles me të cilën manipunon gjithkënd që bashkëpunon me të.
Ky ekuacion ka dy të panjohura. Këto të panjohura janë besimi dhe besnikëria, të cilat nuk i njeh fëlligështia, përkundrazi, i lufton për t’i çbërë dhe transformuar në përmbajtje dhe në qëllimin e tyre.
Ky ekuacion me këto dy të panjohura zgjidhet lehtë nga të mençurit, të cilët e kanë përvetësuar si mësim dhe e shpjegojnë me dashurinë për gjithkënd që kërkon të ecë në udhën e dijes, të njohë ndershmërinë dhe të përqafojë dashurinë. Por palopolitikanët e kanë hapin e madh shumë kur nisen për zullum.
Bota po shkon drejt kaosit. Këtë kaos nuk mund ta ndalë njeriu. Kush e hedh hapin më të madh nga ç’e ka në të vërtetë, nuk e ka llogaritur mirë rrezikun, sepse gjithçka u krijua në harmoni të përplotë. Kush ecën kundër harmonisë rrezikon të gremiset, sepse kur kalon kufijtë nuk ka siguri por ka vetëm rrezik!