Gratë e Rahovecit do të priten në Roskovec nga kryebashkiakja Majlinda Bufi
Fahrije Hoti, zonja nga fshati Krushë e Madhe, që mbeti e ve bashkë me rreth 200 gra të tjera të fshatit si pasojë e luftës së fundit në vend, janë pronare të objektit të ri për kooperativën “Krusha”, të cilën ajo e themeloi vite më parë në përpjekje për të rritur dy fëmijët e saj. Aktualisht në kooperativën “Krusha” punojnë 60 gra të tjera të fshatit, të cilat ndajnë fatin e njëjtë me zonjën Fahrije. Ndërtimi i objektit është financuar 70 për qind nga Bashkimi Evropian dhe 30 për qind nga kontribues vullnetar të disa bizneseve vendore, të koordinuara nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë. Historia e zonjës Fahrije, e realizuar përmes një filmi të metrazhi të gjatë nën titullin “Zgjoi”, së fundmi u bë fituese e tri çmimeve në një prej festivaleve më prestigjioze ‘Sundance’ në Amerikë. Gratë e kooperatives “Krusha”, të udhëhequra nga znj. Fahrije Hoti, janë në dijeni dhe vlerësojnë përpjekjet e kryetares së bashkisë së Roskovecit znj. Majlinda Bufi për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e grave në këtë sektor. Me këtë rast, ato dëshirojnë të realizojnë një vizitë në Bashkinë e Roskovecit për të ndarë përvojat e tyre, për të mësuar më shume rreth praktikave të suksesshme dhe për të diskutuar mundësitë e një bashkëpunimi të mëtejshëm. “Jemi te bindura se një takim i tillë do të ishte i dobishëm për të dyja palët dhe do të ndihmonte në forcimin e lidhjeve mes nesh”- shprehet Fahrije Hoti. Kryetaria e bashkisë së Roskovecit zonja Majlinda Bufi është entuziaste që këto zonja jo vetëm e duan buqësinë, por janë një dëshmi se me forcë e të palëkundura nga vështirësitë e jetës, ia kanë dalë mbanë. Takimi do të zhvillohet në zyrën e kryetares Bufi, ku ato do të njihen me njëra-tjetrën, por edhe me buqësinë që ky qytet ofron për blegtorët dhe fermerët.