Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, Gjykata e Lartë i kërkon administratës Trump të kryejë pagesat për organizatat e huaja të ndihmave

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara me një vendim 5-4 rrëzoi kërkesën e administratës së Presidentit Trump, duke i kërkuar asaj të kryejë pagesat për organizatat e huaja të ndihmave për punën që ato e kanë kryer tashmë për qeverinë.

Gjykata mbajti në fuqi një urdhrin e gjykatësit të qarkut të kryeqytetit Uashington Amir Ali, sipas së cilit administrata duhet të zhbllokonte menjëherë fondet për kontraktorët dhe grantet nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Departamenti i Shtetit për punën që ishte bërë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts dhe anëtarja e saj konservatore Amy Coney Barrett u bashkuan me tre anëtarët liberalë të gjykatës, duke formuar shumicën, në refuzimin e kërkesës së administratës së zotit Trump. Anëtarët konservatorë Samuel Alito, Clarence Thomas, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh ishin në favor të kërkesës së administratës.

Fondet që duhet të paguhen arrijnë në rreth 2 miliardë dollarë dhe mund të duhen disa javë për t’u paguar plotësisht.

Gjashtë anëtarë të Gjykatës së Lartë prej nëntë anëtarësh, janë konseravatorë dhe tre prej tyre janë emëruar nga zoti Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Tre anëtarë janë emëruar nga presidentë demokratë.

Gjykata nuk dha shpjegime lidhur me argumentet që u paraqitën për të mbështetur vendimin e saj.

Anëtari konservator i Gjykatës së Lartë Alito, duke shkruar opinionin e pakicës shprehu shqetësim për vendimin.

“Si ka mundësi që një gjykatës qarku, që gjasat janë të mos e ketë këtë juridiksion, të ketë kompetencë të pakufizuara për të detyruar qeverinë e Shteteve të Bashkuara të paguajë (dhe ndoshta të humbasë përgjithmonë) 2 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesve? Përgjigja për këtë pyetje duhet të ishte një ‘Jo’ e prerë, por shumica e kësaj gjykate me sa duket mendon ndryshe,” shkroi gjykatësi Alito.

Presidenti republikan Trump, duke ndjekur atë që ai e quan “Amerika e para”, urdhëroi një pauzë 90-ditore të të gjithë ndihmës së huaj në ditën e parë të kthimit në detyrë më 20 janar.

Organizatat e ndihmave e paditën zotin Trump duke e akuzuar për tejkalim kompetencash sipas ligjeve federale dhe Kushtetutës, pasi me vendimin e tij, siç thonë ato, praktikisht shkriu një agjenci federale të pavarur dhe anuloi shpenzimet e autorizuara nga Kongresi.

Organizatat e ndihmës thanë në një paraqitje në Gjykatën e Lartë më 28 shkurt se ato “do të përballeshin me një dëm të jashtëzakonshëm dhe të pakthyeshëm nëse fondet vazhdonin të ishin të ngrira”.

Puna e këtyre organizatave “mbështet interesat e SHBA-së jashtë vendit dhe përmirëson – dhe, në shumë raste, shpëton – jetët e miliona njerëzve anembanë globit, duke parandaluar kështu që problemet, si sëmundjet dhe paqëndrueshmëria, të mbërrijnë deri në Shtetet e Bashkuara, thonë avokatët e grupeve të ndihmës së huaj.

Administrata e Presidentit Trump i kishte mbajtur të ngrira pagesat, pavarësisht një urdhri të përkohshëm të gjykatësit Ali, i emëruar nga ish-Presidenti demokrat Joe Biden, që ato të zhbllokoheshin dhe disa urdhrave të mëpasshëm që administrata të zbatonte urdhrin fillestar.

Zoti Trump dhe këshilltari i tij Elon Musk, personi më i pasur në botë, kanë ndërmarrë hapa dramatikë për të shkurtuar dhe transformuar qeverinë federale. Ata kanë shpërbërë disa agjenci, kanë pushuar mijëra punonjës, kanë shkarkuar ose riemëruar qindra zyrtarë dhe kanë shkarkuar drejtuesit e agjencive të pavarura, ndër të tjera.

Ndërsa ndërmerr hapa për t’u dhënë fund përpjekjeve humanitare të mbështetura nga Amerika në shumë vende, administrata e zotit Trump ka dërguar njoftime për ndërprerjen e financimit për organizatat kryesore të komunitetin global të ndihmës.

Grupet e ndihmave kanë thënë se tërheqja e SHBA-së rrezikon jetën e miliona njerëzve më të ekspozuar në botë, përfshirë ata që përballen me sëmundje vdekjeprurëse dhe ata që jetojnë në zona me konflikt.

https://www.zeriamerikes.com/a/7998866.html

Please follow and like us: