Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: U shua dhe një yll i Tepelentë…

Në vend të homazhit për Fatmir Meçen, etnomuzikologun e madh tepelenas.

Lajm shumë i trishtë, një humbje e madhe për familjen, po edhe për Tepelenën e Memaliajn, për artin e kulturën e kësaj ane!

Fatmir Meçe ishte më i madhi i pentagramit që kjo anë ka nxjerrë; ishte kompozitori, udhëheqësi artistik, drejtuesi i formacioneve muzikore, i koreve të fëmijve e të të rriturve, i grupeve artistike të trevave të rrethit, ishte njeriu i cili shërbeu një jetë të tërë në këto dy qytete.

Ishte një muzikolog dhe etnomuzikolog i dorës së parë, një njohës i jashtëzakonshëm i melosit popullor, një mjeshtër i vërtetë i udhëheqjes artistike me grupin përfaqësues të Tepelenës në sa e sa aktivitete, koncerte, festivale të ndryshme me karakter vendor e kombëtar.

Fatmir Meçe është kompozitori dhe dirigjenti i sa e sa këngëve për fëmijë e me pjesmarrje të gjerë në festivalet e tyre.

Fatmir Meçe mbetet si inspiruesi dhe drejtuesi i sa e sa aktiviteteve muzikore e kulturore në qendrat e punës e prodhimit e ku në Memaliaj mbahet mend si specialisti që e ngriti në një stad të ri lëvizjen amatore të qytetit të minatorëve.

Keqardhje e madhe që komunitetit artistik të Tepelenës ju shua një yll i ndritur!

U shua në Tepelenë për të ndriçuar në qiell me miqtë e tij të shpirtit: Qazim Shemaj, Maliq Lila, Petrit Ruka, Timo Bushin, Zaho Balili e të tjerë emra të artit e kulturës tepelenase.

Ngushëllime të ndjera familjes dhe komunitetit artistik të Tepelenës e Memaliajt!

Lamtumirë, mik i shtrenjtë!

Please follow and like us: