Albspirit

Media/News/Publishing

Simfoni Pranverore, një takim muzikor mes krijimtarisë shqiptare e asaj botërore

Anila Kadija

Në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe art të lartë, dirigjenti i njohur shqiptar Olsi Qinami ngjiti në “Holy Trinity Church” në Sloane Square, Londër koncertin “Simfoni Pranverore”, duke hapur në mënyrë simbolike sezonin e ri të muzikës klasike. Aktiviteti u zhvillua më 8 Mars 2025, në një ditë me domethënie të veçantë – Ditën Ndërkombëtare të Gruas – si një tribut i veçantë ndaj fuqisë, bukurisë dhe kontributit të gruas në shoqëri dhe kulturë.

Një detaj i veçantë i mbrëmjes ishte prezantimi i artistëve nga një djalë i vogël, i cili e futi sallën në një atmosferë surprize dhe pritjeje, duke i dhënë koncertit një nisje të veçantë e të ngrohtë.

Koncerti u hap me interpretimin e Teodor Doré Trio, i cili solli një performancë të fuqishme të veprave të Sergei Rachmaninoff. Pianisti Teodor Doré, violinistja Yeva Volkava dhe violinçelisti Theo Bently Curtin u shfaqën në skenë me një ekzekutim të ndjeshëm dhe virtuoz, duke e çuar publikun në një udhëtim përmes melodive të thella e pasionante të kompozitorit të madh rus.

Më pas, skena iu la një kuarteti të instrumentisteve shqiptare nga Orkestra Simfonike Shqiptare e Radios, të cilat interpretuan me një mjeshtëri të rrallë pjesë nga Prenk Jakova dhe opera e tij e famshme “Mrika”. Blerta Ristani dhe Edmea Krasniqi në violinë, Albana Kola në violë dhe Jona Bodinaku në violinçel sollën një tingull të fuqishëm e të pasur, duke e mbajtur publikun të magjepsur. Përveç mjeshtërisë teknike, performanca e tyre kishte edhe një dimension emocional të veçantë, pasi ato përfaqësonin një brez të ri artistesh shqiptare që po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte prania e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thomas Simaku, i cili ka ndërtuar një karrierë të shquar jashtë Shqipërisë. Ai ndau me publikun emocionet e tij për interpretimin e një prej veprave të tij të para, të shkruar në vitin 1976, kur ishte ende në fillimet e tij si kompozitor. Ishte një çast reflektimi mbi rrugëtimin e tij artistik, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen nëpërmjet muzikës.

Pas ekzekutimit të “Nightingale” nga Thomas Simaku, orkestra interpretoi një tjetër vepër të re, të shkruar posaçërisht për këtë koncert nga Teodor Doré. Nën dirigjimin e mjeshtërit Olsi Qinami, kjo pjesë solli një frymë bashkëkohore në program, duke dëshmuar se muzika klasike vazhdon të evoluojë dhe të pasurohet me krijime të reja.

Mbrëmja u mbyll me një performancë mbresëlënëse të Pyotr Tchaikovsky, ku violinistja Wakana Noguchi dhe Orkestra e Filarmonisë së Qytetit të Londrës dhuruan një interpretim të jashtëzakonshëm, duke bërë që emocioni dhe pasioni i muzikës së tij të mbushnin sallën.

Ky koncert nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një dialog mes trashëgimisë dhe së tashmes, ku u ndërthurën kompozitorë të mëdhenj të së shkuarës si Rachmaninoff dhe Tchaikovsky, me krijuesit e talentuar të së sotmes si Doré, Jakova dhe Simaku.

Në përfundim të koncertit, dirigjenti Olsi Qinami dhe instrumentistët shqiptarë u përshëndetën nga Klubi “Book Lovers” i intelektualeve shqiptare në Londër, një grup që mbështet dhe promovon aktivitete kulturore të një niveli të lartë. Gjithashtu, në publik ishte e pranishme edhe docentja e LSE, akademikja Lea Ypi, e cila e përshëndeti këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm për artin dhe identitetin shqiptar në diasporë.

Me një ekuilibër të përkryer mes elegancës, forcës dhe ndjeshmërisë, “Simfoni Pranverore”  u cilësua si një nga koncertet më të bukura të sezonit, duke shënuar një tjetër sukses për muzikën klasike shqiptare në arenën ndërkombëtare. 

Please follow and like us: