Muzeu Kokalari: 18 mars 1934, përurohet shtatorja e Çerçiz Topullit!
91 vjet më parë, më 18 mars 1934, u përurua në Gjirokastër shtatorja e heroit kombëtar Çerçiz Topulli. Kjo vepër, e realizuar nga skulptori Odhise Paskali, u mundësua nga kontributi financiar i vetë qytetarëve të Gjirokastrës dhe gjirokastritët e mërguar në Amerikë, si një nismë e propozuar së pari nga gazetari Xhevat Kallajxhi. Kryetar i komisionit për kryerjen me sukses të projektit ishte Kryetari i Bashkisë së kohës Sami Kokalari. Ceremonia e organizuar me atë rast ishte masive. Atmosfera u bë edhe më entuziaste, kur grupi i të rinjve, me kostumet tradicionale këndoi dhe kërceu këngën për Çerçiz Topullin.
Në foto telegrami në emër të Kryetarit të Bashkisë Sami Kokalari, si ftesë për pjesëmarrje në kremtimin e kësaj ngjarjeje.