Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Valbona Kolaveri

ALARM I BRENDSHËM

Alarm i rremë,

Të mendosh në paralelizma

Mendime gjithfarëlloj,

E të jenë të vërteta të gjitha në tē njëjtën kohë.

*

Alarm i rremë

Zilja kur bie të dielave në mëngjes,

E ti mendon që e hëna për në punë ka ardhur,

Dhe të duhet të përgënjeshtrosh gjithnjë

Përpara nxënëseve gjithë jetën tënde rrëmujë

Se të duhet të jesh e qetë përpara tyre.

*

Alarm i rremë

Që mund te bëhesh sërish me fëmijë,

Se pema jote e jetes

Ka filluar qe sythat t’i vyshkë nga pak.

*

Alarm i rremë

Që fëmijet e tu do të vijnë sërish të jetojnë me ty,

Sepse sapo gënjehesh,

Atëherë ata largohen, e largohen,

Dhe ti duhet te duash macen edhe më shumë,

Edhe pse ajo të bën të teshtish me dënesë.

*

Dhe mësohem që asgjë s’është më e rremë

Perveç silikonëve,

Fotoshopëve,

Politikave mbi fushatat partiake,

A ku di unë se çfarë

Që nuk ka lidhje aspak me jetën time.

*

Alarm i brendshëm

Është alarmi i vërtetë,

Që unë duhet të jem çdo ditë,

Në paqe me atë ç’ka më vjen

Edhe pse në të vërtetë më vjen të ulëras

Me sa zë kam në kokë.

MË MJAFTON

Më mjafton tē pres me durim

E të shoh se cili do te jete hapi im i rradhês,

Dhe jo fundi i udhës ku po pres të shkoj.

*

Më mjafton te mbyll sytë

E të marr fryme thellë,

Edhe për nje ndalesë

Kryqëzimet e vetvetes ngadalë t’i zbërthej.

*

Më mjafton të puth me shpirt

Çdo ritmike brenda unit,

Shkapërcimesh mos të rend

Më duhet edhe pak kohë.

*

Ujrash të notoj e qetë,

Të shoh thellësitë ku jam zhytur

Pa ngutin që e para në finish të jem.

*

Më mjafton një puthje në ballë e në gushë

Të ndihem e lirë,

E të kujtoj që jam gjallë të dua me shpirt,

Mirënjohëse që çdo mëngjes

Me gëzimin  jetoj,

Dhe çdo ditë pa ankth të ushqej.

NUK JAM MË SI DIKUR

Monotoni,

Thërmija në pjesëza

Çorientuar

*

Englediset shpirti

Sa atje këtu

*

Sa për të thënë,

Ja u duka që të më shihni

*

Por nuk jam më si dikur,

Nuk jam më,

Ta dini

*

Pa ty

Dhe me ty,

Me ju

Dhe pa ju

*

Se unë jam aty

Vetëm me trup,

E jo më me shpirt

*

Dhe ky është ndryshimi.

KORBA DHE DJAJ

O zot,

Largomi korbat që kam mbi kry

Po presin vdekjen time

Që t’më vërsulen.

*

Hapma qiellin me pakëz dritë

Se po më terrojnë sytë,

Ktheji lutjet e mija në një mburojë

Që shtegtimit t’ia dal-

Andej kah dhe rrugët

Rrethohen me djaj.

KURTHE SYSH

Prej syve përgjues dhe lakmues

Të vetmisë,

U shtanga një ditë prej mërzisë

*

Dhe i fola vetes i fola 

Sa munda,

Por as  vetja s’më vu vesh,

Sy i magjistricës mē kish kapluar

*

Dhe desh plasa në vënd nga ata sy

Me vetminë harrimesh rrethuar.

ANKORUAR DETESH

Ti po pret ankthesh edhe po  vuan

Pezmës së shpirtit po i flet ngadalë,

Dhe dergjesh brengash teksa

Trupit digjesh,

Du duar zemres lidh

E paqësisht lutesh

*

Tek përpëlitesh

Në secilën cipë membranash,

Ankoruar detesh

Ti klith në heshtje,

Dhe ngadalë bie,

Si një spirancë thellësisë së shpirtit

Po prapë për t’ia ridalë.

MANIFEST I SHPIRTIT

Unë ushqej zjarrin

Jo sepse përqafoj dritën,

As sepse shpërfaq mirësinë nga mendimet pozitive buzëqeshjeve,

Unë ushqej flakën brenda vetes

Sepse shoh errësirën,

Në më të padukshmet tunele brenda vetes,

I shoh hera-herës tek bien

Dhe shkërmiloqen humnerash

*

Shoh mijëra copëza të thyera pasqyrash

Shëndërrimeve,

Metamorfozash,

Dhimbjesh,

Humbjesh,

Në miliona grimca shpërndarë universesh të tjerë,

Brenda rrënjësh

Qē shtrihen thellë,

E të përpijnë deri nē palcë të tokës

*

Tē më japin vërtetësinē

Që nuk mund të ma japë asgjë tjetër,

E të mos ma blejnë tregjeve të përbotshme

Sipërfaqesh të dukjeve,

Ata më të zotët

*

Unë fle me ndryshimin

E puth çdo ditë mirënjohjen,

Dhe mbushem me energjinē

Që mē rinon shpirtin,

E më ndriçohen kësisoj sytë,

Me energjinë e një universi të padukshëm,

I cili tërheq drejt vetes padjallëzitë

E ruhet i pastërt qelqeve të lara me lot,

Ku brengash e mospërmbushjesh nuk gremisem

Sepse ato i shoh cep më cep,

Dhe prapë qëndroj e  larê energjish brënda vetes

Si uji kulluar krojeve në mistikën e tyre.

RRËFIM

Kam nevojë të rrëfehem

Tek një shpirt i butë, që nuk më shpërfill,

As fjalët e thëna nën drithmë,

As lotët po mi pa tek ndjesitë,

E as ofshamat, që therin si thikë.

*

Dhe të harroj që isha unë,

Në kujtesat e largëta me pakëz dritë,

Aty ku shpirtrat flasin nën zë, pa zhurmë,

Aty, ku vetëm qiejt flasin të njëjtën gjuhë.

ARRATISEM

Arratisem në rrathë ylberesh dashurie

Dhe në amalgama ngjyrash shtriqem,

Kuptoj që një ditë jam një ngjyrë e kuqe

Që dritën ndez brenda meje,

E zjarrtë zemra në grishje të shpërthejë flakë

*

Një hop, ndihem e bardhë trëndafil,

Mbi një shtrat hedhur çarçafësh dëshirash shpupurisur,

Mandej, një blu mendimesh kapluar thellësish

E vrarë në shpirt,

Që pret ta shpëtojë nga muret e ngurta të vetvetes

Një princ,

Jo i kaltër si andrallë,

Por si një shpirt që të puth dy sytë.

NË HESHTJE DUROJ

S’më duhet të kërkoj jashtë vetes

Se asgjë s’më pengon më shumë se unë vetë

*

Mjafton vetēm të rigjej paqen e humbur

Të mund të duroj dhe ca më tepër

Që nxitimin të mund

*

Atëherë gjithçka më pengon

Do ta vë përfund.

NDRYSHIM

Unë nuk mund të mos pranoj

Dhe të mbetem rreth vetes –

Një rreze e pandryshueshme,

Në qarkun e mendimeve

*

Harkuar vetes në të gjitha vlerat

E ndryshueshme,

Marr dhe jap ngjyrime

Sipërfaqeve të tehut të mprehtë të ditëve.

KURORË DIELLI

Në shpirt mbaj një varëse

Me kurorë dielli

Humbjet nuk ma kēpusin,

E shtigjesh të ngushta vetëbesimesh

Të ma përthejnë

Sepse drita brenda saj,

Sa herë që unë bie

Aq herë më  ringre.

FLAKË

Në flakën e pishtarëve të zemrës,

Po digjem shpirtit ngadalë

*

Hi u bafsha  e tana,

Në mos ardhsha tek ti ashtu

All e kuqe,

E verdhë

*

Si flakët e votrës,

E zjarrtë.

FALJE

Perpara meje,

Fytyrën e humbjes mban në duar

Kur faljen s’ke pranuar.

*

Përpara teje,

I zhduk të gjitha sindromat e së drejtës

Kur fajet flenë mbi ne.

*

Dhe heshtjen blej çdo çast

Që të rimarr një tjetër shans për veten.

GRATË E QYTETIT BLU

Gratë e qytetit blu

Kanë sy prej zjarri,

E kur shikimet përthejnë mbi vetet

Në pasqyrimet t’dillta,

Marrin dyfish nur

N’perëndimet e largëta,

Reflektojnē mbi liqen

Valëzime të përkora,

Drithmashdashnie

Gratë e qytetit blu,

Kanë sy të zinj

Si thëngjij,

E flokë të artë si m’nafsh,

T’kapuna si kallzagruni arave,

E buzët të kuqe si shega mjaltë

Gratë e qytet blu

Kanë sy të mëdhenj,

Me ninza,

Që shkëlqejnë dashnive

Prej shpirtit,

Që amël u flasin andrrave,

Dhe u besojnë amanetet e etërve të vdekun,

Bijëve,

Tuj dashtë

Gratë e qytetit blu

Mbrohen nga mure të gurta,

Që gjinjtë simbol i mban jashtë si shenjë hajmalie për nurin e tyne,

Duke shkapërcye

Hijet përndjekëse,

Që ua kufizojnë liritë,

Ku prarimet e paqta të hanës,

Së netëve të tyre triumfatore, i kanë

Buzë Bune e Drini

Gratë e qytetit blu

Posedojnë madhshti Rozafe,

Me hiret e një fisnikeje

Që fjalët qëndisin mbi buzë,

Dhe u flasin butësisht ëngjëjve,

E rruzare lutjesh

Puthin për gjithkënd.

IKONË HESHTJESH

Po zbres me hov në një rrëpirë mendimi

Ku shpirti mblidhet guf gulçimave,

Kah orientimet e kithta

Po më fashisin gjithë kujtimet.

*

Ndalem natyrshëm,

Të rikuperoj frymën e ditëve të barsura

Me tharm harrimesh e ngutjesh,

Përpara një ikone që i lutem rishtaz.

*

Ajo është gjithmonë aty

Në kujtesën time,

Nuk ka ngut e as pishmane,

Me pret kur e di qe jam e sfilitur pezmave,

Ulur në një karrige transparente

E në krye mban nje kurore triumfi.

*

Dëgjon bashkë me mua tehe shpatash

Që vijnë nga larg,

E druhet mos më presin,

Ia them frikën time,

Heshtja e mistershme e saj më udhëzon

Të gjej një drejtim të ri.

*

Mbi supe qetësisht rimarr një pëllumb të bardhë

Të paqtoj veten udhëtimesh në ngjitje

Është koha të nisem.

NJË MIJË BURRA

Më tradhêtuan një mijë burra,

Dhe asnjë prej tyre

S’më deshi kurrë,

Tek secili veç pak kërkova,

Të më njihte sadopak

Nën lëkurë.

*

Më tradhëtuan një mijë burra,

Sepse një mijë të tillë

Ishin të tek i vetmi që njoha,

Ma brodhi shpirtin

Sa mundi nëpër kohëra,

Ish jo me mua

Por i vetëm,

Dhe shpirtit tim

S’iu bë mik kurrë…

TERR DHE DRITË

E përpij magjinë tënde

Brenda territ tim,

Dhe luaj lojë bishash

Të më shqyesh përbrenda egërsinë,

Ta mposht atë terr që më mbyt,

Aty, ku vetëm dritë e përtejme më grish.

ÇANGAT

Sinkron i këngëve të pulëbardhave

Nadjes,

I prangosën çangat

Kishave,

Fluturimi i tyre

Kish një mijë arsye

Për t’u thënë qiejve

Se lutjet e bardha vijnë

Bashkë me ne,

Pastaj qyteti le të kremtojë

Ditën e paqtë valëzimesh.

SIMBOLIKĒ

Rrethuar simbolikash

Tē kuptimta

Tokës së energjisē sime,

Kongruencash përputhem.

*

Mē mjafton

E mjaftueshmja jote që më lidh

Për shpirt-

Një zinxhir i pazgjidhshëm

Universesh.

*

Që çdo herë më shtang

Në të miat habi.

Please follow and like us: