Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: E keqja që nuk i bëhet derman!

Shkatërrojnë edhe kur ndërtojnë!

Qeveritarët, të djeshëm e të sotëm bashkë, e dinë që e kanë bërë baltë kur kujton lugën e “florinjtë” të premtuar me aq bujë në dhjetorin 90. Rrugëtimi europian e standarti demokratik e ligjor mbeten ende tërhiq e mos këput, korrupsioni e padrejtësia janë bërë mullar e këto e të tjera dështime monumentale vijojnë të boshatisin vëndin dhe po zgjasin pritjen për “martesë” me Europën po aq sa edhe “divorci” i djeshëm me të. Arritjet e pakta, shpesh fasadë, sfumohen nga problemet e panumërta e litarët përjashta që BeRama e tranzicionit po lë për qytetarin pas. 

Ky takëm qeveritarësh të tranzicionit që përgojuan punën e brezave të tërë e përqeshën njeriun e ri të socializmit që besoi dhe punoi me përkushtim për vëndin sot ka “klonuar” njeriun pirat 99sh “o Mete për vete” të kapitalizmit më ekstrem, ka zhbërë pakthim trashëgiminë e vyer të monizmit si duke prishur – kujtoni qeveritë e PD nga anarkia mbi pronën, shkatërrimin e fabrikave, NB, piramidat etj ashtu dhe duke … “ndërtuar” sikurse po ndodh me qeveritë e PS – legalizimi i grabitjes së pronës me mbivendosjet e tapive, betonizimi pafre urban e turistik, vrima malesh e resorte ku të munden me bishta buxheti e infrastrukture pas etj. 

Ky takëm qeveritar zhbëri ekonominë duke na katandisur sot komb hanxhi e tregtar, bën çfarë i teket me pasurinë kombëtare duke e dhënë atë nën “banak” duke mos kursyer as Sazanin e të gjitha me ligje që përfliten për klientelizëm e favor politik. 

Njëlloj si faraonët, ata kuturisen të përjetësojnë me ngut shijet e tekat e tyre me betonizimin e “tatuazhin” masiv të mjediseve urbane e turistike duke ia ngecur këtë “dekor” brezave që vijnë sepse e kanë fiksim hyrjen në histori e bërjen e epokave edhe duke lënë “piramida” pafund betoni pas – kulla, Lungomare, tunele, autostrada e të tjera sajesa shpesh çibanë urbanë që nuk zhbëhen më kollaj duke shpërfytyruar trashëgiminë e vrarë kujtime. Një lloj marrëzie madhështie që ia kalon edhe Duçes me zonën EUR kur ai risolli stilin romak atje por jo në kurriz por si zgjatim i qytetit të përjetshëm.  

Ky takëm nuk heziton njëherë e nxjerr përditë nga një hyner sikur të kenë një guidë të gatshme për gjithshka në xhep, flet gjithë ditën për ligje e nënligje, shtojca e gërma ligjesh, rregulla etj që i hedh si gura pafund në lumë për të hutuar qytetarin, flet për shtet ligjor e demokraci por ndryshe nga kapitalizmi e demokracia tradicionale me 7501 legalizoi të padëgjuarën në historinë e kapitalizmit, mbivendosjen e tapisë, një padrejtësi sipar për një seri padrejtësisht të bazuara edhe në ligj duke cënuar në finale rëndë kohezionin shoqëror dhe futur në sherr njerëzinë. Dhe sikur të mos mjaftonin 4 dekada, llapin akoma për reforma!  

E kanë kaluar ylberin ndaj dhe nuk ia ndjen më për atë çfarë qytetari ndjen e mendon. E dinin që pas viteve të para pasionet do të zbeheshin e besimet do të testoheshin duke e bërë votën të pasigurtë ndaj dhe sajuan 2008 që të mbeteshin majë “fikut” pavarësisht popullaritetit dhe sot merak nuk kanë më revoltën e votën qytetare por daljen nga “shishja” të drejtësisë sepse u mësuan të abuzojnë me pandëshkueshmërinë të mirëqënë.  

Çfarë prisni nga të pazgjedhurit!  

Në politikë më keq se një qeveri e keqe është pamundësia për të mos e hequr dot qafe atë. Askush nuk pret qeveri të përsosur, as në demokraci por ama e rëndësishme mbetet që qytetari me votën e tij të mund të largojë kollaj atë qeveri që e braktis. 

Fataliteti i demokracisë sonë nuk janë qeveritë e mbrapshta pa dallim të PD e PS por fakti që pas 2008 nuk kemi më gjë në dorë. Deri para 2008 vijonte inercia e besimit tek politika dhe qytetari ende nanurisej me vegimin se gjërat do shkonin mbarë por pas 2008, ky takëm politikanësh, me hir apo pahir, e ka bërë Kuvëndin si shtëpi të dytë falë listave të mbyllura (makar të paguajnë taksë), boll të votojnë militantët, klientela e një pakicë në tkurrje idealistësh sa kohë nuk aplikohen kuota minimale pjesmarrjeje teksa gjithnjë e më shumë votues ose ia kanë çarë jashtë ose janë indiferent ndaj murit që nuk i bihet me kokë. 

Trishtueshëm sot, qoftë në publik ashtu edhe politikë, gjithshka mbetet tek kritikat e sharjet ndërkohë që zgjidhja nuk duket kund. Por, nëse “demi” duhet kapur nga brirët, një prej tyre është edhe ligji zgjedhor. Sa kohë vota merret e mirëqënë, problemet do të vijojnë ndaj dhe një bast i sigurtë për të thyer akullin e çliruar nga pengmarrja demokracinë është edhe rikthimi i sistemit mazhoritar. E kemi nisur demokracinë me të dhe, ndonse në vitet e para votohej më shumë me pasion se sa kokë të ftohtë, sërisht ai i dha ku e ku më shumë dinjitet kuvendarit, Kuvëndit e votuesit në krahasim me sot.    

Bota anglo-saksone, demokracinë e së cilës e kanë shëmbull të gjithë, mund të ketë plot probleme me drejtuesit e tyre por sërisht qytetarët mbeten shpresëplotë kur vijnë votimet dhe askush nuk humbet besimin tek demokracia sepse vota ka peshë dhe ndëshkon. Tek ne kjo pas 2008 nuk ndodh më dhe kjo zhyt demokracinë në një rreth vicioz ku shpresa vetëm venitet më tej. 

Deri tani politika e mbrapshtë ia ka dalë të mbijetojë e sundojë duke zhytur shoqërinë në zhgënjim e dëshpërim e mos patur më besim se gjërat do të ndryshojnë. Por bota nuk na e ka borxh mirëqënien që të largohemi pakthim sidomos pas integrimit në BE. E bënë vetë të tyren duke luftuar për të dhe nuk e lejojnë politikën t’u hypë në qafë si tek ne. Qoftë drejtësia, media e pavarur, ndikimi i perëndimit ashtu edhe roli i qytetarit janë jetik për mirëqeverisjen në demokraci. Dhe kur vjen tek qytetari, vota është vendimtare për të zgjuar shpresën e besimin se gjërat varen nga ne. E nëse ka shkop “magjik”  për të futur demokracinë në binarë, ai mbetet ligji mazhoritar. Ndryshe, nga të pazgjedhurit mund të presësh gjithçka.