Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkim Trenova: NAZIBOLSHEVIZMI-LETËRSIA DHE ARTET

Botimet M&B
Bashkim Trenova: NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET.
Faqe: 248.
Formati: 15x23cm.
ISBN 978-9928-820-74-7.
Çmimi: 1500 lekë.

***

Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithëpranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë….

Objekti i këtij botimi është i kufizuar. Ai kërkon thjesht të “rindërtojë” vetëm një pjesë të rëndësishme të jetës së shoqërisë gjermane dhe sovjetike përgjatë diktaturës naziste në Gjermani dhe asaj bolshevike në Rusi.

Pavarësisht këndvështrimeve dhe pozicionimeve, përgjithësisht pranohet se shoqëria gjermane dhe ajo ruse apo sovjetike, respektivisht gjatë pushtetit nazist dhe atij komunist, i janë nënshtruar një propagande të fuqishme shtetërore, që mobilizon dhe kontrollon mediat. Ky pushtet ka instrumentalizuar edhe jetën artistike dhe e ka kthyer atë në një mjet të fuqishëm propagandistik. Kështu dalin dhe “lulëzojnë” stilet artistike zyrtare, ndërsa ai që vlerësohet si “art i degjeneruar” ndalohet.

Letërsia dhe artet e kësaj kohe, si në Rusi ashtu edhe në Gjermani, kanë për detyrë të himnizojnë krerët shtetërorë dhe partiakë, t’i shërbejnë kultit të tyre, ambicieve të tyre, të propagandojnë madhështinë dhe forcën e Rajhut III dhe të Rusisë sovietike, t’i bëjnë njerëzit të besojnë se janë të lumtur, të gëzuar, të pranojnë një botë imagjinare, e cila trumbetohet si reale. Letërsia dhe artet detyrimisht duhet të jenë në shërbim të krijimit të njeriut robot, që komandohet me një shtypje suste nga lart, pa qenë nevoja të mendojë, madje as që duhet të mendojë, e ka të ndaluar, përndryshe deklarohet armik, devijator, tradhtar, agjent i të huajve. Dhe fundi dihet.

Këtë tablo të zymtë, të trishtuar dhe asfiksuese synon të paraqesë edhe “Nazibolshevizmi – Letërsia dhe Artet”. Ai përbëhet nga pesë kapituj, konkretisht nga Kapitulli I – Letërsia; Kapitulli II – Muzika; Kapitulli III – Filmi; Kapitulli IV – Teatri dhe Kapitulli V – Piktura dhe Skulptura. Renditja sipas kapitujve është subjektive. Secili kapitull pasqyron veprimtarinë e artistëve të fushës përkatëse, prodhimtarinë e tyre, detyrimet ndaj diktaturës, tematikën e lëvruar, ndjekjet dhe persekutimin e shumë e shumë prej tyre, që dashje apo edhe pa dashje, nuk u pajtuan me diktaturën, madje edhe të vetë atyre që i shërbyen me zell asaj. Në secilin kapitull trajtohet edhe roli vendimtar, prej despoti mesjetar, i Fuhrerit apo Vozhdit lidhur me fatin e një romani, drame, një filmi, pikture, skulpture dhe të autorëve të tyre.

“Nazibolshevizmi – Letërsia dhe Artet”, sipas kapitujve, trajton fillimisht Gjermaninë naziste, në fushën përkatëse, dhe më pas Rusinë sovjetike apo Bashkimin Sovjetik. Rusia bolshevike ka një jetëgjatësi më të madhe nga Gjermania hitleriane. Kështu që ajo ze një vend më të madh dhe një hapësirë kohore më të shtrirë në këtë botim…

Rreth autorit

Bashkim Trenova lindi në vitin 1943 në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe ka punuar në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës, në Sektorin e Jashtëm të “Zërit të Popullit” dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Më pas ka punuar në gazetën e parë opozitare – “Rilindja Demokratike” dhe në vitet 1994-1995 në Ministrinë e Punëve të Jashtme si zëdhënës i saj dhe drejtor I shtypit. Në vitet 1995-1997 është emëruar ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Bashkim Trenova ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Drita” ku ka botuar përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe artikuj kritikë, letrarë e artistikë. Ai ka realizuar gjithashtu reportazhe kulturore për televizionin shqiptar si edhe për Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Ai ka botuar, si bashkautor, përmbledhjen dokumentare “Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, dhe më pas vëllimin dokumentar “Shtetëzimi i Pronës Private në vitet 1945-1948”, botim i brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.

Bashkim Trenova ka botuar komeditë: – Çmenduristan, Vives les Morts (Rrofshin të Vdekurit), Ubu Camarade (Shoku Ubu), L’amour à louer (Dashuria me qira), L’Ennemi-ami Strauss (Armik-miku Shtraus), L’Obsédé (I Fiksuari), La Femme du Mari Battu (Gruaja e burrit të rrahur) dhe Harcelement & Chatiment (Ngacmim & Ndëshkim). Ai ka botuar gjithashtu “Armiqtë e Popullit” (Kujtime), “Heronjtë e Popullit” (Refleksione), La Coupole Rouge (Kupola e Kuqe) – Refleksione, L’enfer rouge (Ferri kuq) – Kujtime, Ditari i një ambasadori, Shqiptarët sipas serbëve si dhe Humor kundërkomunist në komunizëm.