VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË PËR DËNIMIN E “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË TË KRYESUAR NGA ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR DËNIMIN E “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS, ME NË KRYE FILIP NASHI, BEQIR ALIJA, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI, ETJ.
RELACION
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
Tiranë më 21.6.1976
GJYKATA E LARTË, Nr.381
Presidiumit të Kuvendit Popullor, Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË, GJYKATA E LARTE, Nr.12. Regj. Themeltarë, Nr.13 i vendimit
VENDIM NE EMËR TE POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, e përbërë prej: Kryetares së seancës: Eleni Selenica,. Kryetare Gjykatës Lartë, Nd. Gjyqtar së seancës: Mitat Goskova, Nd. Gjyqtar së seancës: Fehmi Legreta, T’asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e Prokurorit Sotiraq Samara ZV. Prokuror’i Përgjithshëm, nga data 11-17.6.1976 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.12 që ju përket të pandehurve:
Të dyja këto veprimtari armiqësore me një qëllim të vetëm final – përmbysjen e diktaturës së proletariatit, janë zhvilluar në të njëjtën periudhë, kanë qenë të bashkërenduara.
U provua plotësisht se dy prej anëtarëve të këtij grupi sabotator, qysh në vitet 1960-1961, Milto Gjikopulli e Koço Plaku, janë rekrutuar e vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik me pikësynim kryerjen e sabotimeve në të gjitha drejtimet e industrisë së Naftës e Gazit, fakt ky që vërteton jo vetëm veprimtarinë armiqësore të revizionistëve sovjetikë e ndaj vendit tonë, synimet e tij grabitqare të njëjta edhe në ato të imperialistëve dhe sidomos imperializmit amerikan, por edhe atë se armiqtë e jashtëm e të brendshëm godasin edhe veças edhe së toku duke koordinuar e bashkërenduar veprimet e tyre për të dobësuar e përmbysur pushtetin popullor dhe socializmin në vendin tonë, për të restauruar kapitalizmin.
Duke i mbështetur në të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata arrin në konkluzion se; gjithë aktiviteti armiqësor – sabotues i grupit të të pandehurve është zhvilluar në bashkëpunim i cili shprehet në unitetin e mendimeve, në unitetin e veprimeve sabotuese duke përdorur metoda dhe forma të përbashkëta dhe së fundi në unitetin e qëllimeve – dobësimin e ekonomisë popullore dhe fuqisë mbrojtëse të vendit, në pikësynim final përmbysjen e pushtetit popullor.
Procesi gjyqësor kundër grupit sabotator të kryesuar nga i pandehuri Filip Nashi dhe me bashkëpunëtorë Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, si vazhdim i gjykimit të Partisë dhe popullit, vërtetoi të gjitha të dhënat hetimore, drejtimet kryesore të veprimtarisë së tyre sabotuese e armiqësore, dëmin e madh politik, ideologjik dhe ekonomik që ka sjellë kjo veprimtari dhe kristalizoi rrezikshmërinë shoqërore tepër të theksuar të këtij grupi armik e sabotator dhe të veprimtarisë së tyre kriminale.
Të dhënat e hetimit dhe gjykimit vërtetuan se veprimtaria kriminale sabotuese a grupit sabotator të kryesuar nga Filip Nashi dhe të përbërë nga bashkëpunëtorët e tij të pandehurit Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Mrati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, është përqendruar në këto drejtime:
Të nisur nga qëllimi i tyre, pregatitjen e terrenit të përshtatshëm për imperialistët, revizionistët e reaksionin botëror, për t’i hapur rrugë minimit të mbrojtjes së vendit dhe dëmtimit të ekonomisë popullorë në tërësi, grupi sabotator i të pandehurve i kryesuar nga Filip Nashi, ju kundërvu në teori e në praktikë vijës së Partisë, direktivave të saj dhe vendimeve të qeverisë, për zhvillimin e industrisë së Naftës dhe Gazit.
Në mënyrë konkrete ata në veprimet e tyre, që kanë mbështetur e përkrahur njeri tjetrin, kanë sabotuar zbatimin e Vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, Nr.254 datë 10.11.1967, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr-38 datë 5-6 Mars 1970, të dala posaçërisht për zhvillimin e industrisë së Naftës e Gazit.
Të nisur nga qëllimi, për të mos zbuluar vend-burime të rinj për naftë e gaz, duke sabotuar perspektivën e vendit tonë në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë, duke diskredituar vendimet e Kongresit të VI-t të Partisë dhe planin e 5-të pesëvjeçar, të pandehurit bashkërisht me mendime e veprime, qysh në fazën fillestare të studimit dhe zbulimit të vend-burimeve naftë-gazmbajtëse, u janë kundërvënë kërkesave themelore të vendimit të sipërm të Byrosë Politike, lidhur me kryerjen e gjithë kompleksit të nevojshëm të punimeve gjeologo-gjeofizike.
Të gjithë të pandehurit pohuan se në drejtim të pregatitjes së strukturave me cilësi të mirë dhe me kompleksin e nevojshëm gjeologo-gjeofizik, kanë sabotuar dhe se qëllimi i tyre ka qenë mos zbulimi i naftës, sabotimi i ekonomisë, dobësimi i fuqisë mbrojtëse të vendit, rrëzimi i pushtetit popullor.
Kështu i pandehuri Filip Nashi, vuri në dukje përpunimin që u bëhej elitës së gjeologëve, si Beqar Alisë, Protolo Murtit, Koço Plakut, Milto Gjikopullit, Dhimitër Stefës, për ta dhënë pika në struktura të pa pregatitura me kompleksin e punimeve gjeollogo-gjeofizike.
Ai pohoi së veç personave të tjerë, edhe ai vetë ka qenë nxitës e shtytës për dhënien e pikave pa u bërë pregatitja e strukturave nga Instituti, se; “unë, – deklaroi ai, – kam vepruar kështu për të mos realizuar detyrat e zbulimit të naftës, që të sabotohet ekonomia e pushtetit popullor, duke ëndërruar ndryshimin e situatës”.
Ndërsa i pandehuri Beqir Alija pohoi se; “ai nuk ka qenë dakord me Vendimin e Byrosë Politike, që orientonte se asnjë pus nuk duhej të bjerë jashtë strukture dhe se; “sabotimi është filluar fill pas daljes së këtij vendimi”. Këto pohime të të: pandehurve Filip Nashi e Beqir Alija, tregojnë qartë për rolin e tyre kryesor në veprimtarinë sabotuese të zhvilluar në industrinë e Naftës e të Gazit.
Nga ana tjetër të: pandehurit Milto Gjikopulli e Koço Plaku, duke dhënë shpjegime rreth akuzës, pohuan se edhe kur kanë projektuar vetë puse edhe kanë miratuar projektet e gjeollogëve të tjerë, janë udhëhequr nga qëllimi “për të dobësuar ekonominë e naftës, për ta minuar atë, me pikësynim për përmbysjen e pushtetit popullor”.
Pohimet e të pandehurve, thëniet e dëshmitarëve të shumtë dhe të dhënat e aktit të ekspertimit, vërtetuan se një numër i madh strukturash e pusesh janë atakuar e shpuar pa qenë të pregatitura me punime komplekse gjeologo-gjeofizike. 80% e strukturave nga ato të nënshtruara shpimit, theksohet në aktin e ekspertimit, kanë qenë të papërgatitura dhe për periudhën 1970-1975.
Si rezultat i veprimtarisë sabotuese, nga 129 puse të shpuar në gëlqerorët dhe ranorët, me detyra strukturalë e kërkim zbulimi, 59 kanë rënë jashtë strukture pa kapur fare gëlqerorët, 23 kanë kapur objektin (gëlqerorët), por nuk kanë vërtetuar strukturën, tre kanë kapur gëlqerorët brenda strukturës por, me ndryshime të mëdha nga projekti dhe vetëm 7 puse kanë rënë në strukturë.
Për këtë veprimtari sabotuese shkalla e fajësisë të të pandehurve Filip Nashi e Beqir Alija, i pari si nxitësi kryesor i kësaj veprimtarie, kurse i dyti si nxitës dhe personi kryesor që ka miratuar në Këshillin Shkencor të Institutit, atakimin e strukturave dhe shpimin e puseve pa kryer kompleksin e punimeve gjeologo-gjeofizike, është tepër e madhe.
Edhe shkalla e fajësisë te të pandehurit Protoko Murati, si drejtues i sektorit të Gjeologji-gjeofizikës pranë Institutit të Naftës dhe Gazit është e madhe. Tepër e madhe është shkalla e fajësisë të të pandehurve Milto Gjikopulli e Koço Plaku, përderisa ata, sikurse rezultoi nga provat dhe nga pohimi i plotë i të pandehurit Milto Gjikopulli, duke qenë edhe si agjentë të Zbulimit Sovjetik, kanë vepruar me ndërgjegje të plotë për të zbatuar detyrat e ngarkuara nga ky zbulim armik.
E madhe është edhe shkalla e fajësisë të të pandehurit Dhimitër Stefa, i cili si përgjegjës i grupit të rilevimit të zonës së Kurveleshit, me veprimet e tij direkte, duke paraqitur projekte pusesh pa kompleksin e punimeve, ka sabotuar zbulimin e vend-burimeve të rinj në këtë zone, ku janë bërë edhe më shumë atakime të strukturave. Si projektues edhe i pandehuri Nuredin Skrapari, ka dhënë pika pa kompleksin e punimeve gjeologo-gjeofizike, por shkalla e fajësisë së tij në këtë drejtim, është më e vogël nga ajo e të pandehurve të tjerë.
Të pandehurit kanë sabotuar edhe në drejtimet e kryerjes së punimeve gjeofizike dhe posaçërisht ato sizmike, duke përhapur pikëpamjet e tyre reaksionare e antishkencore se; “sizmika nuk na jep gjë, kemi gjetur naftë edhe pa sizmikë” edhe duke i kundërvënë orientimit të drejtë të qeverisë, që; “pa punime gjeofizike, të mos jepet asnjë pus”, parullën e tyre sabotuese; “të fitojmë kohë, të hidheni me guxim”.
Në këtë mënyrë, ashtu sikurse deklaruan një sërë dëshmitarësh, pohuan vetë të pandehurit dhe sqarohet edhe me aktin e ekspertimit, vendi dhe roli i gjeofizikës së kërkimit dhe sidomos sizmikës, për vitet 1970-1975, ka qenë i injoruar e braktisur sistematikisht, me qëllim të paramenduar kriminal, d.m.th., me qëllim sabotimi.
Kështu siç rezulton nga akti i ekspertimit, nga të pandehurit janë projektuar, nxitur e aprovuar puse vetëm mbi bazën e rilevimit sipërfaqësor, mbi bazën e punimeve gravimetrike jo të plota (kur këto janë kryer), mbi bazën e ideve të para-formuara gjeologjike e në kundërshtim flagrant me të dhënat gjeofizike e veçanërisht ato sizmike ose, përgjithësuese gjeologo-gjeofizike, janë dhënë puse duke u mbështetur në të dhëna sizmike me cilësi të keqe, të interpretuara sipas ideve të para-formuara gjeologjike, janë nxitur e aprovuar puse të thella pa pritur interpretimin përfundimtar të punimeve paraprake sizmike, pa u mbrojtur ato në këshillin teknik të gjeofizikës dhe në Këshillin Shkencor të Institutit.
50% e strukturave që i janë nënshtruar kërkimit, thuhet në aktin e eksportimit nuk i janë nënshtruar studimeve sizmike gjatë viteve 1970-1975; 30% e tyre kanë qenë të pregatitura me sizmikë të pjesshme dhe vetëm 20% e tyre i janë nënshtruar kërkimit të naftës e gazit me punime kondiçionale, jokondiçionale dhe në ndonjë rast sheshore. Punimet sizmike në vitin 1975 kanë qenë më të ulëta se niveli i tyre në vitin 1961 kur baza materiale ka qenë mjaft e fuqizuar.