VENDIMI PËR DËNIMIN ME PUSHKATIM, TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO
AKT-AKUZA E GJYKATËS SË LARTË TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË DHE VENDIMI PËR DËNIMIN ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 11. Regj. Themeltar.
Nr.11 i Vendimit
VENDIM, NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, përbërë prej:
Lumturi Resnja, Anëtare e Gjykatës së Lartë
Mithat Goskova, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Fehmi Lagreta, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e Prokurorit Edmond Sanxhaktari, sot në datën 20.5.1976, mora në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.11 që i përket të pandehurit.
RELACION
Këto qëndrime e veprime të tij, kanë dobësuar vigjilencën revolucionare të punonjësve të Tregtisë së Jashtme, në hundën e të cilëve i pandehuri me qëllime kundër revolucionare, ka kryer gjithë këto veprimtari armiqësore. Pohimet e tij në këto drejtim, shpjegimet e dëshmitarëve si dhe përmbajtja e letrave anonime të shkruara prej tij, aktet e ekspertimit grafik që vërtetojnë se autor i tyre ishte vetë i pandehuri, janë prova të pakontestueshme që vërtetojnë se i pandehuri Andrea Manço, e ka konsumuar plotësisht edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, parashikuar nga neni 73/1 të K. Penal. Nga mallrat që i vinin sektorit të Makina-importit të Tregtisë të Jashtme, nga firmat e huaja ose përfaqësitë tona tregtare jashtë shtetit, ka marrë me qëllim përvetësimi, një sasi sendesh me vleftën e përmendur më sipër, të cilat u gjendën gjatë kontrollit në banesën e tij. Shumë prej këtyre dhuratave, në kundërshtim me vendimet e qeverisë, ua ka shpërndarë miqve dhe shokëve të tij, duke i shkaktuar ndërmarrjes një dëm prej 7.252 lekë. Element i degjeneruar dhe imoral, ai kishte krijuar marrëdhënie intime në zyrat e ndërmarrjes me një vartësen e tij. Në këtë ky i pandehur ka konsumuar plotësisht edhe figurën e krimit të shpërdorimit të pozitës zyrtare, parashikuar nga neni 199/1 të K. Penal. Prej vitit 1970, deri në vitin 1974, ky i gjykuar ka shkuar 16 herë jashtë shtetit. U vërtetua plotësisht se gjatë këtyre udhëtimeve ai u ka marrë personave të ndryshëm dollar Amerikanë, të cilët i ka nxjerrë jashtë shtetit në kundërshtim me dispozitat që rregullojnë veprimet për administrimin e arit dhe të valutës, ka blerë me to sende të ndryshme dhe pasi i ka sjellë në Shqipëri, duke i fshehur nga kontrolli doganor, ua ka shpërndarë personave të interesuar, duke kryer kështu edhe krimin e kontrabandës së cilësuar, parashikuar nga paragrafi i II-të të nenit 91 të Kodit Penal. Edhe ky krim u provua me pohimet e plota të të pandehurit me dëshmitarë dhe me sendet e kapura. Në masën e dënimit kundër të pandehurit Andrea Manço, gjykata ka parasysh shkallën e rrezikshmërisë tepër të theksuar që paraqesin veprat e kryera prej tij si dhe shkallën e rrezikshmërisë tepër të theksuar që paraqet vetë i pandehuri. Koha relativisht e gjatë që ai e ushtron këtë veprimtari, cinizmin dhe urrejtje e thellë për Partinë dhe pushtetin popullor, që e kanë shtyrë atë të kryejë këto vepra armiqësore, kanë sjellë një dëm të rëndësishëm interesave të Partisë dhe të Shtetit tonë në fushën politike, ideologjike dhe ekonomike.
PËR KËTO ARSYE
Në bazë të neneve 278-279 të K. Pr. Penale Gjykata
VENDOSI
Të deklarojë fajtor të pandehurin Andrea Manço, për krimin e sabotimit ekonomik dhe në bazë të nenit 72 të Kodit Penal e dënon me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, me humbjen e të drejtës, elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e dekoratës Urdhrin e Punës Klasi II-të.
Të deklarojë atë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të K.P., e dënon me 10 vjet heqje të lirisë. Të deklaroj fajtorë të pandehurin Andrea Manço, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dhe në bazë të nenit 81 të K.P., e dënon me 3 vjet heqje të lirisë. E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/1 të K.P., e dënon me 2 vjet heqje të lirisë. Të deklarojë fajtor për krimin e kontrabandës së cilësuar dhe në bazë të nenit 91/II të K.P., e dënon me 3 vjet heqje të lirisë. Duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 48 të K.P., e dënon me vdekje me pushkatim, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e dekoratës Urdhrin e Punës të Klasit të II-të. Shpenzimet gjyqësore të dënuarit. Vuajtja e dënimit, i fillon nga data e arrestimit, në 27. III. 1975. Vendimi është i formës së prerë. Ai nuk ekzekutohet deri sa të shqyrtohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. U shpall në datën 20.5.1976
SEKRETARI: Sadik Mema, KRYETARI: Lumturi Resnja
DOKUMENTI ARKIVOR ME LUTJEN E TË DËNUARIT ME VDEKJE, ANDREA MANÇO, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR FALJEN E JETËS
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Lutje
Unë i nënshkruari Andrea Kristaq Manço, lindur në katundin Boboshticë, të rrethit të Korçës, më 16.3.1925, mbas gjykimit që mu bë nga ana e Gjykatës së Lartë të R.P. të Shqipërisë, datë 20.5.1976, u dënova me pushkatim, për krime shumë të rënda, si sabotim, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste dhe kontrabandë. Dënimin e quaj të drejtë, por duke pasur parasysh që jam penduar, kam qenë shtëpi bazë e luftës, jam vëllai i Todo Manços, si dhe kam dy fëmijë në ngarkim, ju lutem të më falni jetën. Me nderime Andrea Manço, Tiranë, 21.5.1976.