Albspirit

Media/News/Publishing

Sami S. Shatri: Heshtje lamtumirëse

Si puhizë e lehtë, erdhe atë ditë,
mëngjesin e freskët, këndej në Prishtinë!
Përqafove rrezet e diellit kah lind,
si një lule e bukur, herët në agim!

E dita kaloi, me ritmin e saj,
shpejt erdhi muzgu, dielli perëndoi!
Pëllumbeshë shtegtare, ike matanë,
si një ëndërr e shkurtër…
e gjumit të parë!

Një heshtje lamtumirëse,
mbeti si peng…
Kalimthi, atë ditë plot vapë,
nga qyteti yt, fluturove atë natë!
N’detin e qetë, e bukur si pulëbardhë,
Histori e shkurtër…
vetmuar në një barkë!

Mëngjesin e vonë, ditën në vijim
në dhomën e vogël, qëndroja i shtrirë!
Thelluar e menduar, flisja me poezinë,
buqetë me lulëkuqe, ç’më solli freskinë!