Pianistja Adea Badivuku bëhet pjesë e revistës prestigjioze American Music Teacher
Flonja Haxhaj
Pianistja kosovare Adea Badivuku ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj profesionale, duke u përzgjedhur si autore dhe recensuese shkencore për revistën American Music Teacher (AMT), një nga revistat më prestigjioze dhe me ndikim ndërkombëtar në fushën e pedagogjisë muzikore, shkruan KultPlus.
Revista American Music Teacher është publikimi zyrtar i Music Teachers National Association (MTNA) dhe konsiderohet një nga revistat më të rëndësishme profesionale në Shtetet e Bashkuara në fushën e pedagogjisë muzikore. Ajo publikohet në nivel kombëtar dhe shërben si platformë për kërkim shkencor, analiza pedagogjike dhe praktika bashkëkohore në mësimdhënien e muzikës, duke iu drejtuar pedagogëve, studiuesve dhe profesionistëve të fushës.
Në një prononcim për KultPlus, Badivuku u shpreh e lumtur që është bërë pjesë e kësaj reviste.
“Pjesëmarrja ime në revistën American Music Teacher lidhet me angazhimin tim akademik në fushën e pedagogjisë së pianos. Unë jam përzgjedhur si autore dhe recensuese shkencore, çka nënkupton vlerësimin kritik të artikujve akademikë përpara publikimit të tyre, si dhe kontributin me shkrime profesionale në fushën e edukimit muzikor”, u shpreh Badivuku.
Vlerësimi akademik i Adea Badivukut është pranuar për botim dhe do të publikohet gjatë muajit shkurt në revistën American Music Teacher në SHBA.
“Autorët dhe recensuesit e kësaj reviste përzgjidhen nga radhët e studiuesve dhe pedagogëve me gradë doktorale në fusha të ndryshme të muzikës, bazuar në vlerësim profesional dhe kompetencë akademike”, shtoi më tutje ajo.
Badivuku është pianiste dhe studiuese e shquar nga Kosova, puna e së cilës po kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin e interpretimit pianistik, kërkimit shkencor dhe pedagogjisë së pianos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është pianistja e parë nga Kosova që ka përfunduar studimet e doktoratës (Doctor of Musical Arts) në një institucion të kategorisë R1 (Research-1) në SHBA, duke shënuar një arritje historike për përfaqësimin akademik dhe artistik të Kosovës në arsimin e lartë amerikan.
Hulumtimi i saj doktoral, i fokusuar në teknikat e zgjeruara të pianos, është publikuar dhe shërben si literaturë pianistike dhe pedagogjike, duke kontribuar në integrimin e praktikave bashkëkohore në edukimin pianistikor universitar.
Aktualisht e vendosur në Santa Barbara, Kaliforni, Badivuku shërben si pjesë e stafit akademik të pianos në dy institucione të arsimit të lartë në SHBA, ku angazhohet aktivisht në mësimdhënie, performancë dhe zhvillim kurrikular.
Ajo është anëtare zyrtare e programit Steinway & Sons Teacher & Educational Partner, një platformë ndërkombëtare që përfshin pedagogë të pianos të përzgjedhur mbi bazën e kritereve profesionale dhe akademike, të angazhuar në avancimin e edukimit pianistik. Në vlerësim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në mësimdhënie, ajo është vlerësuar nga Steinway & Sons si një nga pedagoget më të spikatura të pianos — një titull që u jepet vetëm edukatorëve me ndikim të veçantë profesional.
/KultPlus.com